Gjergj Bojaxhi është shenja se pse vlen vetëm vota mazhoritare
Nga Alfred Lela
E majta dhe e djathta, kur ka përfunduar edhe numërimi i votave për këshillat bashkiakë, do të vazhdojnë të përpjekin brirët për numrat, përqindjet, uljet e njërës e ngjitjet e tjetrës. Por, edhe për një gjë kryesore: cilat vota do merren parasysh për të kapur prirjen e votës ndaj tyre: votat për kryebashkiakët, pra mazhoritaret, apo për këshillat bashkiakë ose proporcionalet.
PS dhe LSI do t’i mëshojnë së dytës, ndërsa Partia Demokratike së parës, pra votës mazhoritare. Arsyet janë të thjeshta: në mazhoritar PD ka njohur rritje, duke e çuar përqindjen e mbështetësve nga 39 në 42 për qind, me një rritje prej afërsisht 70 mijë votash (shifra të rrumbullakosura), ndërsa e majta ka shënuar një rënie prej 200 mijë votash.
Ndërkohë LSI, e konfirmuar si forca e tretë në vend, ka pësuar një rritje të konsiderueshme në proporcional duke iu ofruar së dytës, Partisë Demokratike. Meta me të tijtë do të flasin pikërisht për këtë, duke anashkaluar dështimin në përballjet direkte të kandidatëve për kryebashkiakë. LSI nuk ia ka dalë në Lezhë, Kukës, Vorë, Pogradec, Mallakastër, pavarësisht një investimi imponues të makinerisë elektorale, furnizuar me para, pushtet e instrumente të tjerë që raportohen se shkonin përtej çka konsiderohet legale.
Në mënyrë që leximi i zgjedhjeve të jetë i drejtë, i mbështetur në instrumente matës cilësorë më shumë se sasiorë, interpretimi i votës së 21 qershorit mund të bëhet vetëm nëpërmjet mazhoritarit, pra përballjes direkte të kandidatëve për kryetarë bashkish.
Për disa arsye.
Së pari, sepse, në rastin e kandidatëve është në garë sigla e partisë dhe individi. Të dyja bashkë bëhen shprehëse të një vullneti politik të përgjithshëm, i cili e bën më të lehtë kuptueshmërinë e hartës elektorale. Në rastin e kandidatëve, publiku voton jo vetëm siglën, por edhe zgjedhjen e saj, përthyerjen lokale të asaj force dhe raportin që aksh parti ndërton me një elektorat të caktuar.
Së dyti, aberracionet e proporcionalit janë të shumta, përtej çdo dyshimi të tilla, dhe e mjegullojnë pamjen, aq sa e bëjnë të pamundur një lexim korrekt të votës. Cilat janë ato? Nëse i lë mënjanë tri partitë kryesore, nën zërin ‘të tjera’ ngre krye një përqindje e mbipeshë votash që e kalon vizën e 50-ës. Këtu futet kuç e maçi i nja 50 partive që shprehin vullnetin (apolitik) të kushëririt të dytë, çunit të lagjes, gocës së dajës, të fortit të fshatit, makut, takut e dakut. Nëse dikush thotë se kjo është votë që shpreh një vullnet apo tendencë politike, atij i mbetet barra e alogjikës.
Shmangie të kësaj ngjyre mund të gjeni në Tropojë ku ka këshilltarë të partisë së çamëve, apo në Mirditë, ku ka këshilltarë të partisë së minoritarëve grekë të Vangjel Dules. Në Kurvelesh ka dalë e para një parti e vogël me seli në Porto-Romano të Durrësit!
Arsyeja e tretë se pse vota proporcionale nuk mund të jetë përshkruese, ka të bëjë me mbrojtjen e publikut shqiptar. Apo popullit e sovranit, sic e quajnë politikanët. Nëse e majta, me teknikë struci, do të lexojë 1 milionëshin e përsëritur të votave si rikonfirmim të vetes dhe shuplakë të dytë për të djathtën, është duke prodhuar një fyerje për popullin, por edhe duke rrëzuar tezat e veta të kohës kur ishte në opozitë.
Teza të njohura që artikuloheshin sa nga Rama, sa nga kryebashkiakët e majtë të llojit Sejdini e Dako. Sipas tyre, gjatë 8 viteve të qeverisjes të së djathtës, bashkitë e majta liheshin pas dore nga qeveria qendrore dhe kjo e shpjegonte prapambetjen. Nëse në këto bashki nuk ishin bërë punë, si mundet që njerëzit të votonin për punët e pabëra, dhe jo vetëm kaq, por vota të rritej në favor të punëpabërësve.
Ose vota është shtrembëruar, ose populli ka votuar si regresist.
Vota mazhoritare u jep fitore të qartë socialistëve, por gjithashtu u ngre shenja paralajmëruese me anë të një rënieje të konsiderueshme. LSI-së i propozon se modeli i saj ‘i punës pa prodhim’ ka ngecur te portat e refuzimit të parë, ndërsa Lulzim Bashës i jep një inkurajim të lehtë me anë të një rikuperimi të votës blu.
Një arsye e katërt se pse vota dhe prirja e saj duhet lexuar në mazhoritar është edhe Gjergj Bojaxhiu. Nën siglën ‘Ne Tirana’, pa këshilltarë, ai garoi i vetëm ndërmjet dy të mëdhenjve duke grumbulluar pothuajse 6 për qind të votës. Jo pak dhe jo keq.
MAPO