Hanibali është tek portat!
Nga Edmond Haxhinasto –
Shpopullimi i vendit është një realitet i përditshëm. Duke huazuar edhe një herë metaforën e bretkocës në ujin mbi zjarr, është fakt po i ngjajmë shumë asaj: ndonëse temperatura e ujit po rritet gradualisht, bretkoca nuk do të reagojë deri në pikën e vlimit.
Nuk kam dëgjuar njeri nga mazhoranca të shprehet, veçse në mënyrë justifikuese se ky është një fenomen që e kanë përjetuar dhe po e përjetojnë shumë kombe, si Polonia, Rumania, e të tjerë. Në mediat afër qeverisë, dalin lajme që edhe Gjermania paska problemin e emigracionit?!
Dridhjen e fundit të këtij “tërmeti” me epiqendër Shqipërinë, e dha projeksioni i Bankës Botërore që parashikon një rritje negative të popullsisë, dhe në 2100 mund të jetojnë gjysem milioni shqiptare brenda kufinjve të RSH. Ndoshta, aq sa ishte popullsia në kohën e Skënderbeut?!
Realiteti i përditshëm në Shqipëri duket tek “dalldia” kolektive për t’u larguar e shumëkujt që njohim dhe takojmë. Duket tek dyndjet për vizën e kontratën e punës që profesionistë e jo të tillë bëjnë çdo ditë pranë ambasadës gjermane; tek mungesat për specialiste e “ustallarë” në tregun e shërbimeve komunale, tek tokat e lëna djerrë në zonën rurale, tek “shpikjet” e rrezikshme për të gjetur një mënyrë hyrje në tregun e punës në Angli, tek pesimizmi që ka mbërthyer shumëkënd nga sipërmarrësit që nuk përfiton para publike, e mund të renditeshin shumë të tjera…
Shtuar këtij realiteti, ku është vështirë të ndash shkakun nga pasoja, janë edhe faktorë të tjerë: lindshmëria në rënie, fertiliteti në rënie, rritje të rasteve të sëmundjeve terminale, nuk kam dyshim, edhe si pasojë e ndotjes së jashtëzakonshme të mjedisit, të ujit dhe ajrit, të ushqimeve të pasigurta.
Kam dëgjuar edhe argumente “politiko-elektorale” të përciera me anti-kombëtarizëm cinik se largimi i rinisë dhe atyre të aftë për punë nuk ndalohet sepse i shkon mbarë mazhorances, sepse reduktohet presioni për “premtimin e madh të punësimit”, dhe sepse mosha e tretë përgjithësisht voton për të.
Nëse shpopullimi ka një motivim ideologjik, është mirë të na e thonë, që të mos “shqetësohemi”.
Shqetësimi i madh është se po arrijmë një pikë pa kthim, pikën e vlimit!
Një popullsi që tkurret, është e destinuar të asimilohet, të humbasë vitalitetin biologjik, por edhe shpirtëror, të tresë trashëgiminë dhe përkatësinë kulturore e historike.
Një popullsi që tkurret, në fazën tonë zhvillimit ekonomik e social, nuk mund të ketë prosperitet, e as te krijoje zhvillim të natyrshëm e të qëndrueshëm kombëtar.
As nuk mund të jetë konkurruese, në kushtet e përpjekjeve për t’u integruar me kombet e tjerë evropianë, apo të konkurrencës globale të tregtisë dhe produktivitetit.
Shpopullimi sjell edhe një zbrazje të aseteve dhe investimit publik e kombëtar, investim i çdo taksapaguesi në sistemin arsimor apo shëndetësor. Sepse ata njerëz janë shkolluar për t’i shërbyer shoqërisë e qytetarëve të këtij vendi. Për ta ka paguar, nëpërmjet taksave, e gjithë shoqëria: mbi 30 mijë dollarë për person, konkludon një studim serioz.
Dikush mund të thotë se ata që ikin integrohen më shpejt në Evropë se në të tjerët. Realiteti është që njerëzit nuk integrohen si individë, por si qytetarë të shtetit të cilit i përkasin, me statusin që shteti i tyre arrin të negociojë dhe të jetë pjesë e Evropës së Bashkuar. Pra, produkt i kapaciteteve ekonomike, kulturore, por mbi të gjitha, njerëzore të shteteve. Ne këto kapacitete po na shterojnë!
Tërmeti i shpopullimit ka kohë që e tund tokën e shqiptarëve. Shumëkush nga politika e quan me të drejtë si tërmetin e humbjes së besimit. Besimit tek vetë qeverisja, besimit se Shqipëria bëhet. Kthimi i besimi është themeli. Por nuk mjafton. Duhet mobilizim kombëtar. Edhe sot jemi të vonuar. Nesër, akoma më shumë! Hanibali është tek portat!