Gjithë Kolumbia në këmbë për të pritur Fevziun dhe grupin e tij!
Po mbërrin ora, që Blendi Fevziu dhe grupi që e shoqëron, Baton Haxhiu, Ben Blushi dhe biznesmeni më i njohur shqiptar, Samir Mane, të mbërrijnë në Kolumbi.
Ditën e parë, ata do të zbresin në kryeqytetin Bogotà. Mendohet se do të priten nga një pjesë jo e vogël e qarqeve politike dhe kulturore të vendit.
Njëri nga nipërit e Pablo Escobarit, citohet të ketë thënë që Pablo, para se ta vrisnin, ka thënë që në Shqipëri do dalë një njeri me emrin Blendi Fevziu, që nëpërmjet emisionit “Opinion”, do të bëhet i famshëm në të gjithë botën mbarë. Nëse Pablo, do të kishte qenë gjallë, jo vetëm do të kishte dalë në pritjen e grupit, por edhe do t’i lutej Fevziut që t’i bënte një intervistë.
Kolumbia është vendi i tretë dhe i fundit që do të vizitojnë këta katër personalitete të njohur, në këtë udhëtim të largët.
Ndalesa e parë ishte Kuba, të cilën e vizitojnë shumë shqiptarë të kamur dhe të pa kamur, por që vizitën në këtë vend, ose në vende të tjera si Tailanda, e mbajnë sekret për Shqipërinë dhe familjen.
Ndalesa e dytë e grupit të njohur, ka qenë Panamaja. Ndalesa në këtë vend, ishte jo vetëm pse iu ra rruga, por edhe pse deri më sot, nuk ka shkelur asnjë shqiptar. Fevzo, i ndjek shumë vendet, ku nuk kanë shkelur bashkëkombësit e tij. Në këto vende, Fevziu shpalos flamurin shqiptar, duke shenjuar aty mbërritjen e shqiptarit të parë. Herën e fundit, këtë e ka bërë në Honolulu.
Në këtë qëndrim të shkurtër, Fevzo bëri një xhiro në xhungël, në të gjitha shtigjet ku vite më parë kalonte gjenerali Noriega.
Tashmë, turistët që do të vizitojnë këtë xhungël, do të mësojnë se në këtë hapësirë, përveç Noriegës, kanë kaluar edhe Fevziu, Baton Haxhiu, Ben Blushi dhe biznesmeni Samir Mane.
Në orët e ardhshme, do t’ju informojmë për vizitën e grupit të Fevziut, në Kolumbi.
TPZ.al/ Rubrika satirike “Tej e Këtej”