Greqia në udhëkryq

 

Një dakordim i shpejtë i qeverisë greke me donatorët ndërkombëtarë nuk duket gjëkundi. Por në Greqi, shumë vetë duket se nuk janë të ndërgjegjshëm për seriozitetin e situatës.

Ministri grek i Financave ia doli të enjten sërish të dilte në faqet e para të gazetave greke. Paralajmërimi i tij i shprehur publikisht, që deri në fund të qershorit Athina duhet të ketë paraqitur një zgjidhje në konflikt me kredidhënësit, tërheq vëmendjen, por interpretohet në mënyra të ndryshme. Disa supozojnë një ultimatum për qëndrimin apo përjashtimin e Greqisë nga Eurozona, të tjerët besojnë se është shenjë e mirë, që ministri gjerman i Financave lë kohë për negociata dhe përmend 30 qershorin si afat të fundit.

Tek pesimistët bën pjesë Angelos Tsakanikas, kryekonomist i Institutit Ekonomik të Athinës, IOBE. "Një dakordim me kredidhënësit do të nevojitej urgjentisht, sepse pasiguria e sotme është helm për ekonominë", paralajmëron ai në një bisedë me DW. Që javën e kaluar Instituti i tij paralajmëroi për "pasoja dramatike" për rastin e një daljeje të Greqisë nga Eurozona. Greqia ka detyrime të mëdha në pagesa në muajt korrik dhe gusht dhe me gjasa nuk mund t'i përballojë pagesat vetë.

Panayotis Petrakis, profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës sheh nga ana tjetër edhe shenja pozitive. "Të paktën Banka Qendrore Evropiane i ka rritur kreditë e emergjencës për bankat greke. Pozitiv është veç kësaj pohimi i ministrit gjerman të Financave se një zgjidhje është e mundur të gjendet deri në 30 qershor." Nga ana tjetër, ai thotë se aftësia paguese e shtetit grek është kufizuar dukshëm. Sigurimet sociale dhe institucione të tjera shtetërore i kanë depozituar investimet e tyre në Bankën Qendrore Greke dhe kjo sjell një lehtësim, por në plan afatmesëm e rrit malin publik të borxheve.

Varoufakis nuk do që të "komprementohet"

Në kuadër të takimit të pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (IWF) në Uashington, ministri grek i Financave Yanis Varoufakis u shpreh me dy kuptime për gjendjen aktuale të negociatave me donatorët: "ne do të bëjmë kompromise, që të arrijmë një zgjidhje të shpejtë, por nuk do të kompromentohemi", deklaroi Varoufakis. Edhe në Athinë me sa duket askush nuk beson më se do të ketë një dakordim deri në mbledhjen e ardhshme të eurogrupit, në 24 prill në Rigë. Një shtyrje të pagesave për Greqinë, shefja e FMN, Christine Lagarde e kundërshton.

Optimizëm sjell numri në rritje i turistëve: në dy muajt e parë të vitit, autoriteti grek i transportit ajror shënoi një rritje me 20 përqind të pasagjerëve. Turizmi përfiton shumë nga rënia e vlerës së euros. Për ekonomistin Angelos Tsakanikas ky megjithatë nuk është shkak për t'u qetësuar. "Kur vizitorët tanë pyesin nëse ka mjaftueshëm para në bankomatët tanë, kjo nuk është bazë e mirë për biznesin e turizmit", thotë ai.

Tsakanikas çuditet që shumë njerëz në Greqi nuk e kuptojnë sa serioze është gjendja. "Me sa duket njerëzit mendojnë: po nuk patëm masa të reja kursimi, rreziku ka kaluar. Po ai që ka kontakte me botën e jashtme e kupton çfarë është në diskutim." Sipas medieve greke, deputetë të caktuar në opozitë po diskutojnë për një front të përbashkët proevropian, për ta penguar një Grexit eventual. Udhëheqësi konservator i opozitës, Antonis Samaras do të propozojë për këtë synim eventualisht edhe një takim të të gjithë kryetarëve të partive te Presidenti i Greqisë, bën të ditur stacioni televiziv grek Skai.

DW

SHKARKO APP