Heshtja zgjedhore apo censurë mediatike
Dje dhe sot ka një pjesë e mediave kanë refuzuar të pasqyrojnë deklaratat specifike të disa politikanëve, me argumentin se gjatë heshtjes zgjedhore nuk mund të publikojnë reagimet e partive.
Interpretimi i Kodit Zgjedhor në këtë mënyrë nuk është zbatim i ligjit, por censurë mediatike.
Është e vërtetë që Kodi Zgjedhor parashikon sanksione për thyerjen e heshtjes zgjedhore nga partitë dhe mediat për aktivitetet politike. Por Kodi nuk parashikon heqjen e të drejtës së fjalës dhe bllokimin e transmetimeve në media për atë që ndodh gjatë ditës së zgjedhjeve.
Konkretisht çfarë quhet heshtje zgjedhore, sipas neni 77 të Kodit Zgjedhor: “Periudha e fushatës dhe e heshtjes zgjedhore.
- Fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve.
- Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore.
Pra, heshtje quhet “fushatë zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore”.
Me këtë nen mediat kanë refuzuar të transmetojnë disa deklarata të politikanëve, konkretisht të Presidentit të Zgjedhur, Ilir Meta dhe të Nën/kryetarit të LSI-së, Luan Rama.
Të dyja deklarata nuk kanë qenë për fushatë elektorale dhe as aktivitete politike. Ilir Meta në Lezhë nuk ishte as në mitingun e LSI, dhe as në takimin e strukturave të partisë. Për më tepër nuk bëri as thirrje për të votuar LSI-në. Qëndrimet e mbajtura nuk janë fushatë zgjedhore në favor të një subjekti politik, por reagime ndaj disa ngjarjeve konkrete që lidhen me standardin e zgjedhjeve.
Deklaratat kanë qenë specifike për raste konkrete incidentesh zgjedhore. Ilir Meta shkoi në Lezhë ku ndodhi një plagosje me armë që për pak mund të përfundonte me viktima. Deklarata e bërë në Lezhë nuk ishte elektorale, por reagim i një aktori politik. Sepse nëse do të ndiqej kjo logjikë mediat kryesore në vend dhe ato që bojkotojnë transmetimin e deklaratës së Metës, duhet të ndalojnë dhe transmetimin e Edi Ramës kur shkon të votoj, apo mesazhet që publikon në Facebook për pjesëmarrjen në votime. Nëse do merret për bazë kjo metodë, gjithë politikanët ditën e votimit duhet të mbyllen brenda dhe të mos dalin. Ndërkohë që ligji ndalon vetëm deklarata elektorale dhe jo reagimin për një ngjarje flagrante që është duke ndodhur.
Nëse marrim rastin e Lezhës, ngjarja ndodhi paradite. Deri në orën 15 Policia e Lezhës nuk ishte njoftim për atë që ndodhi. Prokuroria do disa ditë të kryejë hetimin dhe si rregull nuk mund të flasë para përfundimi të hetimit. Mediat nuk e transmetonin se quhej aktivitete politik. Reagimin Kreut të Kuvendit nuk e transmetojnë sepse është heshtje zgjedhore. Atëherë kush do të informoi publikun për atë që po ndodh në vend?
Ndaj mediat para se të marrin orientime politike se çfarë duhet të japin dhe çfarë jo duhet të mos bien pre e interpretimeve të ngurta të ligjit. Para se gjithash detyra e medias është informimi i publikut. Nisur nga kriteret profesionale të gazetarisë është e pamundur të shmangësh transmetimin e një qëndrimi të tillë. Detyra e medias është të informoi atë që ndodh dhe aq më tepër në ditë të rëndësishme si zgjedhje.
Ndryshe nga heshtje zgjedhore kemi të bëjmë me censurë.