Hija mes Jim Crow dhe Enverit

Këta thonë se "nuk është më Enveri (Enver Hoxha, diktatori komunist)", ndërsa në Shtetet e Bashkuara po shikojnë qartë hijen e Jim Crow.

– Ku është Enveri? Ku more ku?- pyeti kryeministri dhe qeshi me qesëndi kundër atyre që nuk e duan më as hijen e diktatorit. Fotografitë e diktatorit komunist u shfaqen egër nëpër turma njerëzore, pikërisht mbi kokat e qeverisësve të lartë.

Ndryshe ndjehet frika në Shtetet e Bashkuara. Në Shtetet e Bashkuara, që shpesh e thërrasin "kampion i demokracisë", politikanët, vetë presidenti i shtetit dhe mendimtarët, kanë shprehur frikën e një kthimi të hijes së Jim Crow.

Ka edhe një ndryshim tjetër shumë të madh mes dy hijeve: Jim Crow dhe Enver Hoxha:

Ndërsa i dyti ishte një njeri i mishtë e i gjaktë, jetoi 75 vjet në këtë tokë dhe shkatërroi njeriun për dyfishin e jetës së vet… Jim Crow lindi si hije, jetoi si hije dhe vdiq si hije aty nga viti 1965. Nuk ka pasur kurrë në Amerikë një njeri ose një diktator të quajtur Jim Crow. Megjithatë vetë Presidenti Obama shprehu frikën e kthimit të Crow teksa bënte fushatën presidenciale në vitin 2008

… Përsëri mendimtarët dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara shprehën shqetësimin e kthimit të Jim Crow.

Hija e Jim Crow u shfaq në protestat masive të qytetarëve amerikan që nga Ferguson dhe rrotull si rezultat i vendimit të Jurisë që nuk e dënoi policin amerikan Darren Wilson që vrau një adoleshent me ngjyrë, Michael Brown. Amerika u duk se u vendos edhe një herë në udhëkryqin racial. Kriza raciale u shfaq në një audiencë globale. Ky ishte Jim Crow që nuk kishte ekzistuar kurrë si një person, as si një diktator. Jim Crow kishte lindur si një vallëzim satirik disa shekuj më parë; dhe, aty nga viti 1890 tragjedisë së ndarjes raciale i kishin vënë emrin "Jim Crow". Ky ishte… Një ligj absurd që thoshte "Të ndarë, por të barabartë" mes racave në Amerikë kishte marrë këtë emër. Ky ishte ligji i segregacionit ose ligji i Ndarjes mes të bardhëve dhe atyre me ngjyrë.

Ja kaq ishte. Dhe kjo hije, e eliminuar ligjërisht që në vitin 1965, u shfaq si frikë në gjithë Amerikën me rastin e protestave të mëdha alias Ferguson, etj.

Ndërsa hija e Enver Hoxhës, i eliminuar si regjim aty nga viti 1992, sa vjen e afrohet. Shfaqet me fotografitë e tij, shfaqet me mënyrën si u dridhet mjekra politikanëve të majtë kur i përmendin emrin e dashur; shfaqet në politikat e qeverisë që i do njerëzit të dënuar e të munduar; shfaqet në bunkere; në shalle të kuq, në guxim për të mbytur demokracinë, etj.

Megjithatë këta thonë: "Ku e patë Enverin? Ku more ku?", teksa fotografia e tij qëndron mbi koka.

Në Amerikë, kandidati për president, Obama teksa i afrohej fronit të lartë, në vitin 2008, lëshoi idenë se lufta kundër të kaluarës së keqe, kundër ndarjes raciale, sado e vjetër të ishte ndarja, duhej luftuar si e re. Ai tha se duhej luftuar kundër historisë tragjike të skllavërisë, e quajtur Jim Crow.

Sot Amerika ndodhet në një udhëkryq racial, siç shkruajnë mendimtarët dhe vetë presidenti amerikan. Edhe pse po kërcënohen të bardhët nga ata me ngjyrë, edhe pse ata me ngjyrë po marrin një kauzë mbi ligjin, përsëri mendimtarët dhe presidenti mendojnë se "është hija e Jim Crow".

Ndërsa këta këtu thërrasin që të mos kenë frikë nga hija e Enver Hoxhës.

 

E dini pse ndodh kjo? Sepse hija e Enverit nuk shikohet nga ata që e kanë shumë afër. Hija duket nga larg. Enver Hoxha, diktator makabër, nuk është larguar akoma. Kur të ndodhë, atëherë do të trajtohet si Jim Crow.

SHKARKO APP