Hipokrizia e tre lapsave në xhepin e Ramës
Po të isha gazetar i “The Indipendent”, edhe mua mund të me bënte përshtypje pozitive gjetja me tre lapsat në ngjyrat e flamurit francez te xhepi i xhaketës së Kryeministrit shqiptar gjatë manifestimit të solidaritetit në Paris. Por edhe pse nuk jam gazetar anglez, kjo nuk më pengon që të gjej here pas here suksese stilistike në performancën e tij, ndonëse unë jam kundërshtar politik dhe ekzibicionizmi nuk ka të bëjë fare me shijet e mia. Ka pasur edhe raste të tjera që Edi Rama ia ka qëlluar me simbole apo metafora të ngjashme me atë të marshimit “Je suis Charlie”. Dhe nuk kam asnjë kompleks po të them se ai përgjithësisht nuk ka probleme me formën, por i ka shumë të rënda me përmbajtjen e gjërave që thotë dhe bën. Por çështja është se unë jam qytetar shqiptar, i cili nuk ka nevojë të prese edhe fjalimin e fundit të Kryeministrit pasi u kthye në Tiranë, për të ardhur në përfundimin se e gjithë shfaqja me regji qeveritare e Shqipërisë në kryeqytetin francez, në mos e shpifur, ishte të paktën e ekzagjeruar në hipokrizi. Për të cilën askush nuk ka nevojë, aq më pak Franca e goditur mu në zemër nga terrorizmi. Europa dhe bota perëndimore, gjithashtu. Dhe kjo nuk ka të bëjë fare me faktin se e shoh Kryeministrin me syzet e errëta të kundërshtarit. Por sepse e gjithë fushata ishte sa disproporcionale, aq edhe e shtirur. Edi Rama u përpoq të merrte rol protagonisti në Paris për një çështje që më së paku Shqipërisë nuk i takonte të nxirrte gjoksin e para. Jo thjesht për peshën e saj tërësisht modeste në aspektet e sigurisë botërore dhe europiane, se kjo do të kapërdihej në një farë mënyre. Por, mbi të gjitha, për situatën dramatike të lirive dhe të drejtave të njeriut në vend, ne nuk mund të ishim në pararojë të solidaritetit me viktimat e ngjarjeve të përgjakshme në Francë. Është e vërtetë se në Shqipëri nuk ka pasur gazetarë apo karikaturistë të vrarë për shkrimet apo vizatimet e tyre, por është gjithashtu e vërtetë se mu në mes të Tiranës të shembin shtëpinë pa të dhënë asnjë shpjegim, e jo me një copë letër të firmosur dhe vulosur nga një institucion shtetëror. Ku të rrethojnë biznesin dhe nuk të lënë të futesh në pronën tënde, pa asnjë vendim qeverie apo gjykate, dhe nuk ke kujt t’i ankohesh. Se në këtë vend mund të burgosesh për një faturë të papaguar energjie, madje të lënë të vrasësh edhe veten, por nuk të prekin as një fije floku po të kesh vrarë 20 veta mu në mes të pazarit. Se vetëm këtu mund të ndodhë që leksionet më të mëdha për luftën kundër korrupsionit t’i mbajnë ata që i kanë parë të gjithë me zë e me figurë duke vjedhur dhe ku votat grabiten me lopatë sa herë ka zgjedhje, dhe e gjitha kjo quhet zotësi. Është një vend ku vërtet nuk qëllohen gazetarë, por ku vritet në një farë mënyre i gjithë shtypi, i cili ose korruptohet dhe blihet, ose goditet dhe kërcënohet nga qeveria, dhe ku në rastin më të mirë, lihet me orientim nën mëshirën e bandave të rrugës, pavarësisht se ato ende nuk kanë ndonjë lidhje të qartë apo shqetësuese me radikalët islamikë. Jam shumë i sigurt që në rast se francezët do të kishin të njëjtin standard të drejtash dhe lirish me tonat, ata të dielën nuk do të ishin duke marshuar kundër terrorizimit ekstrem që vrau gazetaret e “Charlie Hebdo”, por në radhë të parë kundër qeverisë së vet, që do ta konsideronin përgjegjëse për shkeljen e tyre. Sepse çdo ekstremizëm, sado fanatik që të jetë, është kurdoherë me pak i rrezikshëm se terrorizmi apo krimi shtetëror. Francezët e quajnë problem të rëndë faktin që edhe njëri prej tyre të përndiqet, të dënohet apo vritet për shkak të ideve të tij, kushdo qofshin ato, jo thjesht se në Francë liria e pakufizuar është qëllim në vetvete. Por se atje dhe në shumë vende të tjera të Europës dhe Perëndimit në përgjithësi konsiderohet e mbyllur beteja me liritë dhe të drejtat e tjera, si vlera universale, jo vetëm të pranuara, por edhe të mbrojtura fort kryesisht nga shtetet e pjesës më të zhvilluar të botës. Ne duhet të kemi një minimum sinqeriteti në raport me partnerët, por qoftë edhe me veten tonë, me njëri-tjetrin, këtu në këtë cep të botës ku jetojmë. Ne nuk mund të marrim flamurin e pikëllimit dhe të solidaritetit për “Charlie Hebdo”, sepse ne nuk mund ta përjetojmë atë njësoj si europianët e tjerë. Jo se jemi më pak të ndjeshëm se ata për atë që ka ndodhur, por sepse shoqëria jonë lëngon nga plagë edhe më të rënda, që e gërryejnë dhe e vrasin pa mëshirë çdo ditë. Fjala vjen, liria e shprehjes nuk ka qenë kaq prioritare, sa ç’është sot, për Francën 70 vjet më parë, kur ajo dhe gjithë Europa ishin të pushtuara nga hordhitë e Hitlerit. Që do të thotë se edhe vlerat universale të shoqërive demokratike kanë një raport të caktuar me kohën dhe rrethanat. Ne nuk mund të shkëpusim nga konteksti francez apo perëndimor tragjedinë e Parisit dhe kërcënimin e radikalizmit të terrorizmit islamik dhe t’ia veshim si vello edhe Shqipërisë për t’u dukur po aq europianë sa francezët, gjermanët, britanikët dhe të tjerët. Për shkak të radikalizmit politik dhe të bjerrjes së standardeve të lirisë dhe të drejtave të njeriut në vend ne nuk e kemi atë “luks”, ndaj edhe nuk na shkon të shtiremi. Sot jo vetëm Kryeministri, por edhe një tufë isoxhinjsh mediatikë po përpiqen të na bindin se liria e shprehjes dhe mbrojtja e saj nga fanatizmi fetar, është po kaq e rëndësishme në Tiranë sa edhe në Paris. Ata duan të mallëngjejnë me tre lapsat në xhaketën e Edi Ramës apo me shfaqjen e ideuar prej tij të 4 përfaqësuesve të komuniteteve fetare në homazhet e Parisit, por ky, për mua, është një mision i pamundur. Nëse duam vërtet t’i gjendemi në krah Francës, Europës së Bashkuar, Perëndimit në përgjithësi, nuk mjafton të shprehim dhimbjen dhe mbështetjen kur ndodhin tragjedi të tilla si ajo në redaksinë e gazetës satirike parisiene. Nëse duam të kontribuojmë vërtet për paqen dhe sigurinë në botë, nuk ka nevojë t&e
uml; shqyhemi në mes për të çuar patjetër ca ushtarë në vatrat e nxehta të konflikteve, si vend i NATO-s, ndërkohë që shkelim mizorisht mbi të gjitha parimet e Aleancës së Atlantikut. Nga ne nuk e pret njeri që të rrëmbejmë flamurin e mbrojtjes së vlerave të qytetërimit perëndimor, jo thjesht se nuk kemi kë trembim. Por mbi të gjitha se nuk kemi me se të mburremi. Jemi të njëjtët që vetëm 2 javë përpara u desh të vinin dy burra nga Brukseli për të na bërë bashkë në Parlament. Ndaj edhe duket kaq i pakuptimtë protagonizmi në Paris, i cili vazhdon të qëndrojë i ndezur prej ditësh edhe në Tiranë. Edi Rama mund të mos ishte fare atje dhe askush nuk do ta vinte re mungesën. Natyrisht, nuk e qorton njeri se shkoi, por për aq sa ka bërë këto vite për atë kauzë, që mblodhi miliona europianë në shesh, duhet të zinte një cep e të mos ndihej. Solidariteti real me Francën është që ne të përqafojmë, mbrojmë dhe luftojmë çdo ditë për vlerat europiane për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe tolerante, në qendër të së cilës është një shtet demokratik. Ne nuk mund të qajmë në Paris për “Charlie”-n që vrasim përditë në Tiranë. Sepse bëhemi sa të pabesueshëm, aq edhe qesharakë, në një moment realisht shumë serioz për gjithë planetin.
ASTRIT PATOZI