Gjëmat që na ndodhin në ditë festash

 

Nga Mero Baze

Zakonisht ditë të tilla festive si kjo e sotmja, janë një rast i mrekullueshëm për kriminelët të vënë në jetë planet e tyre. Vrasjet më të bujshme në Tiranë janë bërë në ditë ndeshjesh të forta, kur vëmendja e opinionit publik është në ekran. Po ashtu dhe grabitjet më të famshme në Tiranë kanë ruajtur këto data. Edhe Gjykata jonë këtë datë kishte ruajtur për Ardian Fullanin. Kur miliona njerëz festonin në sheshe dhe kur njerëzit nuk kanë ndërmend të zemërohen për asgjë, gjykata liroi nga akuzat ish- Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, i cili është përgjegjës për humbjen e 7 milionë dollarëve, për një transaksion të paligjshëm 30 milionë euro, në favor të buxhetit të qeverisë Berisha dhe për një shpërdorim në tenderin e rikonstruksionit të Hotel Dajtit në vlerën 1,5 milionë euro. Gjykata i ka quajtur të gjitha dëmet të shkaktuara, jo për faj të ish-Guvernatorit dhe e ka lënë të lirë.

Natyrisht pasi flet Gjykata nuk kemi ndërmend të merremi me të, pasi asaj mund t’i vijë hakut vetëm një qilizëm i thellë nga Reforma në Drejtësi.

Por ajo që ra në sy sot ishte një shpërthim prej fitimtari i Sali Berishës dhe akuzat e tij si bombë tymuese për Ramën dhe ata që arrestuan Fullanin. Shpërthimi i Berishës dukej se ishte një makth më tepër për veten sesa për Fullanin, ndërsa akuzat për Ramën ishin thjeshtë për të mbuluar makthin e tij. E vërteta është se arrestimi i Ardian Fullanit është bërë nga Prokuroria dhe asnjë faktor politik në pushtet, as Rama, as Meta natyrisht dhe as Berisha nuk kanë qenë për arrestimin e tij, madje as për heqjen e tij nga detyra. Beteja kundër Fullanit ishte një fitore e opinionit publik kundër tij dhe pak mediave që arritën ta mbanin gjallë atë opinion mes të cilave gazeta TemA. Shumica e medias dhe e gjithë politika ishin dhe janë aleatë të Fullanit, ndaj Berisha nuk ka pse fsheh makthin e tij duke shpikur armiq për Fullanin, pasi nuk ka pasur.

Po ku qëndron realisht makthi i Berishës nga procesi Fullani?

Një nga akuzat e Prokurorisë për ish-guvernatorin bazohet tek një transaksion fals i Bankës së Shqipërisë, e cila bëri sikur bleu Hotel Dajtin për t’i kaluar 30 milionë euro në buxhetin e shtetit qeverisë Berisha, e cila po thellonte deficitin buxhetor me mosrealizime dhe nuk mbyllte dot buxhetin, edhe pse e rishikoi tre herë brenda vitit 2010. Më 12 maj të vitit 2010 qeveria shqiptare pa asnjë vendim të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe pa asnjë marrëveshje paraprake me Bankën e Shqipërisë, miratoi blerjen e Hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë në vlerën 30 milionë euro. Ky është rasti i parë në botë, kur një shitës cakton blerësin ende pa e pyetur atë dhe ende pa i marrë mendim sesa do t’ia blejë mallin, duke ia caktuar vet çmimin dhe vet procedurën. Ndërkohë që ligji shqiptar detyron qeverinë, që çdo pasuri ta shesë në ankand dhe çdo shërbim ta blejë me tender, ajo e shiti pa ankand, pa lajmërim, madje edhe pa paralajmërim, një hotel historik për llogari të Bankës Qendrore, së cilës i rekomandoi t’i bëjë zyra.

Vendimi i Qeverisë i 12 majit ka mbërritur në Këshillin Mbikqyrës të Bankës më 26 qershor, pra rreth 40 ditë më vonë dhe Këshilli e ka miratuar kokulur pa shtuar dhe hequr asgjë.

Kjo procedurë tërësisht anti-ligjore dhe në funksion të mbushjes së një deficiti buxhetor, është bërë me iniciativë të kryeministrit dhe përmban brenda vetes disa probleme të mëdha.

E para është transaksioni fals që shërben vetëm për të nxjerrë 30 milionë euro nga Banka Qendrore dhe për të mbushur me ato një gropë të hapur nga shpërdorimet e qeverisë Berisha me buxhetin e vitit 2010. Për të mbushur këtë grop, Berisha i ka rrëmbyer me dhunë pa e pyetur fare Bankës Qendrore 30 milionë euro, veprim i ngjashëm me çdo hajdut si ai i 7 milionshit, por që nuk e dënon njeri.

Së dyti, veprimi dëshmon mungesën e thellë të respektit që qeveria dhe vet Berisha kanë pasur për pavarësinë e Bankës Qendrore, akuzë që sot tenton ta bëjë për kundërshtarët e tij për të mbuluar makthin që kishte nga ky gjyq. Në asnjë rast dhe në asnjë histori të ndonjë Banke Qendrore nuk mund të ndodhë, që një kryeministër të njoftojë Bankën pas një muaji, t’i kalojë pak 30 milionë euro se ashtu e ka pas një punë dhe i janë krijuar ca borxhe. Kjo tregon jo vetëm mungesë pavarësie, por poshtërim publik për Bankën Qendrore dhe një standard që mund ta ketë vetëm Berisha kur është në pushtet, njëlloj si në vitin 1996 urdhëronte ish-guvernatorin e Bankës të licensonte Vefa-n si bankë, ose të jepte dorëheqje.

Së treti, një dënim i mundshëm i Fullanit për këtë akt të papërgjegjshëm të tij si guvernator mund të hapte histori të tjera të rënda për Berishën dhe raportet e tij me Bankën Qendrore, që mund të shkonin tek mënyra sesi u paguan parat për Armon, si u shmang mosmarrja e tetëdhjetë milionë eurove për Albpetrolin, tek mënyra si janë marrë kreditë nga bankat e nivelit të dytë për investime që kanë shtuar kostot e tyre e deri tek vrasja e Artan Santos.

Është kjo arsyeja, që Berisha ka pasur një makth real nga gjyqi i Fullanit dhe e ka marrë më seriozisht seç e meritojnë pushtetarët e sotëm, të cilët duke i konsideruar si vetja, ose duke menduar se çfarë do bënte ai me ta sikur të ishte në vend të tyre, ka menduar se e kanë pasur seriozisht me Fullanin, që të dënonin Berishën. Nëse nisemi nga kriteret sesi Berisha i ka dënuar kundërshtarët, p.sh Nexhmijen për kafe, me dietat e Fullanit prej miliona dollarësh dhe shpërblimet për ekipin e volejbollit, ku kunata e Berishës 50 vjeçare ishte kapiteni në shpërblime, Berisha do ta kishte dënuar Fullanin 10 vjet burg vetëm për dietat. Në fakt kjo drejtësi, siç e thotë dhe vet Berisha në nxitim e sipër është zero dhe ne nuk presim gjë prej saj. Presim vetëm të kuptojmë prej saj, se ku mund të dënohej Berisha këto kohë. Dhe këtë nuk e kuptojmë nga drejtësia, por nga reagimet e Berishës, që nuk rri dot pa folur, për tu dukur çfarë pret nga drejtësia e vërtetë.

Dhe sot, kur miliona shqiptarë festojnë një standard të ri të krenarisë së tyre kombëtare, pas kualifikimit të ekipit Kombëtar të Futbollit, gjykata e kishte llogaritur siç llogarisin kriminelët ditën kur kanë gjahun e tyre dhe liruan Fullanin, duke çliruar më shumë se atë, Berishën nga një makth që kishte kohë që e brente. Për të gjithë ata që kishin frikë se mos ndodhte ndonjë gjëmë ndërkohë që luhej ndeshja, të qetësohen se as vrau as vodhi njeri. Thjesht falën atë që kishte vjedhur!

TEMA

SHKARKO APP