Gruevski e ka kthyer Maqedoninë në makth

Një qeveri që kryen operacione spiunimi të kësaj shkalle jo vetëm që ka humbur besimin; ka humbur të drejtën për të qeverisur

Nga Erwan Fouere, BIRN

Gjatë disa javëve të fundit, Maqedonia është tronditur nga zbulimet e përgjimit masiv mbi shtetasit e saj, për një periudhë disa vjeçare. Operacioni i mbikëqyrjes përfshiu mbi 20,000 persona – përfshirë ministra, gjykatës, biznesmenë, gazetarë dhe madje diplomatë të huaj – në një shtet me vetëm 2 milionë popullatë. Fakti që qeveria duket se ka përgjuar ministrat e vet flet për natyrën e regjimit.

Bisedat e përgjuara, në zëra që janë qartësisht të identifikueshëm, ofrojnë shembuj të gjallë të korrupsionit të pretenduar në çdo sektor dhe nivel të qeverisë.

Kryeministri, Nikola Gruevski, u përpoq t’ia hidhte fajin për përgjimin shërbimeve të huaja të inteligjencës – që ai ka refuzuar t’i identifikojë – dhe ka akuzuar liderin e opozitës, Zoran Zaev, për komplot të një grushti shteti. Zaev është akuzuar për spiunazh dhe i kanë marrë pasaportën.

kjo nuk është hera e parë që qeveria ka përdorur spiunazhin si një justifikim për të burgosur ata që i konsideron të padëshirueshëm. Kjo ngre pyetjen përse kryeministri është i fiksuar me shërbimet e huaja të inteligjencës, sikur spiunët të ishin duke përgjuar në çdo cep të Maqedonisë, kur gjithçka mund të ofrojë, në mënyrë të dyshimtë, me ndonjë vlerë strategjike janë statujat e përmasave të mëdha të Aleksandrit të Madh.

Nuk kërkon shumë imagjinatë t’i vësh gishtin kryeministrit së bashku me shefin e sigurisë së shtetit, Saso Mijalkov, si ideatorët e këtij ushtrimi të gjerë në përgjim.

Një figurë e ogurzezë, që është gjithashtu kushëri i kryeministrit, Mijalkov është parë të lërë në hije kryeministrin dhe të marrë përsipër pushtet më tepër se kontrolli gjyqësor apo mbikëqyrja parlamentare. Ai është parë si një alter ego e kryeministrit dhe si pushteti pas qeverisjes së Organizatës së Brendshme Revolucionare 0 Partia Demokratike për Bashkimin Kombëtar Maqedonas, VMRO-DPMNE, që Gruevski drejton.

Kjo është një qeveri e cila, gjatë nëntë viteve që ka qenë në pushtet, ka forcuar kontrollin represiv mbi vendin. Marka e saj politike entno-nacionalise dhe populiste, një kthim i periudhës së Sllobodan Millosheviçit, ka rezultuar në rikthimin e tensioneve të thella në një vend që ka dëshmuar tashmë një konflikt etnik të përgjakshëm në 2001.

Pasi u kthye paqja sipas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e ndërmjetësuar në gusht 2001, u ndoqën reforma në vitet pasuese në vijë me objektivin e anëtarësimit në BE. Komuniteti ndërkombëtar vlerësoi Maqedoninë si një histori suksesi në kuptimin e bashkëpunimit multi-etnik në rajonin e Ballkani, aq shumë saqë BE-ja i dha statusin kandidat në 2005.

Të gjitha këto ndryshuan me zgjedhjen në 2006 të kryeministrit aktual dhe partisë VMRO-DPMNE. Që atëherë Maqedonia është hedhur nga një krizë në tjetrën, me ulje-ngritje periodike të dhunës ndëretnike dhe polarizimin në rritje në shoqëri.

Zgjedhjet parlamentare të parakohshme në qershor 2008 panë shpërthimin e dhunës me një fatalitet dhe shumë të lënduar. Në dhjetor 2012, dhuna shpërtheu dhe në vetë parlamentin, me dëbimin e detyruar nga dhoma të të gjithë deputetëve të opozitës së bashku me gazetarët e pranishëm.  Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të 2014, që u njollosën nga kanosja dhe parregullsi të tjera serioze, që theksoi raporti nga vëzhgimi i zgjedhjeve prej OSBE-së,  opozita vendosi të bojkotojë parlamentin, një bojkot që vazhdon edhe këtë ditë.

Kryeministri ka dështuar të zgjidhë krizën parlamentare në vazhdim dhe të kthejë dialogun politik. Përkundrazi, ai ka ndjekur një fushatë të ashpër kundër të gjithë atyre që e kanë kritikuar haptazi, me shumë burgosje, shpesh mbi akuza të fabrikuara, siç zbulohen nga përgjimet.

Partia në qeveri nuk toleron ndonjë këndvështrim pakice apo kundërshtues dhe përdor frikën dhe kanosjen për të ushtruar autoritetin represiv mbi shoqërinë. Ka lirinë më të keqe të medias në rajonin e Ballkanit, sipas indeksit të Gazetarëve pa Kufij që e renditi në vendin e 123, mbi Angolën, një rënie prej 90 vendesh nga 2009, kur ishte në vendin e 34.

Organizatat e shoqërisë civile që flasin në mbrojtje të të drejtave të njeriu dhe tolerancës më të madhe në shoqëri kanë qenë nën shinjestër të sulmeve sarkastike të qeverisë. Sikur kjo të mos mjaftonte, incidentet e fjalëve të urrejtjes, nxitjet e dhunës dhe ndjesitë homofobike janë një ngjarje e zakonshme në programet televizive popullore që janë vazhdimisht të nderuara me prezencën e kryeministrit dhe madje edhe presidentit.

Qeveria ndërkohë, përpiqet të lustrojë imazhin e vet miqësor ndaj biznesit me reklamime në CNN dhe mburret me renditjen e lartë në Indeksin e Biznesit të Bankës Botërore. Nën këtë lustër të normalitetit, megjithatë, shtrihet një sistem i korruptuar i tenderëve publikë për kontratat.

Ky skandal i fundit tregon korrupsionin këmbëkryq dhe natyrën e lig të regjimit. Pavarësisht se kush është pas përgjimit, transkriptimet ofrojnë prova të bollshme të një partie qeverisëse që shpërfill procesin institucional dhe ndarjen e pushteteve, operon me rregullat e veta të qeverisjes dhe dhunon të gjitha standardet bazë të demokracisë dhe madje edhe njerëzinë.

Gjuha vulgare dhe  profane e përdorur nga zyrtarët e partisë në disa nga bisedat e përgjuara të publikuara nuk do të ishin pa vend në një Republikë Bananeje.

Një qeveri që kryen operacion të përgjimit ne nje shkallë të tillë industriale mbi njerëzit e vet dhe mbi anëtarët e partisë së saj ka humbur të gjithë kredibilitetin dhe në fakt çdo legjitimitet për të qëndruar si një qeveri.

Ai njeri dhe partia e tij mund të kthejnë një histori suksesi në një makth të tillë që thekson brishtësinë e Maqedonisë si një shtet funksionues.

Është koha që komuniteti ndërkombëtar, në veçanti BE-ja, t’i kushtojnë më shumë vëmendjen asaj që po ndodh. Bërja e thirrjes që institucionet të funksionojnë siç ne presim që ata të veprojnë nuk është mjaftueshëm, kur përballet me një regjim të tillë.

Duhet të ofrojë mbështetje për shtetasit që janë guximtarë mjaftueshëm për të vazhduar luftën për dinjitet dhe të drejta njerëzore bazë, pavarësisht ngacmimit të shtrirë, kanosjes dhe madje burgimit. Ata janë e vetmja shpresë për ruajtjen e shpirtit të Maqedonisë nga gërryerja e mëtejshme prej një regjimi të diskretituar, që ka vënë përpara interesat e ngushta partiake përpara interesave të vendit dhe qytetarëve.

SHKARKO APP