Gratë e Ballshit janë simboli qasjes ndaj së ardhmes
Nga Ndriçim Kulla –
Një ndjesi pafuqie më përshkroi të tërin dhe një vello e trashë trishtimi ma pllakosi fytyrën, kur pashë gratë e Ballshit të futeshin në grevë urie, në mbështetje të vëllezërve, burrave e prindërve të tyre që kanë një kohë të gjatë që protestojnë. Ndoshta është hera e parë në Shqipëri që gratë përfshihen në një përmasë të tillë në një grevë, aq më që dimensioni i këtij akti madhohet frikshëm, kur mendja të shkon tek ato aktet sublime të grave në historinë e njerëzimit, siç mund të jetë p.sh rasti i grevës së grave të Çikagos, që i dha emrin edhe festës së grave, më 8 Mars. Dëgjoj prej kohësh debatin mbi përkatësinë e ndërmarrjes, është privatë apo shtetërore, bashkë me detajet ligjore dhe kleçkat e stisura të pushtetarëve të ndryshëm të çdo ane, të gazetarëve llafazanë e drejtuesve të papërgjegjshëm. Nëse do të donim ta trajtonim korrekt problemin, duhet ta shohim në një pikëpamje vizioni të gjerë, social, historik, jo të pëqëndëruar në detaje apo pjese-pjesë që humbet gjithë tërësinë e çështjes. Pra, zgjidhja është e llojit të ashtuquajtur “big picture”, që në këtë rast kthehet në një simbol të qasjes së shtetit ndaj së ardhmes së qytetarëve të tij. E kjo për disa arsye. Së pari, kombinati i Ballshit, ishte një ndërrmarje gjigande dikur, e më vonë në demokraci, një simbol i punësimit dhe ruajtjes së tij përgjatë viteve falë punës dhe djersës së punëtorëve të palodhur të kësaj ndërmarrje. Në një këndvështrim të tillë, zgjidhja që duhet t’i jepet këtij rasti duhet të konsiderohet edhe si zgjidhje që do të bëhet precedent për mjaft trajtesa të këtij lloji apo të ngjashme me të, në të gjitha vatrat e mëdha të punësimit shqiptar në të ardhmen. Për të qenë korrekt, edhe kombinati i Ballshit ka një model të vjetër trajtimi tek kombinati i armëve Poliçan, i cili në vitin 1993, pas një greve të gjatë të punëtorëve të vet, në kohën kur sapo ishin ndërruar pushtetet, arriti ta gjente zgjidhjen duke u lidhur pension special të gjithë punonjësve të kombinatit.
Së dyti, fenomeni i Ballshit, që në pikënisjen e vet si Albetrol, është një simbol i copëtimit arbitrar, për të mos i dhënë një ngjyrim negativ, një trupi të shëndetshëm ndërmarrjeje që kërkonte vetëm një reformim për t’u bërë rentabël, sipas kushteve të tregut të lirë, dhe jo një prerje dhe shkëputje të gjymtyrëve të saj në tre pjesë, nxjerrje, përpunim dhe shpim shfrytëzim. Është kjo ndarje që solli shkatërimin e dalngadaltë të secilës prej pjesëve, por edhe të tërësisë së tij si kombinat, nëse do të merrnim parasysh edhe fuqinë e saj reklamuese që përbënte një sistem të tërë dhe të mirëshpërndarë pikash dhe depozitash karburanti në të gjithë Shqipërinë. Përvec degradimit si gjymtyrë së cilës i kanë privuar furnizimin me gjak, dhe sot, si ka mundësi që ky kombinat qëndron kolateral i disa bankave? Dikur ai arrinte të furnizonte rreth 60% të tregut shqiptar, kurse sot jep një kontribut jo të vogël në mbulimin e këtij tregu, me rreth 40 % të tij. Pra, edhe nga pikëpamja ekonomike ai nuk është për t’u mbyllur e për t’u lënë në falimentim, por përkundrazi do një administrator të ndershëm dhe patriot, që ta nxjerrë nga vargonjtë e një tregu të pabarabartë, që i janë varur padrejtësisht mbi qafë.
Së treti, si është e mundur që kësaj shoqërie, në një mënyrë konstante në vite të tëra, nuk i janë vjelë taksat dhe sigurimet shoqërore, në një kohë kur njësisë më të papërfillshme ekonomike të një biznesi të vogël ose ambulant i bëhet nami kur gjendet pa paguar edhe një kupon i vogël financiar? Si mund të heshtë shteti për një gjigand të tillë, nga pikëpamja e detyrimeve ekonomike, kur sot atij i nevojitet t’ia kthejnë borxhin një më një për të paguar detyrimet e parapambetura të pagave të punonjësve? Asnjë qeveri s’mund të qëndrojë në heshje për këtë borxh ta pambledhur, jo vetëm që ky kombinat s’është tërësisht privat, por i përket shtetit me 15% si aksioner.
Atëherë si mund të mos i kërkohet që pikërisht shteti të jetë rregullatori i gjetjes së zgjidhjes në rishikimin apo ristrukturimin e balancës midis vlerës së kolateralit dhe vlerës së borxhit që ndërmarrja në pronësi ka për të paguar në vite? Si mundet që një simbol gjigand i punësimit të përlyhet nga lojrat e fallxhorëvë të kolateralëve
Si është e mundur që statusi i posaçëm i naftëtarit, që sapo është miratuar, të mos gërshetohet me sensibilitetin e gjendjes dhe përpjekjen shëmbullore të gjithë atyre grave greviste, dikur gra naftëtare që e mbajtën për plot 25 vjet në supe mbarëvajtjen e kësaj ndërrmarrje bashkë me burrat dhe vëllezërit e tyre, e të mos u akordojë atyre një zgjidhje nëpërmjet një dekreti
të posaçëm, që t’ua njohë kontributin dhe vlerat e t’u japë një pension special për to? Kjo do të sillte njëkohësisht edhe reduktimin e numrit të punonjësve e do të hidhte një hap vendimtar në kryerjen e reformës aq të domosdoshme për rimëkëmbjen e tij.
Për të gjitha këto arsye, në rastin e kësaj ndërrmarrje simbol ose një ndërmarje strategjike të llojit të parë për tregun tonë, siç është tregu ynë i naftës, nuk mund të mos përshihet si pjesë vendimtare e zgjidhjes edhe Bashkia përkatëse. Pasi qasja duhet të jetë e llojit të politikës së të ardhmes, që ta trajtojë çështjen në totalitet, në histori, në socialitetin dhe në të gjithë komponentët e vet, për ta trajtuar ARMO-n si një trup të tërë, me të gjithë gjymtyrët e vet, që patjetër nëpërmjet reformimit të nevojshëm të tregut, të rifitojë vlerën e dikurshme. Për hartimin e rrugëzgjidhjeve, këshilluesit e djeshëm dhe të sotëm të këtij copëtimi duhet jo vetëm të shlyejnë borxhin ekonomiko-moral që kanë shkaktuar, por edhe të eliminojnë kleçkat që gjetën për degradimin deri në këtë masë të një gjigandi. Po njëlloj, Ministrja e Energjitikës duhet të reflektojë duke mbledhur pranë vetes një grup special këshilluesish, të përbërë nga zanatçinj e teknikë të mirëfilltë, njohës të mirë e të ndershëm të kësaj historie ekonomike siç është ARMO, që kanë punuar për vite me rra dhë në vorbullën e vështirësive dhe sprovave të saj, njerëz që ashtu siç i kanë të shumta flokët e bardha, ashtu e kanë të shumtë edhe urtësinë. Vetëm nëse të gjitha këto rrëke këshillash, do të arrijnë të bashkohen në një det të sigurtë alteërnative, zgjidhja do të mund të jetë jo vetëm e pranueshme, por edhe largpamëse dhe model për të ardhmen. Ka ardhur rasti i duhur. Gratë e Ballshit, si simbol i lëvizjes punëtore në Shqipëri, e meritojnë një trajtim të tillë shembullor.