Greqia ka edhe fqinjë përreth…
Greqia duhet të "tregojë ndershmëri e të kërkojë falje për fyerjet", kërkoi kryeministri bullgar, Borissov në një debat parlamentar. Përse kjo kërkesë e si reagojnë vendet fqinje ndaj krizës greke?
Fqinjët e Greqisë? Duhet të interesohemi vërtet për ta? Po, duhet. Sepse ata nuk janë më pak të rëndësishëm se Greqia dhe se e ardhmja e Greqisë nuk varet vetëm nga miliardat në euro, por edhe nga marrëdhëniet bilaterale me fqinjët dhe bashkëpunimin e mirë rajonal. Por jo pak kjo e ardhme varet edhe nga atmosfera në një rajon, ku prej më shumë se një shekulli e gjysmë klimën e kanë sunduar grindjet, mosbesimi dhe lëvizjet e koalicioneve me të pushtetshmit. Kujtojmë Luftërat Ballkanike, shkëmbimin e popullsive, ndarjen e Qipros – deri tek grindja për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Arrogancë dhe injorancë?
Javët e fundit politikanëve të stresuar të Syrizas u kanë shpëtuar disa herë deklarata politike jo korrekte në lidhje me fqinjët e Greqisë. Njëherë u fol për rrezikun e "bullgarizimit të Greqisë", më pas u bë fjalë se nuk mund të besohet që Rumania dhe Bullgaria të mbeten pjesë e BE-së ndërkohë që Greqia del jashtë jashtë, një herë tjetër u përdor si gogoli niveli i pensioneve në Ballkan për të trembur grekët. Edhe në raundet e bisedimeve në Bruksel janë dëgjuar shprehje të tilla. Krahasime të tillë fqinjët e Greqisë nuk i dëgjojnë me dëshirë. Ato perceptohen si një përzierje e keqe e injorancës dhe arrogancës. Ndoshta vërtet politikanët e stresuar të Syrizas nuk kanë menduar ashtu si janë shprehur, por nga ana tjetër ata shprehin mesatarisht vetëm atë që mendon një grek. Pra: Shtetet e varfra të Ballkanit meritojnë për një arsye apo tjetër më pak respekt, më pak vëmendje dhe mirëqenia se sa grekët. Por që këto paragjykime nacionaliste mbështeten nga një qeveri e majtë në Athinë, edhe pse pa vetëdije, ky është një skandal më vete.
Fqinjët janë të solidarizuar
Sigurisht ka shumë grekë dhe politikanë të Syrizas që nuk i ndajnë këto paragjykime. Po ashtu edhe jo të gjithë fqinjët janë të zemëruar për këtë me grekët. Përkundrazi. Në këto vende eksziton një solidaritet i madh me grekët, megjithëse ai ka një shije të papëlqyer antieuropiane. Në forumet e internetit lexohen refrene si: Fajin për këtë gjendje e ka burokracia e BE-së dhe bankat, grekët nuk kanë faj, ata që vuajnë janë gjithmonë të vegjlit. Rajoni ka qenë shpesh viktimë e luftërave për pushtet mes "Të Mëdhenjve" dhe kujtesa historike i transferon përvojat e dikurshme të dhimbshme në ditët e sotme. Ky transferim i rrezikshëm mund ta dëmtojë për fat të keq imazhin e BE-së në këto vende, një BE që përpiqet pikërisht për stabilitet në këto vende.
Pak gëzim i lig …
Jo më pak i rrezikshëm është një qëndrim tjetër ndaj Greqisë, po ashtu i përhapur në rajon. Një përzierje e zemërimit me gëzimin e ligë. Zemërim, sepse shumë pensionistë rumunë apo bullgarë nuk duan ta pranojnë, se pse pensionistët grekë me çmime të krahasueshme si në këto vende i shohin pensionet e tyre shumë më të larta si të shenjta. Edhe sepse për vite me radhë njerëzit në këto vende duhej të duronin masa më të ashpra kursimi se sa ato që kërkojnë kreditorët sot nga Greqia, në një kohë kur Sofja dhe Bukureshti duhet të japin kontributin e vet për kreditë e përkohshme të BE-së për Athinën. Gëzimi i ligë rrjedh nga një ndjesi e trajtimit të pabarabartë, por edhe nga përvoja historike. Sipas kësaj, kanë qenë "bizantinët" ata që gjithmonë ua kanë hedhur fqinjëve me dredhi dhe zgjuarsi.
Fqinjët e mirë duhen gjithmonë: Sidomos në kohë krize
Diskutimet për krizën greke në opinionin publik të vendeve fqinje nuk mund të përgjithësohen. Por ka qëndrime pragmatike, që tingëllojnë gati njësoj, që nga Kroacia deri në Rumani. Shqetësimi për marrëdhëniet bilaterale, për projektet e përbashkëta energjitike dhe sistemin bankar përtej kufijve, ku bankat greke luajnë një rol të rëndësishëm. Apo shqetësimet se si do të ndikojë kriza greke në degën e turizmit dhe mundësive për punë sezonale për shumë vetë në Greqi. Këto shqetësime janë të drejta, dhe ato janë në të vërtetë rruga e duhur për të kapërcyer paragjykimet historike. Edhe për Greqinë janë më të rëndësishëm se kurrë më parë fqinjë me qëllim të mirë e që janë të gatshëm të ndihmojnë. Këtu duhet t'u shkojë mendja më shpesh politikanëve të Athinës dhe qytetarëve grekë.