Global Governance, një imperativ kategorik
Nga Arben Braçe
Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OEDC), deficitin e ekonomisë botërore, për shkak të Covid 19, e ka quajtur “Shok të pashëmbullt të kohërave moderne” dhe se ekonomitë më të mëdha botërore, priten të përballen me tkurrje të tjera ekonomike, si pasojë e rritjes së valës së pandemisë. Pasojat e tkurrjes do të jenë planetare dhe ekspertët sugerojnë humbje trilionë dollarëshe, shoqëruar me një rënie të konsiderushme të PBB-së, Globale.
Parashikimet e ekspertëve gjithashtu na informojnë se kriza e pandemisë nuk është më e madhe se kriza ndryshimeve klimaterike dhe dëmet që shkakton ndotja, por ajo që e bën shumë të rrezikshme këtë pandemi është indiferenca e plotë globale karshi shkaqeve dhe kushteve që e sollën këtë pandemi dhe masave parandaluese me qëllim që të mos jemi përsëri përballë një situate të tillë.
Para pak kohe, mediat ndërkombëtare njoftuan se, bota mund të përballet me një pandemi të dytë edhe më të rëndë se kjo që jemi duke kaluar aktualisht, një virus shumë herë më i rrezikshëm është përgatitur, por askush, asnjë autoritet, ose forcë në botë nuk është në gjëndje ta ndalë ose të marrë mundin të tregojë se nga mund na vijë ndonjë gjë e tillë. Edhe sikur nga jashtëplanetarët të na vijë, duhet të mobilizoheshim dhe të kishim strategji të përbashkët për ta përballuar. Shoqëria njerëzore për fat të keq, gjëndet në një indiferencë letargjike dhe është e angazhuar vetëm për mbulimin e pasojës, duke punuar me anë të vaksinës, ndërsa për shkakun, nuk ka ndërtuar instrumenta, që një gjë e tillë të mos përsëritet! Mund të jetojmë në një botë që kërcënohet nga pandemia çdo herë? Mund të funksionojë një ekonomi botërore nën kërcënimin permanent të covidëve fluidë, që masakrojnë vitalitetin social dhe pasurojnë ethshëm vetëm disa kompani botërore farmaceutike, që janë gati të shuajnë botën, për të rritur fitimet e tyre…?!
Amerika e Donald Trump nuk arriti të formonte lidershipin ndërkombëtar për të stigmatizuar origjinën e virusit dhe instrumentat ligjore antiarmëbakteriale, por përkundrazi me teorinë e Trump “Amerika e para” u injorua virusi si kërcënim serioz dhe Amerika sot është e para për nga numri i të infektuarëve dhe të viktimave.
Natyrisht, qeverisë së Joe Biden, i takon që të ringjallë shpresën për vendosjen e lidershipit dhe për një solidarizim global për përballimin e pasojave, por dhe të asaj që është më e rëndësishme, luftës që një diçka e tillë të mos përsëritet dhe bota të mos qëndrojë në ankthin e kërcënimeve të “armëve virus” të cilat nxisin nacionalizmat kombëtarë dhe përçajnë solidaritetin njerëzor. Ato krijojnë kushte të përshtatshme për formimin e shteteve autoritare që kontrollojnë shoqërinë, lindjen e totalitarizmave dhe populizmave të cilat i kemi akoma mbi shpinë dhe shkatërrojnë demokracinë liberale të ndërtuara me shumë vështirësi. Viktor Orban dhe Lukashenko, sikurse shumë pushtetarë me prirje diktatoriale nga ana tjetër po e përdorin krizën për t’i mbyllur gojën opozitës, ndërsa autoritet e Bashkimit Europian akoma vazhdojnë ti shikojnë me përkëdheli dhe joshin ndjenjat e tyre drejt izocializmit nacionalist kundër solidaritetit global.
BE, akoma nuk është në gjëndje, sikur që në fillim të kohës së pandemisë, që të demostrojë solidaritet global në luftën kundër pandemisë dhe të nxisë europianët në një të ardhme të përbashkët, por përkundrazi gjëndet e mpirë dhe gjithsecili shtet, po gjen rrugën e shpëtimit me mjetet e tij, duke gjetur rrugën e mbylljes së kufijve jo vetëm midis virusit dhe njeriut, por edhe midis shteteve.
Bota fatalisht po pret shpëtimin tek vaksinat, që janë prodhuar tashmë nga shumë kompani, pa marrë në konsideratë faktin, që shpëtimi i plotë asnjëherë nuk do vijë nga asnjë lloj vaksine antiCovid 19, sepse një virus tjetër edhe më shumë i rrezikshm, mund të qarkullojë përsëri dhe bota do të vijë rrotull luftës kundërviruseve në një cirkul të pafund dhe të pashpresë.
Aktualisht, që edhe në këtë krizë të paprecedentë është Amerika ajo që duhet të afrojë lidership sikurse ajo ka afruar në dy luftërat botërore dhe në të gjithë periudhën mbas tyre, por pandemia e Corona-virusit e gjeti botën palidership, në një vakum politik, i cili u mbush me anarki politike dhe tashmë luftojmë me pasojën, pa marrë kurajën civile dhe forcën të përballemi me shkakun dhe me mënyrën dhe instrumentet e zgjidhjes reciprokisht.
Globalizimi i skajshëm i ekonomisë, nuk është një tren që mund të ndalet me inercinë që ka marrë, pavarësisht asaj që dëgjojmë nga shumë studjues bashkëkohorë të cilët kanë rekomanduar edhe mundësinë e lindjes së komunizmave dhe totalitarizmave të rinj në kushtet që kalojmë. Padyshim, ajo që mungon në të gjithë këtë sipërmarrje, është mungesa e një qeverisje globale, ose sikundër është kërkuar edhe më parë nga shtete potencialë, një qeverisje globale, Global governance.
Për këtë, bota duhet të mbështetet tek organizmat e fuqishme shumëpalëshe, tek OKB-ja, BE, G20, Organizata Botërore e Shëndetit, sepse monopoli ndërkombëtar global i pushtetit është i nevojshëm, është një instancë në drejtim të së cilës rritet autoriteti, për të dhënë në formë detyruese, se ku mund dhe duhet të përdoret dhunë legjitime.
Aktualisht Global governace nuk është Global government, por do të thotë së pari që Kombet e Bashkuara duhet të fuqizohen e të marrin përsipër detyra të reja edhe atje ku dogma neoliberale beson vetëm tek tregu. Pjesë përbërëse e Global governance natyrisht do të jenë standartet e përbashkëta për mbrojtjen e mjedisit dhe kërkesat minimale sociale, të cilat prej kohësh vinin duke u shkatërruar për shkak të drejtimit të botës vetëm nga tregu i lëshuar nga frerët, duke mos i lënë vendin e duhur politikës.
Edhe Covid 19 është një produkt i pastër i politikës neoliberale i tregut të lëshuar nga frerët, së cilës, pandemia që po kalojmë, po tregon se i ka ardhur fundi. Prej kohësh dilemat ishin shfaqur duke e quajtur fundin e tregut edhe fundin e demokracisë, por sikurse është përherë zakon pa qënë para katastrofave dhe fatkeqësive të mëdha humane, njerzit nuk ulen të marrin vendime për të ardhmen e tyre.
Politika neoliberale dhe filozofia e saj për fitim maksimal me çdo kusht nuk kursen asnjë jetë njerëzore, për të mbushur etshëm xhepat duke e çuar botën në katastrofë. Ata që po fitojnë më shumë, se çdo kush tjetër në botë sot, janë kompanitë e fuqishme farmaceutike, të cilat gëlltitin një mbivlerë të paimagjinueshme që ha jetë njerëzore. Një fitim antihuman dhe tërësisht i papërshtashëm në kushtet e postmodernizmit, kohë e cila duhet të përcaktonte vetëm fitim nëpërmjet një tregu me kushte të mirëpërcaktuara mjedisore, por edhe sociale. Koha që po kalojmë, më mirë se kushdo tjetër, po na e vërteton një gjë të tillë. Prandaj, sa nuk është akoma vonë edhe Shqipëria si një vend anëtar i OKB-së, për më tepër që në çdo dhjetor ka mbledhje plenare, e ka të drejtën të propozojë një Global governace, si një imperativ kategorik.