Grushti që ka rrëzuar sigurinë e jetës!
Nga Redjon Shtylla
”Ishin përgatitur për t’i dhënë mesazh Mëngjesit, pa menduar se situata do të rëndohej. Donin t’i bënim presion që të hiqte dorë nga gjyqi që kishte hapur”. Këto janë fjalët e Dorian Alisë, njëri prej katër autorëve të dhunimit brutal të avokatit para derës së kopshtit të fëmijëve në Tiranë, mëngjesin e së mërkurës.
Avokati Sokol Mëngjesi vijon që të jetë në terapi intensive në reanimacionin e Spitalit të Traumës, duke luftuar për jetën. Shkak për konfliktin është mosrespektimi i një kontrate lidhur mes avokatit Mëngjesi dhe trashëgimtarëve të një prone në zonën e Liqenit artificial. Pala e përfaqësuar nga avokati fitoi gjyqin, por një prej 8 trashëgimtarëve, Dritan Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës çka solli bllokimin e pjesës takuese të tij.
Dhuna shihet që ende sot është gjuha që përdoret në vend për të zgjidhur problemet apo mosmarrëveshjet. Dhuna përdoret edhe për situata banale, si një parakalim mjeti, një vend parkimi, një shikim pa djallëzi në rrugë. Por këto ngjarje kanë çuar në viktima, në jetë njerëzish që vriten lehtë dhe që edhe njëherë tjetër në pikëpyetje sesa e sigurtë është jeta në vend. A jemi të sigurtë që nëse do të jemi në mesin e një konflikti, ne si palë nuk do të gjendemi në vijën e fundit, atë të jetës që rrezikohet nga dhuna.
Kush nga mbron neve? Situata e avokatit tregon që rrahja është zgjidhja e të fortëve, e personave që nuk duan ligjin, por grushtin. E personave që të rrahin e të çojnë në shtratin e vdekjes në mes të ditës, edhe nën sytë e fëmijëve të vegjël që ishin duke shkuar në kopësht, duke rrezikuar që të e kthenin sulmin ndaj avokatit, në një masakër të frikshme. Krimi ka marrë një revansh ndaj organeve të drejtësisë. Edhe pse kemi një drejtësi të re, sërish një masë e madhe e shoqërisë zgjidhjen e gjen tek dhuna fizike, si një mjet që të frikëson dhe të merr edhe jetën.
Normalizimi dhe shijimi i dhunës është një fakt tronditës, për një shoqëri kaotike si e jona, që presionin e kemi në familje, në shoqëri, në punë. Jemi të vetëdijshëm që kudo dëgjojmë që ”Shqipëria nuk bën”, por problemin e krijojmë ne, dhe nuk punojmë për zgjidhje. Dhuna bashkëshortore, dhuna mes të rinjëve, dhuna në institucione, dhuna në rrugë e në familje, tregon seç se një realitet të hidhur dhe të pandreqshëm, që forcën e grushtit e kemi një përgjigje për të marrë atë që na takon, ose jo, për të vënë drejtësi aty ku duhet dhe nuk duhet, por që dhuna brutale vijon që të rrezikojë sigurinë dhe shoqërinë shqiptare.
Sezoni veror është në kohën e tij, dhe fatkqeësisht ndër vite ka marrë jetë njerëzisht, sepse kanë përdorur grushtin për një parkim, për klientët e restorantit, për disa metra rërë për të vënë më shumë çadra, për mjete lundruese që si vrasës lundrojnë në det sepse nëse nuk lëshohen në ujë, plas grushti.
Nëse në një pjesë të botës ka luftë me bomba, në Shqipëri ka luftë me grushta, për të marrë atë që duam, me apo pa të drejtë, sepse një grusht frikëson, shkakton vdekje, por mbi të gjitha, një grusht sot ka shënjuar diçka alarmuese, kush na mbron?