Hiqni qafe derrat!
Imer Mushkolaj
Nuk është e lehtë për kafshët kur pushtetin e marrin derrat. Në atë rast nuk vlen as parimi “të gjitha kafshët janë të barabarta”. Sepse, derrat në pushtet janë më të barabartë, krahasuar me kafshët tjera dhe heqja e tyre nga pushteti është sfidë e vërtetë. Të paktën kështu ndodh në Fermën Manor, në romanin e George Orwellit “Ferma e kafshëve”, që si shfaqje teatrale është dhënë ditët e fundit në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, në regji të Ilir Bokshit. Një rrëfim universal për tradhtinë, tiraninë, korrupsionin e diktaturën, por që duket si të jetë i shkruar për Kosovën dhe kosovarët.
Pas rrëzimit nga “pushteti” të pronarit të fermës, Jones, puna krysore e derrave është që t’i bindin kafshët tjera se ata janë të duhurit për ta udhëhequr fermën. Dhe, për ta arritur këtë qëlim, derrat nuk ngurrojnë të gënjejnë, mashtrojnë, shantazhojnë, madje edhe të mbysin kafshë që i kundërshtojnë dhe iu dalin përpara. Në rrugën e tyre drejt marrjes së pushtetit, derrat harrojnë edhe parimet që i kishin vendosur bashkërisht për jetën në fermë. Ata nuk ngopen, duan privilegje, duan shumë pushtet, duan sa më shumë pushtet, duan pushtet pa fund dhe aq u bën që shkelin mbi të tjerët, mbi ata që i sollën në pushtet me shpresën se do të udhëheqin mirë. Ata i marrin për vete qumështin dhe mollët më të mira, sepse nuk e kanë të lehtë, nuk e kanë aspak të lehtë – iu duhet të mendojnë se si ta udhëheqin fermën sa më mirë. Iu duhet të shkrijnë mend për kafshët tjera. * * * Derra si të “Fermës… “ së Orwellit ka sa të duash në Kosovë. Edhe në pushtet. Derra me shumë pushtet. Të atillë që s’kanë zgjedhur rrugë as mjete për të ardhur aty ku janë. Të tjerë që kanë qenë dje në krye të shtetit, e provojnë të vijnë sërish. Ka të atillë që kanë bërë gjithçka “për të mirën tonë”, duke u pasuruar e privilegjuar pa fund. Duke i marrë për vete mollët dhe qumështin më të mirë. Të atillë që mashtrimin, shantazhin e kërcënimin, por edhe vrasjen e kundërshtarëve i kanë pasur dhe i kanë mjetet më të dashura për t’i arritur qëllimet. Sot ata krekosen si derra të majmë, pa frikë se dikush nga “kafshët” tjera mund t’i rrezikojë, mund t’ua cenojë jetën luksoze që bëjnë, mund t’ua hetojë të kaluarën e dyshimtë, mund t’ua konsfiskojë pronat e pasurinë e fituar po ashtu në proces të dyshimtë privatizimi apo të uzurpuara me forcë. Sot të tillë derra na mbajnë leksione demokracie, thonë se po shkrihen për ne. Ata kanë zaptuar institucione e kompani publike, duke i konsideruar si pronë të veten. Ata vendosin për gjithçka që ka të bëjë me fermën e quajtur Kosovë. Ata përsëritin se parim kryesor e kanë barabarësinë për të gjithë dhe thonë se askush nuk është mbi ligjin, por vetë janë më të barabartë se të tjerët dhe ligjin e marrin në duart e veta. Dhe, ndonjëherë përpiqen të na frikësojnë me mundësinë e kthimit të pronarit të fermës, Jonesit.
Tash sa vjet ata e mbajnë peng jetën në fermë. * * * Sfida më e madhe e kosovarëve është si t’i heqin qafe këta derra. Të çlirohen njëherë e mirë nga fuqia e tyre, nga derrllëqet e tyre. Të ndjehemi të lirë në fermën tonë, pa ua dhënë atyre qumështin më të mirë dhe mollët më të mira. Ata që s’e kanë lexuar ende romanin e Orwellit duhet ta bëjnë sa më shpejt një gjë të tillë. Ose të shkojnë dhe ta shohin shfaqjen e Ilir Bokshit. Secili do ta gjejë veten në ndonjërën nga kafshët që udhëhiqen nga derrat – qoftë si kali fisnik Boxer, qoftë si korbi Moisi. Vetëm pasi ta kemi lexuar Orwellin dhe pasi ta kemi parë shfaqjen do të kuptojmë se përse heqja qafe e derrave është patriotizëm i vërtetë. Vetëm atëherë do të kuptojmë se vërtet jemi pjesë e një ferme të madhe, dyert e të cilës hapen rrallë dhe atëherë kur duan derrat. Vetëm atëherë do ta kuptojmë se çfarë kafshësh të pashpresa jemi, përderisa lejojmë të na qeverisin derrat. Përderisa lejojmë që ata të luajnë me ne, ndërkohë që ne i vështrojmë nga poshtë dhe iu bindemi lojërave të tyre të ndyta. Secili duhet të vetëdijesohet se derrat me pushtet dhe në pushtet janë të rrezikshëm për Kosovën, ashtu si në “Fermën e kafshëve”. Ata duhet hequr qafe sa më shpejt, në mënyrë që të çlirohemi dhe të shohim nga e ardhmja. Nuk guxojmë të mbetemi peng i derrave. Nuk guxojmë te lejojmë që e ardhmja jonë të mbetet peng i tyre. Këtë e kemi në dorë ne kafshët tjera.