Gjermani, lajmet e gënjeshtra në rrjetet sociale ndezin e gjakosin qytetin
Lajme të rreme në internet ndezën trazirat në Chemnitz. Ngjarjet që ndodhën në Saksoni tregojnë shumë qartë, se çfarë dëmi mund t’i sjellin shoqërisë gënjeshtrat në internet. Si mund të veprojë media?
Torsten Kleditzsch është prej nëntë vjetësh kryeredaktor i gazetës “Freie Presse” në Chemnitz, gazeta më e madhe e Saksonisë, por ditët e fundit kanë qenë më të vështirat për gazetarin. Pas një incidenti me pasojë vdekjen e një gjermani gjatë një feste qytetare, u shpërndanë në Chemnitz zërat se ka pasur përpjekje për përdhunim dhe se ka edhe një të vdekur të dytë. Kleditzsch dhe kolegët e tij përpiqen më kot të hedhin poshtë këto lajme të rreme. Në fund janë të pafuqishëm. “Nuk arritëm ta ndryshonim më këtë rast. Madje edhe puna e mirë gazetareske me sa duket ka kufijtë e saj, kur vjen puna për të korrigjuar një histori që është përhapur ndërkohë.”
Të mos e vësh nën kontroll – do të thotë në këtë rast trazira një ditë më pas nga grupet ekstremiste të djathta, ku sulmohen të huajt dhe policët me shishe. Qeveria gjermane i dënon ashpër ngjarjet në Chemnitz. E gazetarët si Kleditzsch u duhet të kuptojnë se tek disa përdorues dhe lexues ndoshta e humbasin garën me lajmet e rreme pikërisht ose ndoshta për shkak të ruajtjes së standarteve gazetareske. “Ne bëmë punën klasike gazetareske, kontaktuam burimet – policinë, autoritetet hetimore, bashkinë, organizatorin e festës. Dhe ishim vetë jashtë me disa kolegë për të parë vetë se ç’po ndodhte.”
Fake News të kujton historinë e lepurit dhe iriqit. Informacionet e rreme janë gjithmonë prezente. E gara është e humbur tek disa lexues. Edhe sepse gazetari bie gjithmonë në të njëjtën grackë, ose duhet të bjerë gjithmonë në një grackë – “kur ti hedh poshtë një lajm të rremë me fakte, transporton automatikisht më tej edhe vetë lajmin e rremë. E ajo që mbetet në fund, nuk është dementimi, por thashethemi”, sqaron Torsten Kleditzsch një shembull nga shkenca e komunikimit.
Fake News – me shënim për t’u fshirë?
Teori të tilla i njeh mirë edhe studiuesi i mediave, Stephan Weichert. Profesori për gazetarinë dhe shkencat e komunikimit në universitetin Macromedia në Hamburg ka një qëndrim të qartë: Informacionet e rreme duhet të shënohen si fake news. E kjo është detyra e gazetarisë, pikërisht sepse ne në mënyrën e veprimit me këto lajme ende nuk e kemi zgjidhjen e duhur.” Sipas eskpertit ato jo vetëm duhet të shënohen, por edhe të fshihen, nga platforma si Facebooku. Dhe përdoruesit që shpërndajnë lajme të rreme të kenë pasoja juridike.”
Presioni ndaj gazetarëve për të shpërndarë sa më shpejt të jetë e mundur një lajm, nuk është i ri, sipas Weichert. “Ekskluzivitet kanë kërkuar edhe gazetarët para 30 vjetësh, pra që kur kemi media live në radio dhe televizion.” Por për këtë duhet të vlejë gjithmonë parimi: “Cilësia gazetareske dhe puna profesionale kërkojnë kohën e vet. Kjo është si një murator që vë pllaka, edhe ai kërkon kohë që ta bëjë mirë punën e vet.” Gazetarët nuk duhet t’i dorëzohen refleksit të shpërndajnë shpejt informacionin, sepse prej tij mund të zhvillohet një autodinamikë, me pasoja të paparashikuara.”Nga këto mund të rrezikohen njerëz apo të pengohen hetimet e autoriteteve.”
Saktësia mund shpejtësinë – sidomos në rrjet
Ngjarjet në Chemnitz janë për ekspertin Weichert një shembull i tmerrshëm, se çfarë ndodh, kur pandehjet pavarësohen dhe përhapen me shpejtësi. Këshilla e tij për gazetarët: “Saktësi para shpejtësisë. Gjithmonë dy burime. Dhe asnjëherë mos u dorëzoni para presionit të ekskluzivitetit.” Gazetarët duhet t’i verifikojnë hulumtimet e tyre, kjo do të thotë që ata të pyesin, nga vijnë hamendësimet? A mund të jenë të vërteta? Po ashtu duhet ruajtur transparenca me publikun, që të dijë se në cilin stad ndodhen hulumtimet, thotë Weichert.