Gianni De Biasi, Ferrari shpirtëror i shqiptarëve
Nga Irfan Rama
Shqiptarët e kanë tashmë një inspirues dhe katalizatorin e një ngrohtësie shpirtërore të veçantë që nuk e kanë përgjetur askund prej shumë e shumë vitesh. Një italiano – shqiptar ose shqiptaro – italian ta marrim si ta duam. Ai quhet Xhani De Biazi. E them ose e themi këtë tani me lehtësinë më të madhe si një refleksion të një arome të trëndafiltë si ato të kopshteve plot erëbukur shqiptare, italiane apo franceze të përplota me trëndafilë auktoktonë që sosin aromën e këndshme pas shumë distancash. Sepse shqiptarët pas një rraskapitjeje shumë vjeçare e që konturohet ende nga politikanët e papërgjegjshëm duan të mbështeten diku për pakëz optimizëm dhe ilaçi “kinez” vjen nga një njeri i cili tashmë ndjehet plotësisht shqiptar . Për një fakt të thjeshtë por shumë kuptimplotë pasi dje AI është zyrtarizuar nga presidenti shqiptar Bujar Nishani si shqiptar “de-juro” me dhënien e nën-shtetësisë dhe pasaportës shqiptare pas kërkesës së sinqertë e gjithazi me pastërti nga ana e tij. Sepse Xhani De Biazi është nga ato italianë të shkëlqyer të atij soji fisnikësh e burimdhënës me pashëshumë të dashurisë, ngrohtësisë, thjeshtësisë, urtësisë, bujarisë, tonësisë – kur duhet si ne shqiptarët – zemrës së madhe që bluan në çdo sekondë, në çdo minutë, në çdo orë, në çdo ditë – natë, në çdo javë – muaj e vit për përparimin dhe ngadhënjimin e futbollit shqiptar e kombëtares së tij e jo vetëm. Por edhe progresit të Shqipërisë. Sepse Shqipëria dhe shqiptarët për të janë Italia e tij, janë italianët e tij, janë çdo gjë e trup – mendjes së tij gjeniale. Sepse ka shumë të huaj që kanë ardhur në Shqipëri por De Biazi është ndër më pak-kushët. AI është një Edith Durham që pasi shtegtoi në shumë kënde e anë të Shqipërisë me këmbë e kuaj u rikthye në Angli dhe u rrëfeu gjithnjë deri në mortum anglezëve e lordësisë së lartë për shpirtin, bujarinë, mikpritjen, trimërinë, fisnikërinë shpirtërore të shqiptarëve. Po ambasadori i madh i Shqipërisë “de-fakto” në Itali e Europë Xhani De Biazi çfarë po bën? Po bën atë që askush se ka bërë deri më sot. Sepse ai bën shumë punë për Shqipërinë. Ai u përcoll si trajner me kontratë nga insistimi i vetë presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka me 22 dhjetor të vitit 2011 dhe la Tiranën për Krishtlindje dhe Vitin e Ri për t’u rikthyer sërish në Janar të vitit 2012 për të nisur punën për projektin madhor të tij. Për të bërë një revolucion në futbollin e përfaqësues shqiptare siç bëhen revolucionet në shkencë e jo evolucionet se me evolucione duhen dekada e dekada për vetë nocionin konceptual të ngadalësisë së përkapjes së ciflave e përsosmërisë së tyre. Se qenia njerëzore si përkryerja e kësaj toke të shenjtë di të implentojë, sipas rrethanave, të dyja nocionet që i ka zbuluar e i ka përnxjerrë gjatë përvojës së saj historike. Sepse koncepti ontologjik tashmë e ka bërë De Biazin prej kohësh të përzgjedhë filozofinë e tij të mbrujtur edhe në mjaft përvoja italiane e spanjolle por tashmë në një habitat me zinxhirë të ndryshëm psikologjik, pedagogjik, metodologjik, historik, mental, ekonomik, infrastrukturor, muzikor, traditor, religjioz, ekologjiko – sportiv, ligjor e të tjera të mirëfillta të shkencës së futbollit si fizikaliteti, teknika, taktika, përzgjedhja, brezinitë, eksperiencat e reja motake dhe të për shkallëzuara në vite etj e tjerë. Puna e tij e jashtëzakonshme – që siç rrëfente filozofi i madh modern gjerman Karl Jaspers kur e pyeste dikush “çfarë jeni duke bërë?, – ai përgjigjej “punoj ndryshe nuk bëj gjë” – ndoshta 18 – orëshe në ditë ku përfshiheshin udhëtimet e shpeshta në shumë vende të Europës e në Shqipëri kudo për të parë, vëzhguar, shënuar, skeduar, ndjekur nëpër ndeshje e stërvitje, komunikuar, bindur, treguar e sugjeruar me shumë e shumë futbollistë të moshave të ndryshme. Për të krijuar një kombëtare të sotme e të ardhme me baza të shëndosha përndryshe nga të gjithë trajnerët shqiptarë e të huaj që ka pasur deri më sot Shqipëria. Mbi gjashtëqind futbollistë që janë skeduar e argumentuar nga ai tok me stafin e tij dhe stafin e FSHF- së për talentet me drejtues Redi Jupin, një djalë i ditur e shumë i përgatitur. Kurrë më parë nuk ish bërë një punë e tillë “A Big mammoth” si kjo e Xhani Debiazit. As dua ta hiperbolizoj, por si një ndjekës i vëmendshëm i punës së tij mendoj në këto kohë që po shkruaj këtë opinion për Nënën-Madhen Tereze shqiptare të Kalkutës. Kanë punuar pa dyshim jo pak Broçiç, Boriçi, Alla, Konçi, Shuke, Rreli, Birçe, Bajko, Hafizi, Zhega, Brigel, Bariç, Han e Kuzheja – se Dosena iku më parë se erdhi – por tashmë e jo vetëm tani, Xhani De Biazi është një tjetër, një shqiptaromadh i filozofisë dhe punës krejt ndryshe. Ai si pakkush shqiptarë dhe të huaj njeh etapat sintezë dhe analitike për shqiptarët. Zemra e truri i tij punon “non stop” për Shqipërinë për ëndrrën kuqezi ndryshe nga ëndrrat e gjumit të natës. Ai ka ëndrrën 24- orëshe të një shqiptari të vërtetë si kënga e Toto Kutunjës “Italiano vero”. Ai lavdëron shqiptarët, vendin e bukur të shqipeve, kryeqytetin shqiptar, jugun e veriun, të krishterët, myslimanët e ortodoksët si një e vetme. Thur vetëm të mirat e karakterin e shqiptarëve nëpër televizionet e gazetat italiane e mbarë europiane. Ai di të komunikojë si një i vjetër i mirë me tifozët, njerëzit e thjeshtë, kryeministra e presidentë, trajnerë shqiptarë e të huaj, gjykon vetë me bilbil lojtarë moshash e i udhëzon për më tej, vishet kuqezi, këndon si shqiptar e gëzon si ata dhe me ato, mbron shqiptarët nga sulmet e të huajve siç veproj edhe në Beograd, Rinas e gjetkë. Bisedon, udhëzon, përfutet në trurin e lojtarëve kombëtares në stërvitje e ndeshje për të tashmen por edhe të ardhm
en, stigmatizon të “keqen” e shtypit e prindërve kur ato nuk gjykojnë realisht e me profesionalizëm, edhe ata që kanë thinja por që shkruajnë e veprojnë si adoleshentë e tjerë. Edhe ai mërzitet shumë kur gjërat ka raste që nuk i shkojnë mirë si shqiptarët. Siç është mërzitur kur humbte me Islandën 2-1 në Tiranë, ku luajtëm shumë mirë, por u treguam të pavëmendshëm në dy raste të vetme të shënuar nga islandezët apo në Islandë kur ne nuk ishim vetvetja por edhe nga furia fiziko e tekniko taktike e vendit të akullt prej 300 mijë banorësh. U bë pezm në Slloveni, në atë humbje me një gol nga rreth 25- metra por që ne luajtëm shumë mirë e humbëm jo pak raste. Ashtu si në Beograd, kur skuadra shqiptare u terrorizua nga bizantizmi dhe primitivizmi i rrallë i tifozëve e autoriteteve serbe e më pas nga bëmat e UEFA-s së Mishel Platinisë, por gjithherë duke mos e humbur mendjen dhe duke konsideruar realitetet edhe të gjeopolitikës apo gravito – politikës. Ai ka vuajtur shumë kur shtypi i egër shqiptar – ajo pjesë e pjesuar jo në analizë por në keqësitë e energjive negative dhe përfitimeve të pjesës së trajningut shqiptar që qëndron në tehinat pritëse të rrëzimit të gjahut – dhe jo profesionist e ka sulmuar për ta hequr pas ndeshjes humbëse 2-1 ndaj Islandës në Tiranë. Ashtu dhe pas tre ndeshjeve të fundit të eleminatoreve “Brazil 2014”, kur skuadra përfaqësuese humbi në Slloveni e Islandë minimalisht (0-1 dhe 1-2) si dhe barazoi në Qipro. Të gjithë donin kokën e De Biazit?!! Dhe ka qenë Armando Duka që ka firmosur pa pyetur shumë, që ka sigluar kontratën jo fort të favorshme financiarisht të strategut tashmë italo –shqiptar. Më pas po ky përlloj shtypi, pas ndeshjeve të bujshme në lojë e rezultat – si dhe konceptimeve më të fundit kohore të “Brazil 2014” në llojshmërinë tekniko – taktike të De Biazit të fiksuar shumë mirë nga lojtarët, nga mbi 40-50 lojtarë të panceruar në “kazermën DE BIAZI” bënë ndeshje të mëdha si fitorja në Portugali, barazimi me Danimarkën në Tiranë, barazimin dinjitoz në Francë duke bërë lojën franceze, humbjen dinjitoze 0-1 në Itali dhe ndeshjen legjendare në Beograd ku përballuan turmat e koret hitleriane serbe – ndërruan kursin fjalor. Dhe bënë mirë. Se mos bien sërish në ulluk?! Se futbolli nganjëherë edhe të grykos. Se me Armeninë sot mund t’i bindemi e t’i përulemi të tria rezultateve: fitores, x dhe 2-shit. Armenia e Mikhtirianit ky lojtar i madh i Borusias së Dortmundit – ku nuk e merr vesh se në ç’pozicion luan, triplon, asiton e shënon – ka zhvilluar futboll tekniko-taktik mjaft të mirë, të shpejtë, mbyllës “tutjus çelës” në mbrojtje si dhe kundërsulm tepër të shpejt. Sidoqoftë skuadra e De Biazit të gëzuar e optimist do të dijë se çfarë të tregojë dhe pavarësisht si ndahen pikët, ajo do të ketë edhe katër ose pesë ndeshje të tjera pikësh -sepse ndeshja me Francën është si miqësore dhe pritet tani në prill “lufta e tretë” me komisionin e UEFA-s për trepikëshin ose ndeshje të përsëritur me serbët – dhe Shqipëria mund të realizojë një ëndërr. Çfarë do që të ndodhë Xhani Debiazi do të mbetet për ne shqiptarët për shumë kohë një Ferrari e gëzimit shpirtëror dhe optimizmit që na kolovit së gjalluri. AI do të jetë “Noble – Mindedness” fisnikëria, lartësia e mendimeve dhe e ndjenjave për ne shqiptarët.