Hasia

Nga Edison Ypi

Hasia, nëna ime, nuk ishte ndonjë amvisë a nikoqire kushedi se çë.

Hasia ishte tjetër gjë. Hasia, në gjak, në lëkurë, në thua, në ind, në qelizë, ishte Bejlereshë.

Hasia pinte kafe, tymoste cigare, dhe rrëfente meselera të vjetra e të reja me të ikë mendja.

Hasia nuk kishte bërë shkollë të madhe. Ama Hasia linte me gojë hapur të madh e të vogël tek llafosej; nga Homeri tek Tolstoi, nga Çezari tek Çurçilli, nga Naim Frashëri tek Pushkini.

Hasia ishte mahnitëse. Hasia ishte një magji e gjallë. Hasien të gjithë e donin. Hasies të gjithë i faleshin. Hasies, nga fëmijët tek të rriturit, nga të urtët deri tek sherrxhinjtë, nga të pashkollët deri tek të arsimuarit e lartë, të gjithë i kërkonin mendime, orientime, këshilla.

Hasia nuk lexonte as shumë as pak. Hasia lexonte gjithçka. Jo vetëm librat që i sillnim ne fëmijët, por gjithçka të shkruar që i shihnin sytë, i kapte dora, madje deri edhe copa letrash në dysheme që ja kapte fshesa.

Hasia flise vetëm mirë.

Hasia nuk fliste keq për askend.

Ata për të cilët Hasia duhej të fliste keq, për shembull për kurvin që i burgosi djalin, Hasia nuk fliste fare. Të tillët Hasia i injoronte, i përbuzte, i dënonte me heshtje. Me një injorim, me një përbuzje, me një heshtje, që ishte më e efektshme se çdo burgosje, çdo varje në litar, çdo pushkatim.

Se si ja arrinte Hasia ta komunikonte tek bashkëbiseduesit përçmimin për vrasësit pa ua përmendur emrat, është një sekret që s'ka për tu zbuluar kurrë sepse atë sekret Hasia e mori në varr.

Të gjithë, nga më i madhi i fëmijëve, motra ime që tashmë është në prag të 70-ave, deri tek më i vogli i nipërve që tani është 22, Hasien e kemi dëgjuar gojëhapur dhe frymëndalur në gjunjë para saj si para Zotit.

Hasia ishte një enciklopedi e pashterrshme mirsjelljeje, vetpërmbajtjeje, morali, etike, urtësie, diturie.

Hasia ishte një katedrale madhështore përuljeje dhe respekti; për të diturin, të aftin, të talentuarin, të moshuarin, të sëmurin, hallexhiun, fukarain, nevojtarin.

Por mbi të gjitha hasia ishte një rrëfimtare e pashoqe.

Asgjë që rrëfente Hasija nuk mund të vihej në dyshim prej askujt. Nga përrallat tek faktet evidente të përditshmërisë.

E bija e Beut, Hasia, lindi e u rrit në Pacomit, një fshat i vogël në Luginën e Vjosës pranë Përmetit.

Kohështrirja e rrëfimeve të Hasies ishte "Ab aeterno", pra e gjithë koha që nga fillimi i fillimeve, që kur koha ka nisur.

Gjeografia e rrëfimeve të Hasies ishte i gjithë planeti nga Shqipëria në Shqipëri.

Për çfarë nuk rrëfente Hasia o Zot.

Luftra, masakra, mbretër, perandorë, princër, ushtri të huaja, udhëtime, ndërlikime, fejesa, martesa, trashëgimtarë, gjithçka-gjithçka.

Por shumica e rrëfimeve të Hasies lidhej me Bektashizmin, Gjuhën Shqipe, Rilindjen, rilindasit, Naimin, Çajupin, Kristoforidhin etj.

Hasija nuk bëri universitet në Europë si mikeshat e saj bejleresha. Nuk mundi. Ja si ndodhi;

Rushan Beu, pasi mbushi brezin me florinj, se nuk ishte harbut, ishte Bej, ishte zengjin, mori dy çupat e tij, Hasien dhe Shefikatin, nënën dhe tezen time, i hipi mbi një kalë. Mbi një tjetër kalë hipi vetë, dhe u nis.

-Ku po i shpie çupat o Rushan Bej ? e pyeti një i njohur afër Këlcyrës.

-Në Europë, në Austri, në Vjenë, në Universitet, u përgjigj Rushan Beu.

-Mos e bëj atë gabim.

-Pse ?!

-Se do të bëhen kurva.

Rushan Beu u kthye.

Pikat kryesore të referimit në rrëfimet e Hasies ishin Teqetë. Kryesisht Teqeja e Alipostivanit pak mbi Pacomit, por edhe teqetë e tjera në Skrapar dhe Kolonjë.

Në rrëfimet e Hasies, Babai i Teqesë ishte njëkohësisht; Mbret, Sulltan, Vezir, Pasha', Parlament, Kryeministër, President, Gjykatës suprem. Babai i Teqesë me vetëm pak fjalë të shqiptuara urtësisht, zgjidhte problemet më të ndërlikuara të çfardolloji që nuk mund t'i zgjidhte dot as shpata as jatagani, asnjë shtet, asnjë gjykatë, madje asnjë ushtri. Babai i teqesë i urdhëronte Bejlerët. Bejlerët s'kishin asnjë pushtet mbi Babain e Teqesë.

Hasia rrëfeu pa u ndalur meselera dhe proverba me dhjetra vite. Gjithmonë të reja. Kurrë të përsëritura, deri ditën që i doli fryma.

Prej rrëfimeve të pafundme të Hasies më ka mbetur një peng. Më kishte rënë në sy një fakt i çuditshëm; Dihet se Lugina e Vjosës është e banuar nga bektashinj dhe kristianë ortodoksë. Hasia kurrë, ama kurrën e kurrës, nuk i përmendi në rrëfimet e saj ortodoksët. As për mirë as për keq. Rrëfimet e Hasies ishin një Univers mahnitës i vetmjaftueshëm i përsosur të cilit nuk mund t'i shtoje as t'i hiqje kurrgjë. Hasija nuk linte hollësi pa rrëfyer, dhe rrjedhimisht as mundësi për ta pyetur. Besoj se kjo ka qënë arsyeja  sa deri sa iku nga kjo botë nuk ja bëra nënës pyetjen; Ku janë kristianët në rrëfimet e tua ?!

Nuk ja bëra kurrë këtë pyetje ndoshta edhe sepse deri para nja 10 vitesh kur Hasia iku, nuk e kisha fort të qartë gjeografinë e shpërndarjes muslimano-kristiane të Luginës së Vjosës.

Kështu ndodhi, që pyetja se pse Hasia nuk i përmendi kurrë kristianët mu shndrrua në makth, dhe nisa të mallkoj veten se si e lashë të ikte rrëfimtaren e përsosur pa e qartësuar mungesën misterioze brenda rrëfimeve të saj.

Prejkur nisa të udhëtoj në luginën më mrekulluese të planetit, dhe pashë thurjen aq të afërt të fshatrave bektashianë me ata ortodoksë, pyeta e pyeta pafund por askush nuk më dha një përgjigje shterruese, derisa u binda se ajo pyetje ishte vetëm për Hasien dhe për kërrkend tjetër, dhe i humba shpresat se një ditë për atë pyetje do kisha një përgjigje.

Mirpo para pak ditësh rashë në muhabet me një "Kristo", vërsniku im nga Kosina. Epo, thashë me vete, Kristua nga Kosina ndoshta di të më japi ndonjë përgjigje për Hasien nga Pacomiti, se Pacomiti bektashi dhe Kosina ortodokse janë dy fshatra ngjitur e ngjitur.

Është e thjeshtë, tha Kristua nga Kosina. Nëna ime, që rahmet pastë, ishte edhe ajo një "Hasie" kristiane që rrëfente pafund dhe muslimanët nuk i zinte kurrë në gojë.

Po thonë se toleranca fetare në Shqipëri nuk ekziston.

Zoti i ruajtë se s'dinë ç'llomotisin.

Njëra nga Pacomiti, tjetra nga Kosina, njëra bektashiane tjetra kristiane, dy të urtat e vdekura janë prova.

"Mapo"

SHKARKO APP