Greqia bën nuk më euro! Europa i shkurton litarin Kryeministrit
Athina përplaset me Brukselin, madje më shpejt se e priste kryeqendra e Europës. Tani duhet të zhvillohen shpejt strategji kundër këtij zhvillimi, para se Tsipras të fusë në valle të gjithë Europën.
Ditë me radhë Brukseli vriste mendjen, se si duhej të hynte në bisedime me qeverinë e re. Përgjigja nga Athina tani: Nuk ka bisedime! Ministri i Financave, Yanis Varoufakis nuk do të bisedojë më me trojkën e Bashkimit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Njësoj sikur dikush të mos dojë më të bisedojë me bankën, që i ka dhënë një kredi të madhe. Kjo sepse ai beson se bankat, sistemi financiar ndërkombëtar dhe e gjithë ekonomia globale janë një poshtërsi. Sigurisht askush nuk mund të ndalet të mos e besojë këtë, por duhet të dijë: Në xhirollogari nuk rrjedh më para.
Kush nuk bisedon me kreditorët e vet falimenton
Trojka e tre kreditorëve vendos për pagesa të ardhshme. Dhe ajo nuk ka rrugë tjetër veçse të bllokojë 7 miliardë eurot në fund të shkurtit, të cilat duhet të derdheshin si pjesë e paketës së fundit të ndihmës. Athina në inat e sipër thotë, se as nuk ka nevojë për to. Ndërkohë në shkurt dhe mars duhet të jenë gati 11 miliardë euro që Greqia duhet të paguajë për rifinancimin, normat e interesit etj. Nuk do më ky vend të zbatojë detyrimet e tij? Nëse Athina dëbon trojkën, Banka Qendrore Europiane nuk mund t'i funrnizojë më bankat greke me para. Pra as bankomatët nuk nxjerrin më para. Alexis Tsipras është tallur më parë me këtë, duke thënë se ai nuk do ta fusë vendin e tij në kaos. Por zgjimi i dhimbshëm për qytetarët grekë mund të vijë më shpejt se mendohet.
Me këtë trupë të re qeveritare në Athinë mund të qeshësh, po qe se qëllimi i deklaruar i Tsipras dhe të tjerëve nuk do të ishte të fusë në këtë vorbull të gjithë Bashkimin Europian. Planet e udhëtimit të krerëve të rinj flasin vetë: Londra, Roma dhe Parisi -janë në listë, sepse aty shpresohet për mbështetje. Tsipras e mënjanon Berlinin. Gjermania është një vend ndër të tjerët, thotë ai. Edhe ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble e ka shprehur qëndrimin e tij: Ne nuk i detyrojmë grekët të marrin para. Po qe se nuk duan të flasin me ne, atëherë të mos flasin.
Tsipras kërkon të përçajë BE-në
Tsipras po përpiqet tani të bashkojë italianët dhe francezët kundër Berlinit. Krahas kësaj ai kërkon ndihmë edhe në Londër, ku sundon mendimi, se Gjermania duhet të derdhë para në eurozonë për të stimuluar rritjen ekonomike. Por britanikët nuk janë përgjegjës për këto borxhe, prandaj më mirë të mos merren me këtë temë. Edhe në Romë dhe Paris parimisht ekziston mendimi se BE duhet të shpenzojë më shumë para dhe gjërat rregullohen. Aty me dëshirë do të zbutej edhe më tej pakti i stabilitetit. Por si italianët edhe francezët janë kundër një faljeje të një pjese të borxhit. Sepse jo vetëm Gjermania duhej të përgjigjej për 50 deri 60 miliardë euro, por edhe italianët e francezët e humbasin pjesën e tyre.
Se çfarë do qeveria e re në Athinë dihet – një konferencë borxhesh ku Greqia të lirohet nga një pjesë e madhe e borxheve si Gjermania pas Luftës së II Botërore. Por situata nuk krahasohet nga ana historike. Ju miq dhe shokë në Greqi nuk jeni viktima të tërmeteve, luftës qytetrae apo stuhive, por të elitave tuaja korrupte dhe kleptokratike. Askush nuk është fajtor, ju vetë! Bankat ju dhanë para me mendjelehtësi! Kjo është e vërtetë! Por askush nuk ju detyroi t'i merrni ato dhe t'i shtrini këmbët më shumë se jorganin. Mos e bëni më këtë rol viktime që nuk shkon!
Qeveria greke mund të luajë lojën e saj me BE. Do të shihet se ku do të shkojë. Fondi Monetar Ndërkombëtar në Uashington nuk impresionohet nga delirantë si Alexis Tsipras dhe kërkesat e tij pa bazë. Të shohim si do shkojnë bisedat me kreun e FMN-së, Christine Lagarde.
"Grexit" si një mundësi
Në fund mund të besohet se paturpësia fiton. Mund të jesh edhe i dehur nga pushteti i ri dhe t'i fusësh duart në xhepa kur sapo ndahesh me një koleg europian. Por nuk mund të fyesh pa ndërprerje personat me të cilët je në një tavolinë negociatash edhe sikur të jesh aty për të biseduar për falimentimin e Greqisë apo daljen nga eurozona. Angela Merkel nuk ka pse të lejojë të krahasohet me Hitlerin, dhe Wolfgang Schäuble nuk ka të bëjë aspak me rajhun e katërt.
Tsipras dhe njerëzit e tij zëvendësojnë arsyen e sensin e realitetit me paturpësi dhe stil të pasjellshëm. BE duhet të mendojë shumë shpejt se si duhet të veprojnë mekanizamat për të mundësuar një "grexit", para se e gjithë Europa të futet në valle. Thuhet se udhëtarët nuk duhen ndalur, e aq më pak kur ke të bësh me udhëtarë të tillë.