“Haremi” hollywoodian i Ronald

Biografia: Reagani kishte shkuar në shtrat me më shumë se 50 prej yjeve të Hollywood-it. Të gjitha në resht, në pritje të radhës së tyre, prapa portës së një prej njëkatësheve të hotelit “Garden of Allah”. Netë vërtetë të nxehta, nëse është e vërtetë që nën çarçafët e “Kopshtit të Allahut” në disa prej netëve magjike, shtriheshin edhe katër vajza njëherësh

– Në vitin 1948, Ronaldi u takua me Marylin Monroe-në.

Ai e pa disa herë nga koka tek këmbët, dhe psherëtiu: “Sensacionale”.

Ajo e pa dhe pas një buzëqeshjeje erotike, i tha: “Kur të më njohësh, do të kuptosh se jam edhe më shumë”

 

Nga Luciano Gulli*

 

Jo se gjelat mungonin, në Kotecin e Madh që ishte Hollywood. Clark Gable, James Stewart, Gary Cooper fryheshin gjithë ditën, si në arkat e kinemave, ashtu edhe në zemrat e zonjave që ishin vajza të reja, mes viteve pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë. Por Vëllai i Madh, ai që për nga pendët dhe syrin vrasës ua kalonte të gjithëve, duke vënë në resht edhe ekzemplarët më të fortë të Serisë A – ai që në atë kohë i përkiste Serisë B, të paktën në kinema – quhej Ronald Reagan. Pikërisht ai, ish aktori i filmave uestern të dorës së dytë, që më pas do të bëhej president i SHBA: i dyzeti, për të qenë më të saktë. Ai që, nga viti 1981 deri në vitin 1989, pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, arriti të tërheqë pas “karrocës” së tij prej triumfatori sekretarin e fundit të PK Sovjetike, tashmë të zbutur, Mikhail Gorbaçovin.

Feminizmi, ai që solli fillimisht tërmetin dhe më pas cunamin në marrëdhëniet mes burrave dhe grave, ende nuk kishte ardhur. Dhe në atë botë të thjeshtë dhe pakëz naive, në atë periudhë të pasluftës së dytë ku ëndërroheshin nga të gjitha, dhe dukej se asgjë nuk ishte më e dëshirueshme se sa ëndrra amerikane, ishte normale që mes atyre që sot janë nëna të thuhej që “burri është gjahtar”. Po gratë? Gratë ishin më se të kënaqura që të ndiheshin “preja”, ose të pushtuara, ose të joshura: secila zgjidhte termin që dëshironte, sipas ndjeshmërisë. Clarg Gable, Humphrey Bogart, Jimmy Stewart. Këta ishin heronjtë. Por ai që çuditërisht çukiste më shumë andej nga anët e Venice Beach, ishte ai, presidenti i ardhshëm që ndërroi jetë në moshën 93 vjeç, dhjetë vjet më parë, pasi Alzheimeri e kishte katandisur në një “larvë”.

I ka zbuluar të gjitha këto një biografi e shkruajtur nga Darvin Porter, me titull “Trekëndësh dashurie: Ronald Reagan, Jane Wyman & Nancy Davis”, që pritet të dalë ditën e Shën Valentinit. Historia e Porterit thotë që Reagani kishte shkuar në shtrat me më shumë se 50 prej yjeve të Hollywoodit. Të gjitha në resht, në pritje të radhës së tyre, prapa portës së një prej njëkatësheve të hotelit “Garden of Allah”. Aspirante për velina, yje me kofshën pakës të madhe, vajza të spektaklit thjeshtë kalimtare, bashkë me zonjusha me talent të sigurtë: të gjitha bashkë, me pasion, në pritje të radhës së tyre. Nëse ka qenë e gjitha merita e tij, pra e Reaganit, këtë nuk e dimë. Eshtë fakt që shefat e “Warner Bros” i besonin atij me intuitë. Dhe ishte ai, në bazë të “provimeve” të specializuar që kanë qenë gjithmonë një detyrim, që vendoste se cila do të merrte rolin apo do të shfaqej në një film. Shumë prej atyre vajzave e kanë kaluar Hollywoodin me shpejtësinë e një meteori. Ndërsa të tjerat kanë ardhur për të ndenjur gjatë dhe për t’u ngulitur përjetësisht në kujtesën e njerëzve. Marylin, mbi të gjitha, por edhe Doris Jay, Joan Blondell, Lana Turner.

Thonë se Reagani shoqërohej shpesh herë në këto aventurat e tij nga miku Errol Flynn, i cili fliste për 12 mijë “trupa të kolme” në netët e Ronald Reaganit. Netë vërtetë të nxehta, nëse është e vërtetë që nën çarçafët e “Garden of Allah” në disa prej netëve magjike, shtriheshin edhe katër vajza njëherësh. Në vitin 1940, reagani u martua me Jane ëyman. Zgjati vetëm 8 vjet ajo martesë. Në vitin 1948, Ronaldi u takua me Marylin Monroe-në. Ai disa herë nga koka tek këmbët, dhe psherëtiu: “Sensacionale”. Ajo e pa, dhe pas një buzëqeshjeje erotike, i tha: “Kur të më njohësh, do të kuptosh se jam edhe më shumë”.

Vite pune super për të riun Ronald. Fati e deshi që në një moment të takohej me Doris Jay. Mund të kishte martesë, por Reagani preferoi Nancy Davisin, e cila spikaste prej prejardhjes familjare: e pasur dhe e pushtetshme, që nisi menjëherë ta përpunojë atë djalosh të mirë për uesternët e xhiruar në El Paso, për ta shndërruar në një politikan të nisur për një rrugëtim të gjatë, që nga demokrat siç ishte në fillim, do të kthehej në republikan. E drejtë zgjedhja, e duhur gruaja, i duhur vendimi për të dalë nga bota e celuloidit. E duhura në fund karriera, nga guvernator në president, përgjatë trajektores që do ta projektonte në “Hollin e të Famshmëve” të presidentëve të SHBA.

Nga Ronaldi, grabitësi i zemrave natyrisht nuk do të shohim asgjë në film, i cili do të titullohet thjeshtë Reagan. Protagonist David Henrie, ylli i Disneyt. Nuk ka seks, as Hollywood. Vetëm armiku i madh i komunizmit, miku i Zonjës së Hekurt, Thatcher, i parë nga sytë e një agjenti të KGB-së.

*Il Giornale- http://www.bota.al

SHKARKO APP