Historia e luftës me ‘Klanin e Zemunit”. Pse u haruan akuzat?

 

Ish ministri i Bujqësisë në qeverinë Nano, Agron Duka, i cili kërkon të kandidojë për të djathtën në Bashkinë e Durrësit, është munduar të shfajësojë Sali Berishën, i cili e etiketonte shpesh në fillim të viteve 2000, si anëtar të Klanit të Zemunit. Ky epitet që vinte nga një paralelizëm me grupin trafikanto-mafioz që kontrollonte lagjen me të njëjtin emër në Beograd dhe që akuzohej për vrasjen e kryeministrit Xhinxhiq, u përdor me dhjetra herë nga Berisha, si në parlament, në kohën kur ai akuzonte "ansamblin babëzia", po ashtu edhe gjatë mitingjeve të tij. Por sot, i gjendur në rradhët e së djathtës, Agron Duka thotë në një intervistë për revistën Java, se akuzat e Sali Berishës ndaj tij, kanë qenë të nxituara dhe me natyre politike.

 

Sipas Dukës, koha tregoi se ai nuk ka pasur asnjë lidhje me “Klanin e Zemunit”.

 

“Nuk besoj se ndikon absolutisht historia ime e vjetër me Berishën, sepse koha që unë ndenja jashtë politikës, në tetë vjetët e fundit, provoi indirekt se ato u thanë kundër meje nuk u vërtetuan. Unë isha dhe jam në biznes por askush nuk ka provuar dot asnjë akuzë.

Pati një tërheqje thuajse totale nga ato që u thanë, kurse unë nuk u ngacmova më kurrë në biznesin tim, pavarësisht se në atë kohë unë isha në opozitë. ".

Këto që thotë Duka mund të jenë të vërteta, por në fund e gjitha kjo rezulton një aferë e neveritshme, që dëshmon mungesë të thellë morali politik dhe mungesë respekti ndaj qytetarëve. Pyetja e parë që shtrohet është: Si ka mundësi që Agron Duka, nëse ndihet i pastër, pranon të kandidojë në koalicion me Berishën? Në rastin më të mirë, ky i fundit duhej t’i kish kërkuar falje, për të ngjizur një bashkëpunim të mëtejshëm. Po nëse Berisha nuk i ka kërkuar asnjëherë falje (ashtu sikurse bëri në mënyrë të turpshme me Nanon, kur i duhej kundër Ramës), pra nëse ai i qëndron akuzave, pyetja tjetër që shtrohet është: si ka mundësi që ai e pranoi Dukën në koalicionin e 23 qershorit dhe si ka mundësi që sipas të gjitha gjasave, ai do e mbështesë për bashkinë e Durrësit?

Por e gjithë kjo histori, nuk mbaron këtu. Sepse fabula e Klanit të Zemunit vazhdon edhe më tej. Duke qenë se sipas Berishës në të bënte pjesë edhe Lefter Koka (të dy kunetërit ish-miq të afërt të Nanos), këtë akuzë e përdori edhe Ilir Meta. Në mitingjet e tij të para kur po përgatiste ndarjen nga Nano dhe krijimin e LSI-së, Meta pretendonte se po e bënte këtë ndarje të së majtës, për të luftuar qeverisjen monopoliste të Nanos. Dhe natyrisht si një nga simbolet e saj Meta merrte Klanin e Zemunit. Por nuk kaloi një pesëvjecar dhe papritmas Lefter Koka u gjend në krye të listës së LSI-së për Durrësin. Me emrin e tij, partia e re, po ballafaqohej në të parën përballje me elektoratin. Ajo që ndodhi më pas është e njohur. Lefter Koka u rikandidua më 2013 dhe tanimë është edhe anëtar i kabinetit. Edhe meta ashtu sikurse Berisha, e kanë harruar klanin e Zemunit.

Nga akuzat e dhjetë viteve më parë, ashtu sikurse thotë në intervistën e tij, Agron Duka, nuk është provuar asgjë. Sot ata që lideri i paepur i PD-së i thërriste zemunarë, janë njëri në koalicion me Berishën dhe tjetri në partinë e Metës.

Askush nuk i dëgjon më akuzat e vjetra. Të prekurit bëjnë sikur i kanë harruar: "Ishin politke" thotë Duka. Akuzuesit nuk i përmendin më se nuk ju duhen. Të gjithë bashkë mendojnë me cinizëm: "Kush i hëngri, i hëngri". Ndërsa ata që votojnë, janë prapë të detyruar të shkojnë në zgjedhje duke ngrënë përherë të  njëjtën gjellë, që herë pas here u serviret në pjata të reja.(lapsi.al)

SHKARKO APP