Guximshëm dhe dinjitetshëm

Nacionalistëve mund t’iu ketë mbetur hatri që ai u tregua shumë i butë në Beograd, e kosmopolitëve se u tregua shumë i ashpër. Por, Edi Rama bëri atë që do ta bënte secili kryeministër normal në një vizitë shtetërore. As provokues, as histerik, por korrekt dhe i qetë, ai foli “shkurt e shqip” për Kosovën, përkrah homologut Aleksandar Vucic.

Nuk tha asgjë provokuese, e as kërcënuese. Përmendi atë që liderëve shtetërorë serbë ua thonë gjithandej kancelarive të Europës, e edhe në Beograd burrështetas të tjerë: se Kosova e pavarur është një realitet që duhet njohur – sa më parë, aq më mirë.

Teksa po dëgjonte një të vërtetë të dhimbshme për të, Vucic reagoi si ata fëmijët zemërakë që mezi presin të përfundojë loja me top, për t’u zhgrehur në vaj. Tha se nuk ishin marrë vesh të flisnin për Kosovën. E si do të mund ta zhvillonte Rama vizitën në Beograd pa e përmendur Kosovën? Thjesht, kjo ishte e pamundur. Ashtu siç u pa vështirë e realizueshme vizita e tij atje menjëherë pas ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri dhe histerisë kolektive serbe ndaj shqiptarëve.

I gjendur përballë breshërisë së kritikave dhe akuzave, madje edhe për tradhti kombëtare, Rama zgjodhi të mos e anulojë vizitën. Pavarësisht se Beogradi do ta dëshironte një gjë të tillë.

Si kryeministër i shtetit shqiptar, e jo me atributet e babait të kombit, ai u shfaq në Beograd i përmbajtur, i vendosur e europian. Aspak patetik, aspak arrogant. I tillë ishte shteti që po e priste.

Dhe, Kosova e pavarur nuk kishte si të mos ishte pjesë e fjalimit të tij. Ashtu si dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Dy realitete të patjetërsueshme. Dy të vërteta që lypsej thënë në fytyrë udhëheqësve të shtetit serb aty, në Beograd. Dy të vërteta që duhej thënë në fytyrë atyre që një herë e një kohë ishin pjesë e regjimit të Slobodan Milosevicit që vrau e shkatërroi Kosovën.

 

Edi Rama nuk foli për Kosovën vetëm sa për t’i kënaqur turmat. Pavarësisht se ato mund të jenë ndier të ngazëllyera. Në fjalimin e tij nuk pasti asgjë patetike, as folkloriste. Gjithçka ishte realiste.

T’ia përmendësh dikujt një realitet nuk është patetizëm. Patetizëm është ta krijosh një realitet të paqenë. Ashtu siç jo rrallë bënte parardhësi i tij Sali Berisha, i cili as të hënën nuk u durua pa e nxjerrë jashtë dozën e tij të helmit. Në një postim në Facebook, Berisha tha se konferenca e shtypit ndërmjet Ramës e Vucicit degradoi. Po fliste kështu njeriu, qeverisja e të cilit për vite me radhë degradoi në stërkeqje – po fliste kështu njeriu i cili idenë e bashkimit ndërshqiptar e degradoi në psedunacionalizëm dhe e keqpërdori për interesa thellësisht personale. Po ashtu, vizitën e Ramës ai e quajti “dështim spektakolar” në rast se kishte qëllim kryesor përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Serbi, klimës së bisedimeve Prishtinë-Beograd dhe një kapitull të ri midis shqiptarëve dhe serbëve në tërësi dhe në rajon. Berisha e di, por nuk e thotë se hap i parë për të gjitha këto që ka përmendur është thënia e të vërtetës hapur dhe guximshëm. Këtë e bëri Edi Rama në Beograd.

Të hënën atje ai foli nga pozita e një kryeministri të përgjegjshëm të një shteti anëtar të NATO-s, e jo nga pozita e një paternalisti. Pozitë kjo që nuk i takon dhe s’ka as pse ta bëjë.

Ata që kanë pritur se ai do t’i kërkonte Serbisë edhe veprime të tjera karshi Kosovës mund të jenë zhgënjyer, por ai nuk e ka për detyrë ta bëjë një gjë të tillë. Atë është dashur ta bëjë kryeministri Hashim Thaçi në dhjetëra takime me Ivica Dacicin dhe duhet ta bëjë pasardhësi i tij, atë është dashur dhe duhet ta bëjë presidentja Atifete Jahjaga dhe kushdo që vjen pas saj. Edi Rama është kryeministër i një shteti tjetër dhe nuk i takon të merret aq thellë me raportet Kosovë-Serbi. Ai e bëri punën e tij aty ku duhet dhe para kujt duhet. Dinjitetshëm.

 

Gazeta Blic” e Beogradit hapi ballinën e vet të martën me titullin “Katër provokimet e Ramës midis Serbie”. Sipas gazetës, provokimi i parë ishte se Vucic e priti Ramën të dalë nga vetura për 34 sekonda, i dyti se Rama i bëri thirrje Vucicit që sa më shpejt ta njohë Kosovën, i treti se në Preshevë për Ramën pritet të mblidhen 15 mijë vetë dhe provokimi i katërt, po sipas “Blicit”, ishte se në vendin ku gjendej lapidari i UÇPMB’së, Ramën e presin lulet!

Po të kishin kërkuar ndihmën time, do t’ua gjeja edhe disa “provokime të tjera, si psh: Rama kishte vënë kravatë të kuqe, ai u prit me himnin kombëtar shqiptar, foli shqip në konferencën për gazetarë dhe kishte zgjedhur qëllimshëm ditën e hënë dhe jo të martën për vizitë në kryeqytetin serb!

Mendjet e sëmura mund t’i paraqesin si fakte edhe budallallëqet e tilla. Por mendjet e ftohta dhe racionale gjykojnë tjetërqysh. Përveç se një kryeministër normal dhe i përgjegjshëm për pozitën dhe rolin e tij, ai të hënën në Beograd u tregua edhe një piktor i mirë realist: ua pikturoi nikoqirëve realitetin në të cilin jetojnë shqiptarët dhe të tjerët në rajon. Pikturës nuk mund t’i gjendet behane, ndonëse ngjyrat e zymta dikujt mund të mos i pëlqejnë. Por fajet nuk i ka piktori. Peisazhi është i tillë.

SHKARKO APP