Gjueti shtrigash në vend të dekriminalizimit

Nga Mero Baze

Qeveria ka propozuar një projektligj për integritetin e personave publikë, ku përcakton një sërë kushtesh që e përjashtojnë një qytetar shqiptarë nga e drejta për të qenë funksionar publi, i zgjedhur apo pjesëtar i kabinetit qeveritar. Lista  e gjatë e krimeve, që i heq të drejtën një qytetari të jetë pjesë e funksioneve publike, përfshin krimet ordinere dhe korrupsionin aktiv dhe pasiv të funksionarëve. Por debati duket se më shumë sesa për krimet, është i foksuar tek emrat konkret, për të cilët dhe në debatin publik po përdoren kritere të dyfishta.

Madje kriteret janë të dyfishta, jo vetëm mes dy partive kryesore, por dhe brenda një partie. Fjala vjen, Lulzim Basha detyroi të dorëhiqet kandidati për kryetar bashkie i Këlcyrës, nën dyshimin se është i përfshirë në veprimtari të paligjshme, por nuk guxoi të tërhiqte Xhelal Mziun, që është ndërkohë i dënuar nga gjykata. Kjo tregon se ai ka listën e vet të njerëzve të prekshëm dhe të paprekshëm.

Edhe më e pështirë, beteja publike bëhet mes dy kampeve, kur përdoren kritere dyfishe për kauza që vërtetë mund të mos verifikohen.

Fjala vjen, ish badigardi i Sali Berishës, Izet Haxhia thotë se ka qenë dëshmitar kur Shkëlzeni, djali i Berishës, i ka marrë 30 milionë lireta një personi të quajtur “Miri i Xhikes”, i cili nuk jeton më dhe që ishte i klasifikuar si pjesë e një rrjeti të gjerë të trafikut të drogës në Shqipëri. E vërteta dhe për të tjerët që njohin Shkëlzenin, është se ai ishte shumë i lidhur me rrethin e tyre që i vogël, por kjo nuk konfirmon deomos dëshminë e Haxhisë. Tani del Berisha dhe hedh poshtë dëshminë, me pretendimin se Izet Haxhia është i kërkuar për një krim në Shqipëri dhe nuk mund të merret parasysh. Nga ana tjetër, po Berisha ka dy javë që flet para një ish-polic, me mbiemrin Zagani, sesi kushërinjë të Saimir Tahirit merren me drogë në Vlorë se ia ka thënë ky Zagani, i cili është i përgjuar dhe i arrestuar për favorizim të trafikut të drogës, por ka ikur jashtë vendit, duke u arratisur nga vendi ku vuante dënimin. Tani Berisha duhet të ketë të njëjtin kriter për vlerën e dëshmive, si për Izet Haxhinë dhe për Zaganin, pasi të dy janë në kërkim dhe të dy nuk janë para drejtësisë në Shqipëri. Nuk ka kuptim të bëjmë debat duke e konsideruar një person në kërkim burrë të mirë e tjetrin të keq, aq më tepër që arsyeja për Izet Haxhinë, që  është në kërkim është e ndryshme nga akuza që ai bën, kurse Zagani akuzohet për trafik droge, që është e njëjta akuzë që ai tenton të bëjë për disa kushërinjë të largët të ministrit.

Rasti i dytë flagrant është kundër Artur Bushit. Unë nuk e njoh këtë person dhe s’e kam takuar kurrë, por kam lexuar një shkrim profesional të BIRN rreth ndalimit të tij në Itali dhe kam dëgjuar dëshmitë e Taulant Ballës në Kuvend, që ka marrë informacion zyrtar nga pala italiane. Bëhet fjalë për një person që është arrestuar në një operacion, ku janë ndaluar rreth 60 shqiptarë dhe është konsideruar i pafajshëm nga vet Prokuroria, pa iu nënshtruar një procesi gjyqësor. Por opozita thotë se kjo mjafton që ai të quhet kriminel dhe të largohet nga politika. Nuk jam kundër. Nëse duam ta vëmë stekën këtu, e vëmë. Por nëse e vëmë stekën këtu, Fatmir Mediu, Kryetar i Partisë Republikane, aleati kryesor i Lulzim Bashës është ndaluar në Milano në vitin 1999 dhe Gjykata e Shkallës së parë e ka dënuar me katër vite burg dhe dënimin ia ka përsëritur dhe Gjykata e Apelit. Pastaj, pas ndërhyrjeve politike nga Shqipëria ai është falur në Tribunalin e Lirisë.  Tani ne nuk mund të mbajmë në politikë Fatmir Mediun me dy dënime të shkruara në Itali dhe këtij Artur Bushit t’i themi “ti ik, se të ka ndaluar policia në një operacion edhe pse s’të ka ngritur akuzë prokurori”. Jam dakord, që nëse stekën e vendosim tek Bushi, le ta vendosim, por duhet të iki dhe Fatmir Mediu për çështjen që ka në Itali, jo më për këtë që ka mbyllur me imunitet në Tiranë.

Pra debati po banalizohet për faktin se nuk po mbahen parasysh kritere për dekriminalizimin, por kihen parasysh vetëm emra. Nëse është puna për emra, atëherë bëjmë nga një listë me emra që duhen nxjerrë nga politika dhe i dënojmë për biografi si në kohë të komunizmit, por problemi është se jemi të dënuar të funksionojmë në një shtet ligjor, ku ndëshkimet duhet t’i japë ligji.

Unë mendoj se është me e lehtë se kaq të veprohet tani e tutje, nëse dy partitë kryesore kanë vullnet politik të mbajnë larg njerëzit problemtikë nga partia. Ndërsa sa i takon administratës publike dhe dënimeve të tyre, duhet të bëjmë një ligj të drejtë, ku të mos kemi parasysh kujt duhet t’i zëmë vendin e t’i bëjmë gjyq popullor, por ku duhet të vendosim stekën e spastrimit të politikës.

Unë nuk mendoj se Shkëlzen Berisha është i rrezikshëm si trafikant droge, edhe nëse ia ka marrë ato 30 milionë lireta Mirit të Xhikes, por është i rrezikshëm si filtër përzgjedhës i rrethit kriminal të babait të tij në pushtet dhe sekser i bizneseve që kanë lidhje me pushtetin e tij.

Në vitin 2007, ai u përball me rezistencën e ish-zëvendëskryeministrit Rusmajli, që nuk i hapte rrugë projektit të tij të Gërdecit me Delijorgjin dhe babai i tij e detyroi Rusmajlin të jepte dorëheqje, pas një inskenimi të policisë së tij, se vëllai i Rusmajlit paskësh thënë diku, që nëse del me të njëtat pikë në një tender ta ndihmonte dikush ta fitonte ai. Tenderi s’u bë kurrë, as ndonjë pazar s’u bë kurrë dhe mbi të gjitha ish-zëvendëskryeministri nuk kishte lidhje me këtë bisedë, por u detyrua të dorëhiqej. Me këtë standard të lartë që ai vendosi për dorëheqje, i binte që kur doli emri i Shkëlzenit në Gërdec, i Argitës tek Fazlliçi dhe tek pakistanezi, të jepte dorëheqje Berisha. Ai jo që nuk dha, por iu turr të gjithë prokurorëve e gjykatësve që tentuan të merren me këtë punë. Pra, ai nuk kishte betejë me standardet, por me personat që e pengonin të vidhte. Tani ka problem me personat që e pengojnë të rikthehet në pushtet dhe përgojon gjithkënd, duke përdorur kritere të dyfishta. Unë dhe në vitin 2007 isha dakord me standardin Rusmajli, pasi ai mund ta pastronte deri në qelizë pushtetin dhe të mbante larg korrupsionit, por ai nuk u përdor si standard, por si viktimë. Tani jemi përballë të njëjtit rrezik. Ose duhet të vendosim standarde, ose duhet të bëjmë lista ekzekutimi. Unë s’jam për standarde. T’i ngrejmë e t’i ulim sa duhet, por pa pasur parasysh emra. Ndryshe nuk është dekriminalizim, por gjueti shtrigash për llogari të kriminelëve të mëdhenjë në pushtet, që nuk i prek askush.

TEMA

SHKARKO APP