Hipokrizi qeverisëse
Nga Luan Rama*
Nuk është ndonjë çudi që i gjithë diskutimi, në mënyrë të veçantë i disa prej parafolësve u fokusua te numri, 5 shoferë, 4 magazinierë, 3 nëpunës, 4 roje ku di unë se çfarë, dhe kjo është e qëllimtë për t’a shfokusuar vëmendjen nga thelbi i problemit dhe për të sugjestionuar opinionin se këtu u bëka fjalë për salltanete dhe për privilegje ndaj institucioneve në fakt që ne vetë i kemi votuar. Dhe kur është bërë diskutimi për to, e kemi ngritur shqetësimin që janë shumë institucione që do të kenë nevojë për shumë staf dhe për shumë mbështetje me infrastrukturë dhe financë, por është thënë se ja vlen për shkak të misionit që ato kanë. Do të ishte padyshim shenjë integriteti intelektual dhe serioziteti dhe përgjegjëshmërie gjithashtu që diskutimi për institucionet e Vettingut ti shmangej klisheve tradicionale dhe bajate, që për fat të keq më së shumti jemi mësuar ti dëgjojmë ne këtu në parlament dhe qytetarët që na ndjekin.
Mbi çdo gjë tjetër sot duhet të kishte më shumë sens realizmi e më pak militantizëm, duhet të kishte më shumë arsyetim e më pak patetizëm dhe mediokritet. Mirëpo ja që dhe sot si rëndom në këto 27 vjet në seancat e këtij parlamenti, asgjë që ishte ndryshe, edhe pse çështja që po shqyrtojmë na imponon në fakt një qasje ndryshe, sepse reforma në drejtësi ka domosdoshmërisht nevojë për kontribute gjithëpërfshirëse të ushqyera nga interesi i përbashkët. Për të qenë në koherencë me çfarë ka marrë përsipër qeveria si prioritete të angazhimeve të saj për katër vitet e ardhshme, por dhe për të veçuar një referencë nga programi i qeverisë që ju kolegë të shumicës votuat, më lejoni t’ju sjell në vëmendje se keni marrë përsipër, citoj: jetësimin e Reformës në Drejtësi nëpërmjet ofrimit të të gjithë mbështetjes së nevojshme të realizimit të procesit të Vettingut me sukses si dhe në procesin e ngritjes së institucioneve të reja qeverisëse dhe drejtuese të Gjyqësorit dhe Prokurorisë, të domosdoshme për zbatimin e reformës në drejtësi.
Ky nuk është një slogan besoj, madje unë dua të besoj që është një angazhim parimor, programor dhe qeverisës. Mirëpo pa kaluar as dy javë nga marrja e këtij angazhimi si përgjegjësi dhe detyrim për atë që me të drejtë ju e keni cilësuar jetësimi i reformës në drejtësi, sjellja juaj është e ndryshme, duke na dëshmuar me qëndrimin që mbajtët në komision, por edhe me diskutimet që bëtë sot, se jeni kundër jetësimit të reformës në drejtësi, përmes fuqizimit të institucioneve të Vettingut. Dhe qeverisja juaj sot rezulton të jetë në fakt një hipokrizi qeverisëse, sepse tjetër gjë premtuat dhe tjetër gjë po bëni.
Unë jam dakord me atë që tha kryeministri në një ceremoni farsë, ku nënshkruan marrëveshja bashkëpunimi me njëri-tjetrin, partia me qeverinë, qeveria me partinë, se çështjet e institucioneve të Vettingut nuk janë çështje numrash. Po, nuk është çështje numrash, edhe pse sot ju e trajtuat problemin vetëm si çështje numrash, jo 6 po 4 roje, jo 3 magazinerë, po dy shoferë kemi hequr. Në fakt nëpërmjet kësaj farse tentuat të jepnit një mesazh, një mesazh arrogance dhe papërgjegjëshmërie se Reforma në Drejtësi jeni ju, dhe se ajo do të bëhet vetëm si të doni ju dhe nën kontrollin tuaj, sepse edhe për shkak të votave, ju mund të vendosni vetë çfarë të doni dhe si të doni.
E thashë edhe në fjalën që mbajta në seancën kur u votua dhe u diskutua programi i qeverisë, që çështja e reformës në drejtësi nuk është një ndërmarrje e qeverisë, madje qeveria nuk ka asnjë tagër ligjor, përveç detyrimit që të përmbush të gjitha kondicionet që i imponon ligji për ngritjen dhe funksionimin normal të institucioneve të Vetingut, siç parashikohet në pikën 14, të nenit C të aneksit të Kushtetutës, për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ku shprehimisht thuhet se: Komisioni, Kolegji i Apelimit dhe Komisionerët Publikë kanë buxhet, administratë dhe mjedise të mjaftueshme për të kryer funksionet e tyre si dhe për ushtrimin e funksioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë sipas ligjit. Pra, qeveria nuk ka asnjë tagër, asnjë atribut, asnjë prerogative, asnjë autoritet mbi institucionet e Vetingut. Ky ka qenë vullenti i ligjbërësit, i cili për shkak të rëndësisë që ka në institucionet e Vetingut në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ju ka dhënë atyre statusin e institucionit kushtetues, madje në mënyrë eksplicite, pra të drejtpërdrejtë është sanksionuar në pikën 3 të Nenit C, se anëtarët e komisionit dhe komisionerët publik gëzojnë statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, ndërsa gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit gëzojnë statusin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Ky përcaktim nuk ka qenë një zgjedhje e bërë për reciprocitet formal, por për ti dhënë Reformës në Drejtësi institucione solide dhe kredibël, me integritet dhe autoritet ligjor që të përmbushin misionin e tyre në pavarësi të plotë dhe funksionale.
Prandaj, po, z.Kryeministër çështja e këtyre institucioneve nuk është çështje numrash, pra as çështje e numrave të shumicës tuaj. Është një çështje jetike e jetësimit të Reformës në Drejtësi. Është çështje besimi që qytetarët e këtij vendi të kenë, jo drejtësinë e re që premtuat ju sipas konceptit arkaik e të tejkaluar të shtetit ligjor, por Drejtësinë si institucion të së drejtës në shtetin e së drejtës.
Mirëpo çfarë bëtë ju z.Kryeministër? Gjymtuat propozimet e sjella me projeksione minimaliste nga institucionet e Vettingut dhe sollët në Kuvend projektin tuaj, që në fakt është projekti i dështimit të këtyre institucioneve, duke pamundësuar kësisoj që në nisje përmbushjen e misionit të tyre. E bëtë këtë për t’ju thënë komisionerëve të Vetingut, se nuk jeni ju, por jemi ne që vendosim, jemi ne që përcaktojmë, jemi ne që kontrollojmë, dhe jemi ne që do t’ju tregojmë ju se si bëhet Vettingu.
Pa hyrë në shumë detaje, po veçoj një episod nga diskutimi që kolegët e shumicës parlamentare kanë bërë në komisionin e ligjeve për të kuptuar se në çfarë standardesh intelektuale e keni zbritur nivelin, që për lakonizëm gjuhësor po e citoj të mjeruar. Një nga diskutantët kishte dëgjuar që institucionet e Vetingut janë institucione kushtetuese, njësoj si ata amatorët që u bien instrumenteve pa e njohur solfezhin në vesh, tha që meqë këto kanë statusin e institucionit kushtetues dhe meqë njëri prej tyre është pranë Gjykatës Kushtetuese, nuk ka nevojë për administratë, por le të përdorë administratën e Gjykatës Kushtetuese. Është njësoj të thuash që meqë Kuvendi është përballë Kryeministrisë, Kuvendi nuk ka nevojë për administratë, por le të përdorë administratën e Kryeministrisë.
Mirëpo sot kur dëgjova Kryeministrin këtu, se për shërbimet e përkthimit dhe të komunikimit me partnerët ndërkombëtarë do të përdoret Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, e kuptoj që kjo qenka filozofia e trajtimit dhe e vlerësimit të institucioneve kushtetuese. Po çfarë pune do të ketë Ministria e Jashtme me korrespondencën apo me përkthimin e materialeve të institucioneve të Vetingut, kur presupozohet që në atë të Ministrisë së Jashtme mund të ketë subjekte, që do të jenë subjekte të hetimit apo të vlerësimit nga komisionet e Vetingut se mund të jetë një grua, një motër, apo një vëlla gjyqtari. Si mund të hyjnë në aksesin e institucioneve të Vetingut përfaqësuesi apo punonjësi i një institucioni tjetër?!
Ja pra, ky është koncepti dhe projeksioni juaj për institucionet e Vetingut, ky është vizioni juaj për Pavarësinë funksionale të institucioneve kushtetuese. Jemi ende në kohë që të reflektojmë që ti japim institucioneve të Vettingut optimumin e mundësive që të kryejnë detyrën.
Ne kemi paraqitur një projekt, natyrisht e kemi bërë këtë, jo për sfidë dhe as për karshillëk ndaj jush. E bëmë që të ofrojmë një mundësi zgjidhje racionale dhe të dobishme. Është një mundësi oportune dhe për ju që të kontribouni realisht në jetësimin e Reformës në Drejtësi, por edhe që ti shpëtoni nderin shumicës suaj.
Mos paragjykoni. Mos jini refraktar, por reflektoni me urtësi dhe ejani të votojmë së bashku. Por meqënese kryeministri foli këtu për opozitë të kokës dhe të bishtit, meqë ju jeni dhe koka dhe bishti vetë; dëgjoni se çfarë ka thënë shkrimtari i shquar i shekullit të 19-të, Samuel Butler: Karakteristikat e vërteta të injorancës janë kotësia, krenaria dhe arroganca. Këtë e kam për profilaksi, dhe jo për akuzë.
*Fjalimi i mbajtur në Kuvend