Greqia kërkon reparacione

Greqia i ka borxh Gjermanisë miliarda euro. Apo anasjelltas? Edhe 70 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, Athina dhe Berlini debatojnë për shpenzimet e kohës së pushtimit gjerman të Luftës së Dytë Botërore.

Pas sulmit kundër Greqisë, në maj 1941 mbi Akropol-in në Athinë valon flamuri me kryq të thyer. Deri në maj 1944 Wehrmacht-i e mban të pushtuar vendin. Në këtë periudhë, Gjermania naziste vret e plaçkit në të gjithë Gadishullin e Ballkanit. Dëmet ekonomike të luftës dhe pushtimit shkaktojnë debat deri sot.

Sepse Greqia e ndien veten të diskriminuar në negociatat ndërkombëtare për reparacionet pas fundit të diktaturës naziste. Kryeministri i ri i Greqisë, Alexis Tsipras ngul këmbë që një çështje e tillë të diskutohet dhe mendon se Greqia duhet të marrë ende disa miliarda euro si dëmshpërblim.

Swiss Digital Desktop Reklama

Hua e detyruar e regjimit të pushtimit

Swiss Digital Mobile Reklama

Nga njëra anë bëhet fjalë për dëme direkte të luftës, për shembull përmes plaçkitjeve, vrasjes dhe shkatërrimit. Viktimave të krimeve naziste në Greqi, Republika Federale u pagoi 115 milionë marka gjermane- në bazë të një marrëveshjeje të vitit 1960 kjo do të mbulonte të gjitha kërkesat për dëmshpërblim individual.

Në qendër të diskutimit megjithatë është edhe një hua e detyruar shtetërore. Rajhu Gjerman e detyroi Bankën Qendrore Greke në vitin 1942 që të japë një hua pa interesa në shumën 476 milionë marka të Rajhut. Me këto para nazistët financuan zyrtarisht "shpenzimet e pushtimit" në Greqi. Këto para nuk u kthyen. Një komision grek ekspertësh është i mendimit se prandaj Gjermania i ka borxh Greqisë rreth 11 miliardë euro.

Paqe pa marrëveshje

Por qeveria gjermane mendon se çështja e pagesave të reparacioneve ka marrë përgjigje përfundimtare. Një konferencë e parë për këtë u zhvillua më 1945 në Paris. Grekëve iu dha një pjesë në përqindje nga shuma e reparacioneve gjermane për Luftën e Dytë Botërore. Greqia mori përfitime në natyrë, që kapin vlerën e sotme prej dy miliardë dollarësh.

Në konferencën e borxheve të Londrës të vitit 1953, fuqitë perëndimore e spostuan rregullimin e kërkesave për reparacione të tjera deri në lidhjen e një marrëveshjeje paqeje. Veç kësaj ata bënë një falje borxhesh për Gjermaninë. Por një marrëveshje zyrtare paqeje midis Gjermanisë dhe Fuqive Fituese nuk u nënshkrua kurrë. Në vend të kësaj, në vitin 1990 hyri në fuqi e ashtuquajtura "Marrëveshje-dy-plus-katër" për bashkimin e Gjermanisë, e cila u pranua edhe nga Greqia dhe e cila nuk parashikon pagesa reparacionesh të tjera.

Borxhe të reja, forcë e re shpërthyese

Tema e reparacioneve ka fituar forcë shpërthyese që prej shpërthimit të krizës së borxheve në Greqi. Në vitin 2010 Athinës iu desh t'i kërkojë ndihmë BE, për të shmangur falimentimin e shtetit. Edhe Gjermania i ka dhënë që atëherë hua Greqisë rreth 65 miliardë euro.

Kryeministri i Greqisë, Tsipras ka ngulur herë pas here këmbë që kur ishte në opozitë që në këto borxhe të llogariten edhe pagesat e reparacioneve të Greqisë. Disa juristëve në Greqi ky model u duket i përshtatshëm. Kjo në një kohë kur ata llogarisin para së gjithash kthimin e huasë së detyruar nga koha e pushtimit — negociata të reja 70 vjet pas fundit të luftës shumica e ekspertëve i konsiderojnë të përjashtuara.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?