Hetuesi torturues i djeshëm, avokat i sotëm
Nga Hyskë Borobojka
Nga halli, jo nga malli, më zuri taksirati, për një pronë, që ma kishte lënë im atë, rahmet pastë, ma kishte grabitur një tjetër, u detyrova të paraqitem në Gjykatë, atje ku zgjidhen çështjet “sëmbari”, sipas ligjit e së “drejtës”. Zura një avokat nga ata që i dinë ligjet në majë të gishtave dhe e padita grabitësin e pronës time në “Tempullin e drejtësisë”. Mora vesh se edhe i padituri im kishte zënë lulen e avokatëve (si e quanin disa), që me çështjet gjyqësore ishte rrahur me vaj e me uthull.. Sa u paraqita në seancën e parë të gjyqit, pashë se në krah të kundërshtarit tim, avokat ishte Lamkë Lapuraku. Mbeta i shtangur. Ishte po ai Lamkë, hetuesi im, që më kishte nxjerrë ujë të zi në qelitë e Degës së Punëve të Brendshme në kohën e diktaturës. Ç’kam hequr ahere prej tij, natës së varrit kam për t’ia rrëfyer. Tek e shihja këtë avokat të krekosur, të nisur e të stolisur, më kostum të ri e këmishë të bardhë dëborë, me një kravatë të madhe me të gjitha ngjyrat e ylberit, varur në qafë, sillja në mend Lamkë Lapurakun, koleksion me rripa, me dy kobure në brez, që një vit e kusur, më torturoi në qelitë e akullta të hetuesisë. Kur e shija atë fytyrë të krekosur, si gjeli majë plehut, me një çantë të madhe e të re, filluan të më buçisnin në vesh fjalët më të ulëta e të ndyra që dilnin nga goja e tij gjatë hetimit e torturave që ushtronte kur më merrte në pyetje orë e çast, ditë e natë, sa herë i tekej.
-Ti je një bajgë i shoqërisë sonë socialiste, një edepsëz, një qelbësirë, një mut muti…, – s’linte sharje e ofezë pa nxjerrë nga goja, ky hetues i dikurshëm avokat i tanishëm, më atë fytyrë e tij ngjyrë dheri e me ata sytë e kuq të kërcyer si pofka.
-Je një qen bir qeni, një armik i betuar, një gjarpër që vjell helm e vrer për jetën tonë të “lumtur”, që ka krijuar partia jonë e lavdishme dhe udhëheqësi ynë i ndritur! Ti fytyrë e keqe, prashit poshtë e lart se tek ne mungon kjo apo ajo, kur gjithë e dinë se ne jemi vendi i parë në botë, ku është gatuar lumturia socialiste – më shfrynte herën tjetër.
Dhe me një buzëqeshje të shtirë, që i përngjante ngërdheshjes së një qeni, përpara se të të derdhet për të kafshuar, ngrihej nga tavolina e më qëllonte më grushte e shkelma , aq sa mezi e mblidhja veten. Njëherë mora guximin e i thashë se, përdorimi i dhunës gjatë hetimit është i ndaluar me ligj. Ky kundërshtim e tërboi Lamkën, aq sa iu ngritën qimet e kokës përpjetë e i kërceu damari i ballit. Duke e shqyer gojën vesh më vesh, m’u hakërrua:
-Duhet ta dish, ti edepsëz, ti rrufjan politik, ti ndotësirë, se ligj këtu jam unë. U bë surrati yt i menderosur e i langosur të më tregojë ligjet. E di ti, mor zyllap, mor gjarpër me dy koka, se je lyer kokë e këmbë me m…haleje?!…
Veç sharjeve e kërcënimeve me fjalë, më “përshëndeti” edhe me nja dy grushte e shkelma të forta, duke më thënë:
-Ti, mor rrufjan, ke llomotitur poshtë e lart, duke bërë agjitacion e propagandë kundër sistemit tonë të ndritur socialist. Por dije, mor kopuk e edepsëz, se diktatura jonë e proletariatit ta shkurton gjuhën që në rrëzë. Mundohesh të mos e tregosh aktivitetin tënd armiqësor, je kokëfortë si mushka e i djallëzuar si dhelpra, po këtu te unë s’të shkojnë. Ka pasur burra që e mbanin veten të mençurit e dynjasë e trima të rrallë, shumë më të zote se ti, fytyrë e keqe, që donin ta kyçnin gojën, por i kam mësuar unë qelbanikët, si ta hapnin e të rrëfenin aktivitetin e tyre të fëlliqur armiqësor. Këtu jemi, në dorën time do të jesh e do ta provosh si qeni!
Pas këtij ultimatumi, Lamka shtypi një sustë në tavolinën e tij të punës dhe, sakaq, hyri një polic me sy të hirtë, të cilin e urdhëroi të më vinte prangat e të më çonte në qeli. Ndërsa mua më bërtiti:
-Qëroju plerë, bir bushtre dhe mblidhe mendjen edepsëz! Mos u mundo ta fshehësh veprimtarinë tënde armiqësorë kundër pushtetit, partisë dhe udhëheqësit tonë të lavdishëm, që iu bëftë dita njëmijë e rroftë sa malet! Nuk kishin kaluar as dy orë, kur në qeli u hap dera dhe hyri përsëri polici me sy të hirtë. Më vuri prangat e më çoi prapë në zyrën e hetuesit.
-E mblodhe mendjen bastard? Pa na folë për veprimtarinë tënde armiqësore, bashibozuk!! –filloi Lamka nga pyetjet e zakonshme.
-Nuk di të kem kryer ndonjë veprimtari armiqësore. Përkundrazi, kam punuar me nder! – i thashë.
-Ku e gjete nderin ti, sojsëz! Do ta hapësh atë gojën e qelbur ti armik i betuar e të tregosh, apo…
Unë heshta. Lamkë Lapuraku i hipën xhindet në kokë e më çfryri:
-S’po flet hë! S’do të tregosh me të mirë, ti doç i doçërve?!
Vazhdoja të heshtja, ç’të thosha?! Ai priti pak e më dha një të shtyrë sa rashë praptazi. Koka m’u përplas në mur, ndërsa shpina pas tavolinës. Hetuesi m’i kishte ngulur sytë e kënaqej si po vuaja në heshtje.
-Të dhemb? Do të shkojë, mos ki merak! – më “ngushëlloi”.
Pastaj shkoi te tavolina, shtypi një sustë , hyri polici me sy të hirtë, të cilit i tha:
-Merre qelbanikun dhe shpierë në fole të kalbet!
Polici më kapi nga krahët, duke më hequr zvarrë, ndërsa Lamka te dera m’u drejtua me ironi:
– Ky ishte fillimi. Prapë do të takohemi! Kësaj radhe do të tregohesh më i mençur!
Dhe vërtet “takimet” e mia me Lamkë Lapurakun vazhduan 18 muaj me radhë. Ofezat, sharjet, fjalët e ulëta që s’i ngrinte kandari e zor se i përmbante fjalori i gjuhës shqipe, grushtet e shkelmat s’kishin të sosur. Nga njëherë sillte edhe ndonjë nga miqtë e tij, që të mbante sehir, sa “bukur” dinte të hetonte e t’i trajtonte “armiqtë e popullit”.
-Kemi fakte, mor qen bir qeni, more shkërdhatë, që të akuzojnë për agjitacion e propagandë. Kërkon të kamuflohesh si kameleoni e ta fshehësh veprimtarinë armiqësore, siç i fsheh këmbët gjarpri, por diktatura e proletariatit dhe vigjilenca jonë revulocianare të zënë si miun në çark, mor miu i gjirizeve të ideologjisë borgjezo-revizioniste! – më shfrynte dhe urdhëronte policin të më prangoste e të më çonte në “folenë", e akullt, duke përsëritur refrenin e tij:
-Veri gishtin kokës qelbanik, që të flasësh si duhet, kur të vish përsëri!
Njëherë tjetër më tha se ishte sjellë shumë mirë me mua “bajgën”, as me trëndafil s’më kishte prekur, po mos harroja se qumështin e nënës do më nxirrte në dhomën e torturave, të mos kujtoja se përrallat e mia i hante populli. Se po mos firmosja, unë, “bir bushtre”, atë që kërkonte ai, aty do të ngordhja, si një qen i zgjebosur.
Ditët iknin, javët shkonin, mbyllej viti e fillonte tjetri, ndërsa unë dergjsha në qelinë e lagët. Lamka s’më linte të mbyllja sy as ditën as natën. Një ditë, s’kam për ta harruar deri sa t’i vete tim eti pranë. Lamkë Lapuraku i ngjeshur me një koleksion rripash, vjen vetë në qeli. Me një buzëqeshje të hidhur, që më shumë i përngjante ngërdheshje të një qeni, më thotë:
-Të ngushëlloj se të ka vdekur nëna!
-Kur? – munda ta pyes përmes lotëve.
-Ç’rëndësi ka kur, si e qysh. E vërteta është se ajo ka vdekur dhe është groposur! – Këtë ma tha kur ajo kishte gjashtë muaj që kishte ndërruar jetë.
Kur mbaroi hetimi, dola në gjyq. U gjykova me “drejtësi” dhe përfundova në burg.
Dhe ja Lamka, nga i cili kisha hequr të zitë e ullirit, tani më i moshuar e i pispillosur, ishte “rinovuar” e qe bërë avokat me “diplomë” në xhep për të mbrojtur të “drejtën” (si drapri). Ndërsa gjyqtari që do gjykonte çështjen e pronësisë, ishte po ai gjyqtar që më dënoi ahere, vetëm me një ndryshim se tani ishte bërë kryetar. M’u drodh shpirti e trupi dhe dola nga salla e gjyqit pa thënë asnjë fjalë.