Hashashi lulëzon tek parcelave të vogla (VIDEO)

 

Operacionet masive në Lazarat dhe Dukagjin verën e vitit 2014 kanë ndryshuar hartën e kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Policia e Shtetit tha në një deklaratë për shtyp se gjatë këtij viti janë reduktuar plantacionet e mëdha, ndërsa është shtuar numri i parcelave të vogla.

Të dhënat e siguruara nga monitorimi ajror me avionë të posaçëm të Guardia di Financës, mision i nisur që në vitin 2012 në Shqipëri, tregojnë megjithatë se kanabisi vazhdon të kultivohet masivisht në Shqipëri.

Sipas Policisë, nga janari deri më 22 korrik 2015 janë asgjësuar në operacione të ndryshme më shumë se 261 mijë bimë narkotike kanabis sativa. Kjo sasi e tejkalon gjysmën e hashashit të sekuestruar nga policia në vitin e “nxehtë” 2014, kur Lazarati konsiderohej si vendburimi kryesor në vend.

Sasi të konsiderueshme kanabisi janë gjetur gjatë këtij viti në Dukagjin, Fushë-Krujë, rrethinat e Tiranës, Tepelenë dhe lumin e Vlorës. Në vitin 2014, sasia e asgjësuar nga policia e shtetit ishte 503 177 rrënjë kanabis.

Gjatë ditës së mërkurë, avioni special i Guardia di Financës ka monitoruar nga ajri zonat malore dhe kodrinore në Tepelenë. Në një operacion të koordinuar me rreth 50 forca policie në tokë u asgjësuan 6100 rrënjë kanabis, të shpërndara në parcela të vogla.

Misioni i monitorimit nga ajri me avionë të posaçëm të Guardia di Financës dhe përpunim të të dhënave në universitetin e Napolit ka filluar të aplikohet në vitin 2012 në Shqipëri, kohë kur sasia e madhe e hashashit të eksportuar drejt vendeve të BE-së kapi shifra shqetësuese.

Ky mision është një kontribut i drejtpërdrejtë i qeverisë italiane në forcimin e luftës kundër kultivimit të lëndëve narkotike në Shqipëri.

BIRN

SHKARKO APP