Histori e vjetër, vota me qera

 

Nga Lorenc Vangjeli

Kush mbronte dje, sot vetëm sulmon

Nuk ka asnjë shkelje ligji. Dikur, në kohën e komunizmit kishte një sistem absurd, shumë më të vështirë për t’u kaluar edhe se vizat e djeshme për në vendet e BE-së. Po të ishe banor i Malësisë së Madhe, për shembull, nuk mund të shkoje dot për asnjë arsye të zgjidhje të jetojë në Shkodër. Qoftë dhe anasjelltas. Organe të tëra shtetërore merreshin me atë që dikur quhej pasaportizim. Sot një gjë e tillë është fare e lehtë. Nëse vërteton se ke një banesë apo dhe një kontratë qeraje, mund të zgjedhësh të jetosh në çdo cep të vendit, vetëm duke u regjistruar në zyrat e gjendjes civile. Dhe statusi i ri të jep të gjitha të drejtat e një qytetari të asaj njësie që ke zgjedhur për të jetuar. Përfshi dhe të drejtën e votës. Dhe kjo është një e drejtë universale.

 

Kjo histori e pasaportizimeve të reja doli sërish në skenë, siç është zakoni, përpara çdo lloj zgjedhjesh, edhe këtë javë. Vangjush Dako, kryetar i bashkisë së Durrësit u vu nën akuzë politike për transferimin e disa qindra qytetarëve për në Durrës. Katër vjet më parë, një industri e vërtetë lëvizjeje dhe qarkullimi votuesish u bë me Tiranën. Qindra e mijëra qytetarë, ishin zhvendosur nga çdo skaj i Shqipërisë për të votuar kundër Edi Ramës. Të gjithë ligjërisht në rregull, nëse nuk viheshin re absurditete të tilla, si ai që, sipas kontratave të qerasë, në 10 metra katror jetonin deri në 20 vetë. A ka qenë e paligjshme dje? A është e paligjshme sot që përsëritet e njëjta gjë, por në vlera shumë herë më të vogla dhe në mënyrë tërësisht më të kufizuar?

Në të dy rastet përgjigja është mohuese. Ka vetëm një dëm moral, por që mund të ndodhë edhe të ndryshojë kahun e votës, siç ndodhi katër vjet më parë me Tiranën. Do të ndodhë e njëjta gjë me Durrësin? Kjo është një pikpyetje që do edhe disa javë që të marrë përgjigje. Por një gjë është e qartë: kush mbronte dje lëvizjen e lirë të qytetarëve, sot është në sulm kundër saj. Për shkak të votës. Për shkak të dyshimeve. Për shkak të dilemës që mungon: çdo gjë që bën kundërshtari është e dyshimtë.

SHKARKO APP