Greqia, një aleat i “papritur”

 

Nga Lorenc Vangjeli*

Greqia zgjedh shqiptarët në Ballkan

Sherri në Maqedoninë fqinje solli në skenë një aleat të papritur për shqiptarët. Sipas parimit armiku i armikut tim është miku im, Greqia zyrtare po jep sinjale të forta kundër shtetit që ajo refuzon ta quajë ndryshe përveçse me inicialet FYROM. Ajo e quan atë fajtore për destabilitetin e krijuar dhe në themel të tij gjen moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Pak a shumë atë që mendojnë dhe shqiptarët.

Në Ballkan është e pamundur të kuptosh se ku nisin miqësitë e stinës dhe ku përfundojnë armiqësitë shekullore, por kësaj rradhe Maqedonia është vërtet në pozitë të vështirë. As në NATO e as në BE, ajo është e rrethuar nga vende që ose e shohin me dyshim, ose me uri. Nga njëri krah shqiptarët, në Shqipëri e Kosovë, në krahun tjetër bullgarët me gjuhë pothuaj identike me ta, në jug me grekë që e urrejnë, çka e bën atë të gjejë shpëtim në mite të vjetra dhe në miqësi të vjetra.

Pozicioni i Shqipërisë në veçanti dhe shqiptarëve në përgjthësi, në këtë situatë është “i çuditshëm”, por kurrë më parë më në pozita force sesa tani, kryesisht dhe për shkak të antarësisë në NATO. Më herët, gjatë të kaluarës së këtyre pak viteve, Shqipëria ka bërë politikën e tërheqjes dhe lëshimit mes dy fqinjëve të saj jugorë; shumë interesa normale dhe sidomos arradha e pafundme e emigrantëve shqiptarë në Greqi, bënin që Athina të kishte një vëmendje shpesh edhe të tepruar në Tiranë. Por dhe Shkupi nuk mbetej pas sepse në Tiranë kishin dëgjuar për rëndësinë e posaçme të stabilitetit të fqinjit dhe sidomos për rolin e pazëvendësueshëm që luan popullsia shqiptare në atë anë të kufirit. Dhe nëse Athina nuk e kursente po kaq shpesh sjelljen arrogante apo dëshirën për të qenë paternaliste ndaj Tiranës, Shkupi e kishte me qejf të bënte atë që në gjuhën popullore quhet Shejtan Budallain. Tani që situata është gjithmonë e më e paqartë në Maqedoni ku ngjarjet duket se po rrjedhin drejt turbullimit të skajshëm për të pasur një kullim afatgjatë të saj, Greqia nuk ka mëdyshje: sipas saj, faji është i Maqedonisë në këtë destabilitet të pazakontë të saj.

Një javë më parë, një protestë diplomatike e Tiranës për Athinën u duk se solli re të zeza në marrëdhëniet me dy vendeve, por mjaftuan tre ditë të çmendura në Kumanovë që ato të harroheshin. Për të rifilluar s’dihet se kur dhe s’dihet se pse. Sepse në Ballkan as miqësitë dhe as armiqësitë nuk janë të përhershme. Janë të ndryshueshme si relievi i vetë gadishullit kapriçioz. Apo të ngjashme si motivet e folklorit që shtegëtojnë nga njëri vend në tjetrin. Si miqësia dhe si urrejtja.

*Javanews.al

SHKARKO APP