Gjysmëlista e kandidatëve të PS dhe 7 emra kureshtarë

 

Ben Blushi ka prodhuar edhe njëherë forcë fërkimi me kryeministrin Edi Rama pas shpalljes së listës, më saktë gjysmëlistës me kandidatë për kryetarë bashkish.

‘Një proces pa proces’ e ka quajtur deputeti disident, duke vazhduar linjën ironiko-rebele të përplasjes me shefin e partisë. ‘Nuk janë kandidatët e PS por të një njeriu’, pat deklaruar pak ditë më parë.

Përjashto Blushin, asnjë notë tjetër nuk është ngritur mbi vijën e shtrirë të ‘si’-ve në një parti dikur me shumë do-re-mi-fa-sol-la. Asnjë kundërshtim për gjysmëlistën, zero pakënaqësi publike. Të paktën në të nxehtin e ditës së parë të publikimit të saj. Edi Rama ka arritur pas një përpjekjeje që i ka marrë jo pak, ta ngjyrosë sipas shijes së tij kanavacën e Partisë Socialiste. Kryeneçët e fundit, një radhë ‘baronësh’ lokalë që drejtonin bashkitë e jugut, janë nënshtruar me kërcënime për ndjekje penale. Shpëtim Gjika në Vlorë dhe Flamur Bime në Gjirokastër janë dy prej tyre, ndërkohë që Artan Shkëmbi ‘ka hapur rrugë’ butësisht për t’i lënë vend kandidatit të LSI.

Ajo pak disidencë në PS ka mbetur e varfër te verbi i deputetit Ben Blushi. Mungesa e saj madje ka prodhuar arrogancën e një ‘vale të tretë’, përfaqësuar nga të rinj pa histori, as në partinë e majtë dhe as në jetën publike. Një ilustrim i kësaj është kreshpëruar dje në sytë e të gjithëve në një mbledhje të Komisionit parlamentar të Ligjeve, ku drejtoresha e Lojërave të Fatit ka luajtur ‘bad girl’ me deputetët. Pavarësisht kësaj tabloje të përmbysur ose pikërisht për shkak të saj, lista e kandidatëve të PS për bashkitë e vendit thërret për një përimtim. Te të paktën 7 emra.

Armando Subashi. Një deputet i mazhorancës preferon të kthehet në politikën lokale, dhe ky nuk do të jetë as i pari e as i fundit rast. Z. Subashi do të jetë vetëm një nga shenjat në rrugën tashmë dykalimëshe kuvend-pushtet lokal. Ndarja e re territoriale i ka kthyer bashkitë e reja në nirvana të pushtetit dhe financës. Kryebashkiakët e ardhshëm mund t’i shihni edhe si guvernatorë lokalë.

Qazim Sejdini. Kjo është hera e tretë e tij nëse fiton. Për arsye që merren me mend, z. Sejdini nuk ka hyrë në listën e zezë të Ramës, ku u futën kolegët e tij të Vlorës dhe Gjirokastrës. Herën e shkuar PD eksperimentoi përballë tij Durim Hushin e LSI, ndërsa këtë radhë ka futur në log Ardian Turkun, i cili ka një profil më të lartë se lokalja, dmth mbi Sejdinin.

Keti Bazhdari. Një grua e re, me të shkuarën e një familjeje të përndjekur në cv, në një qytet atipik si Shkodra, i cili e vesh mantelin e antikomunizmit me një krenari thuajse sadomazokiste, znj. Bazhdari është basti më interesant i këtyre zgjedhjeve. Ajo është një ofertë e mirë në shumë drejtime, aq shumë e tillë sa duket sikur është një ndjesë e Edi Ramës për Shkodrën.

Vangjush Dako. Fati i Vangjush Dakos duket se varet në fijen e hollë të vendimeve që do merren nga kundërshtarët e tij. Kë do të kandidojë PD për qytetin e Durrësit? Çfarë do të bëjë Agron Duka nëse nuk është ai kandidati i së djathtës? Sidoqoftë, Vangjush Dako është brenda enigmës së një keqkuptimi: si mundet që një qytet kryesisht i djathtë zgjedh si guvernator të vetin një të majtë?

Artur Bushi. Si në një skenar të parashkruar, shefi i opozitës, Basha ndodhej në Krujë gjatë kohës që shefi i mazhorancës shpallte si kandidat të së majtës për atë qytet, Artur Bushin. ‘Mister Kokaina’ e quajti Basha në takimin me krutanët. Duket se ky do të jetë vetëm fillimi i betejës verbale në një kontekst ku dekriminalizimi është kthyer në kryefjalë.

Rexh Biberaj. Kryetar i komunës Margegaj nën siglën e PD për tri mandate, Biberaj kaloi fillimisht me LSI pas zgjedhjeve në degët e PD. Dje është shfaqur në listën e PS. Kombinacionet mes të majtëve kanë vlerën e një përpjekjeje për ta thyer PD në shtëpinë e liderit të saj historik, Berishës.

I papërcaktuar. Dy bashki, ndër tridhjetë, janë shfaqur në listën e PS si të papërcaktuara. Më shumë se rëndësia e këtyre bashkive pas ‘papërcaktueshmërisë’ fshihet kureshtja për mundësinë që këto dy zona (apo të tjera) t’u jenë lënë aleatëve. Për shembull FRD së Bamir Topit.(mapo)

SHKARKO APP