“Goditja” e parë e Tsipras ndaj BE

Qeverinë e re sapo e shpalli, por ende nuk ka marrë votëbesimin e parlamentit.

Portali EUobserver shkruan se megjithatë Alexis Tsipras e hodhi bombën që në ditën e parë si Kryeministër.

Ky portal njofton se Kryeministri grek i ka telefonuar shefes për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, Federika Mogerini për t’i shprehur pakënaqësinë për një deklaratë të përbashkët të vendeve anëtare të unionit në drejtim të Rusisë.

Në deklaratë, 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian ngarkojnë me përgjegjësi Rusinë për sulmin me predha të ndërmarrë nga rebelët ukrainas në qytetin Mariupol, ku humbën jetën pak ditë më parë 30 persona.

Sipas një diplomati europian që citohet nga EUobserver, qeveria greke i ka dërguar një komunikatë Bashkimit Europian, ku thotë se deklarata e përbashkët është lëshuar pa marrë pëlqimin e vendeve anëtare dhe veçanërisht atë të Greqisë.

Në këtë kontekst, në komunikatën e qeverisë greke theksohet se Greqia nuk e jep pëlqimin për të.

EUobserver citon të tjera burime, që thonë se të hënën, menjëherë pas mandatimit, Tsipras është takuar me Ambasadorin rus në Athinë. Takimi ka qenë konform protokollit, por hidhen gjithashtu dyshime se në thelb ka qenë orjentimi i ri pro – rus i diplomacisë greke.

Gjatë ditës, Alexis Tsipras shpalli kabinetin e ri qeveritar me vetëm 11 ministra nga 19 që ishin më parë. Në përbërje të tij do të jenë figura të njohura politike të SYRIZA-s, akademikë si dhe 5 përfaqësues nga Grekët e Pavarur të Panos Kamenos, i cili do të mbajë portofolin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministria më e diskutueshme, ajo e Financave do të drejtohet nga Janis Varufakis, ndërsa ajo e Jashtme nga Nikos Koxias. Po ashtu, një sërë ligjesh të reja me konsensusin e të dy partive janë gati për t’u paraqitur në parlamentin e ri, mes të cilave është rritja e rrogës minimale; ndryshime në sistemin e taksave; për administratën publike, etj.

SHKARKO APP