Hamdi Jupe: Liri “me pikatore”
Nga Hamdi Jupe –
E shtunë 18 prill. Ditë e bukur dhe e ngrohtë në Tiranë. Zgjohem herët në mëngjez nga gëzimi: Sot ne pensionistët kemi liridalje nga karantina. Na e ka dhënë lejen kryeministri një ditë më parë. Liridalja do të jetë deri më orën 11. Është një dalje pas 38 ditësh të mbyllur në “birrucën” e shtëpisë, ndërkohë që përjashta ka ardhur pranvera. Buzët m’i lëpin vargu i këngës himariote: “Erdhi prilli shkriu bora maleve.”
Nga ballkoni i shtëpisë shiikoj se pensionistët e lagjes kanë dalë nëpër rrugë, dy e nga dy apo vetëm, gjë që tregon se dhe ata e kanë dëgjuar kryeministrin për liridaljen. Çaj ferrën dhe iki nga shtëpia edhe unë. Kam me vete tri dokumente: Një librezë pensioni, një rekomandim nga mjeku që mund të lëviz si dhe flokët e mia të bardha borë, që tregojnë se jam i “liridalur”. Kaq mjafton për t’u justifikuar para ndonjë polici që mundet të mos jetë informuar për urdhrin më të fundit. Natyrisht, nuk më mungon maska në fytyrë dhe dorezat plastike për mbrojtje nga virusi.
Është ora nëntë, po në rrugë ka qetësi. Në unazë të madhe lëviz vetëm ndonjë makinë betoni. Karantina është në funksion të plotë. Dyqanet janë të mbyllura që nga pasditja e së premtes, si çdo fundjavë. Në rrugë tek – tuk duken pensionistë si puna ime. Rrallë shikon edhe ndonjë të ri, që kërkon të përfitojë edhe ai e të gëzojë lirinë e shkurtër të karantinës. Ja, një punëtor po monton te porta e mbyllur e një supermarketi një aparat nga ato që shesin kafe me monedhë. Nuk ka karantinë për të, duhet shitur kafja.
Drejtohem për nga Liqeni artificial, që e kam vetëm treqind metër larg shtëpisë. Ç’bëhet sot atje? Kam tridhjetë e tetë ditë pa shkuar, qysh se ka filluar karantina. Në kohë normale, është ngjarje e jashtëzakonshme nëse nuk shkoj një ditë nga liqeni. Atje është “kisha” ku falem bashkë me mijëra të tjerë nga Tirana e bota. Po a lejohet sot të bësh shëtitje te parku? Para tridhjetë e tetë ditësh, në ditën e parë të karantinës, shkova atje për shetitje, por nuk na lanë policët. “Është e nduar” na thanë dhe u kthyem andej nga kishim ardhur. Ishte hera e parë në tridhjetë vjet që banoj në në Tiranë, që na ndalohej shëtija në park. Sot jam kurioz të di a do të lejohemi apo jo? Nëse jo, atëherë është e kotë leja që na kanë dhënë për të dalë.
Marr me vete një bukë të prerë copa – copa si llokume, të mbetur aty prej ditësh, për t’ua hedhur rosave të liqenit. Kështu bëja edhe më parë kur dilja. Po sot a do t’i gjej rosat atje? Kush i ka ushqyer ato gjatë gjithë këtyre ditëve? Apo i kanë lënë në mëshirë të fatit, të ngordhin urije? Kjo pyetje më mundon, se janë qënie të gjalla edhe ato.
Është i bukur parku i liqenit në këtë kohë, ndoshta më i bukur se në çdo kohë tjetër të vitit. Mendoj duke ecur për atje: ngado kanë çelur lulet. Bari është rritur nga shirat që kanë rënë këtë pranverë dhe nga ngrohja e motit. Kosarët nuk e kanë kositur barin, se e kishin të ndaluar të dilnin nga shtëpia. Kumbullat e kuqe kanë kohë që kanë çelur. Plepi dhe frashëri po çelin. Lofatat kuqëlojnë nga petalet e luleve. Edhe dushku po mbushet me gjethe të reja. “Lisat toka kish ndërruar” – do thoshte Derada, po ta shikonte parkun e liiqenit tani. Po ta lejonin ta vizitonte, kuptohet. Unë i mendoj këto, ndërkohë që po shkoj atje.
Te diga e liqenit janë ende shirtitat e policisë që ndalojnë njerëzit të hyjnë brenda, por pensionistët e ngrejnë shiritin e policisë ose e kapërcejnë atë si atletë dhe hyjnë në shëtitoren e digës. Atë bëj edhe vetë. Niveli i liqenit ka rënë disi, nga ç’e kam lënë para dyztetë ditësh. Zonjtë polarë që vijnë për të kaluar dimrin te liqeni ynë janë larguar. Vështroj për rosat e vendit, por mesi me zë syri një grup prej tyre. Kanë arritur të shpëtojnë vetëm me “forcat e veta” këto dyzetë ditë. U hedh bukën që kam marrë me vete duke u gëzuar unë më shumë se ato, kur i shikoj që çukisin ushqimin e vyer.
Marr rugën për të hyrë në park, duke kapërcyer një shirit tjetër të policisë, ate ku janë dy kafenetë e reja buzë liqennit, por sapo bëj pesë hapa, më dalon një polic.
– Zotëri, nuk lejohet hyrja në park!
– Si nuk lejohet? E keni dëgjuar kryeministrin ju apo jo? A nuk e shikoni që këtu ka me qindra pensionistë?
– E kam dëgjuar kryeministrin po nuk lejoeht të hyni në park. Shëtisni vetëm sipër digës ose në anën tjetër të saj, jo këtej.
Habitem nga këto fjalë të policit. Atje në krye të digës, nga ana e universitetit, shikoj një grup tjetër pensionistësh që po bëjne sherr me një police grua, e cila nuk i lejon ata të hyjnë në digë. “Keni të drejtë të bëni shëtitje vetëm në lagjen tuaj – thotë ajo. Si është kjo punë! Ca lejohen të hipin në digë, ca nuk lejohen. “Leja që ka dhënë kryeministri është për të levizuar vetëm brenda lagjes” – na thonë. Po të jetë për “lagjen time”, ajo vazhdon deri në Farkë u them, sepse vërtetë shtëpia ime tani përfshihet në njësinë bashkiake të Farkës. Po hajde merru vesh me policin. Ose kryeministri na e ka dhënë lejen me hile, “me pikatore” neve pensionistëve, ose këta policë nuk dinë se ç’thonë.
“Shëtisni në anën tjetër të parkur, nga ana e Liqenit të Thatë po të doni- thotë polici. Kthehem i habitur nga ky qëndrim i policëve. Nga njëra anë e liqenit lejohet shëtija, nga ana tjetër nuk lejohet! Si është kjo punë. A janë marrosur këta, apo është marrosur kryeministri? Sidoqoftë, zbatoj urdhërin dhe kthehem të bëj shëtitjen në anën tjetër të liqenit. Ka filluar gjelbërimi edhe andej, edhe pse jo plotësiht, por bie erë pranverë. Nëpër pemë këndojnë zogj të shumtë të pranverës: bilbila, qukapikë, gushëkuq, harabela etj që nuk ua di emrat.
Kafenetë te fundi i Liqenit janë të mbyllura. Atje uleshin dikur, në kohë të shkuar, dyzetë ditë më parë, pushuesit e shumtë për të marrë frymë nga lodhja dhe për të soditur gjelbërimin përreth. Jo, nuk ka kafene të hapura tani, prandaj nuk mund të ulemi, veçse në stol. Edhe njerëzit si puna ime janë më të paktë, natyrisht.
Vazhdoj udhën time buzë parkut, “në anën tjetër”, kuptohet, nën “hijen” e COVID –it në mendje. Vendi ynë nuk ka patur aq shumë viktima sa disa vende të tjera të rajonit. Ky është lajm i mirë. Por tani është koha të reflektohet me kujdes për të hapur aktivitetin njerëzor. Ka nevojë njeriu të dalë dhe të punojë, edhe të pushojë. “Puna e bëri majmunin njeri” – thoshte Engelsi. Apo e kemi shpallur armik Engelsin tani! Njeriu nuk mund të rrijë gjithë jetën në bunker, qoftë ky edhe “bunkeri” i shtëpisë, sei ai është qenie shoqërore, nuk mund të mbijetojë si ariu gjashtë muaj në gjumë letargjik në shpellë. Po dëgjojmë edhe tragjedi familiare në vende të tjera nga stresi i mbylljes në shtëpi. Nuk duhet të presim që të tilla të ndodhin edhe tek ne.
Ja, psh, dua të shkoj te mjekja e lagjes të marr ilaçin e ferrovinës, e nevojshme për hemoglobinën. Por si të shkoj atje, kur nuk ka autobuz, makina private nuk lejohet të lëvizë, mjekja nuk e di a është apo nuk është atje? Ferrovina është ilaç i rimbursuar qindpërqind nga shteti. Por unë tani e blej me paratë e mia në farmaci, se nuk shkoj dot te mjekja. Dhe ferrovina kushton sa dhjetë përqind të pensionit tim të zakonshëm. Kjo është një çështje që e kanë të gjithë njerëzit në nevojë me shërbimin e zakonshëm shëndetsor. Po lexoj lajme se po vdesin njerëz në rrethe, se nuk vijnë dot në Tiranë të marrin shërbimin e specializuar nga mjekët që janë vetëm këtu. Atëherë çfarë po bëjmë? Po vëmë vetulla, duke prishur sytë?
Sa e sa të sëmurë të tjerë nga Tirana dhe rrethet janë privuar nga e drejta për të marrë shërbimin e nevojshëm mjekësor vetëm prej këtij bllokimi? A i bën njeri këto llogari apo jo? Sipas statistikave zyrtare, për një muaj ne kemi patur 22 viktima nga COVID 19, ndërkohë që kemi mesatarisht 1822 viktima çdo muaj nga mosha dhe nga sëmundje të tjera. Atëherë, a nuk është koha të shikohet “qari” dhe “zarari” i këtij bllokimi total? Vendet e tjera po e shikojnë. Kryeministri ynë ka dhënë shenja se edhe tek ne do të shikohet mundësia e hapjes graduale. Të shohim. Vetëm se bllokim, bllokim, bllokim nuk është zgjidhje.
Kryeministri tha dy ditë më parë se do të falen të gjitha gjobat dhe dënimet që janë dhënë nga shkelja e rregullave të karantinës. Ishin vendosur mijëra gjoba “të kripura” ndaj qytetarëve. Tre ditë më parë u bë një
debat i ashpër në Parlamenti midis deputettit të opozitës Myslim Murrizi dhe kryeministrit pikërish për këto masa shtrënguese që u falën tani. Atëherë, përse u bë debati në parlament dhe përse u shtrënguan masat kundër shkelësve? Duket se qeveria e kishte tepruar me masat represive në situatën e Karantinës dhe prandaj bëri falje.
Kthehem në shtëpi dhe lexoj lajmet. Qeveria ka vendosur që javën e ardhshme të rifillojnë aktivitetet prodhuese dhe të shërbimit që ishin ndërprerë për shkak të sëmundjes. Bukur, sëmundja është vënë nën kontroll. Nga dy spitale me rreth 150 shtretër që janë vënë në dispozicion, më pak se një e treta e kapacitetit të tyre është e okupuar nga të sëmurët. Më pak se 50 vetë janë të shtruar në të dya spitalet. Meritë e qeverisë! Ta gëzojë.
Dhe ja edhe “lajmi” tjetër: të dielën më 19 prill, kanë të drejtë të dalin shëtitje vetëm nënat me fëmijë deri në dhjetë vjeç! Lejen e ka dhënë vetë kryemnistri! Leja nuk thotë nëse nënat me fëmijë kanë të drejtë të shëtisin vetëm në njerën anë të liqenit, apo në të dya anët! Ta shikojmë.
Kjo situatë me të tilla veprime, më duket si komedi. Kryeministri ka marrë përsipër të bëjë edhe “dadon” e këtij populli. Dhe kjo ndodh në të “dyzetat” e karantinës. Janë të lodhur mendërisht edhe qeveritarët.