Historia e të fortëve në politikë, ose çfarë të mbjellësh, do korrësh

Kryeministri Rama dhe përballja e tij me Doshin është vetëm pjesa e dukshme e këtij flirti mes politikës dhe krimit. Rama ka shumë të drejtë të flasë për mbjellje dhe korrje. Dukshëm, një vit e gjysmë pasi mori pushtetin, ai është duke korrur atë që ka mbjellë.

 

Nga Gjergj Erebara, BIRN

 

 

Kryeministri Edi Rama përdori alegorinë e të mbjellave dhe të korrave në një fjalim që mbajti para grupit të vet parlamentar me rastin e përjashtimit të deputetit Tom Doshi nga grupi i vet parlamentar. Sipas Ramës, ai ka mbjellë reforma sot për të korrur sukses nesër, ose më saktë, më 2017.

Shumëkush mund të mos jetë dakord me këtë interpretim të qeverisjes së tij një vit e gjysmë pasi ka marrë pushtetin, por alegoria vlen. Doshi është produkt i mirëfilltë i praktikave të politikës shqiptare të 20 viteve të fundit, praktika që duket sikur nisën rreth vitit 2000, në zgjedhjet për pushtetin vendor të asaj kohe, kur Partia Socialiste vendosi të kandidojë “biznesmenë” në një pjesë të bashkive e komunave me mendimin se këta “biznesmenë” do të sillnin vota më shumë nga sa sillte vetë Partia Socialiste.

Deri në atë pikë, këta “biznesmenë” qenë përdorur për të rrahur popullin në raste zgjedhjesh, por rrallëherë u qe dhënë pushtet real. Natyrisht që një pjesë e kandidatëve të tillë qenë biznesmenë pa thonjëza, dmth që nuk e kishin kapur pasurimin me trafiqe apo prostituta.

Diskutimi në qarqet politike qe që është më kollaj të kandidoshnjë “të fortë” për kryetar komune apo deputet, se sa të kandidosh mësuesin e fshatit. Ky i fundit është tepër i butë. Nisi kështu një garë ku partitë i përgjigjeshin njëra-tjetrës me gjithnjë e më shumë “të fortë”.

Pastaj erdhën zgjedhjet e vitit 2001, ku të ashtuquajturit “biznesmenë” u shfaqën me forcë nga të gjitha krahët e jetës politike shqiptare duke përcaktuar shpesh fatin e zgjedhjeve. Nëse një pjesë e shqiptarëve e kanë harruar, duhet t’ia kujtojmë që zgjedhjet në atë kohë në Shqipëri bëheshin me ndeshjen në 100 zona në maxhoritar dhe me 40 poste deputetësh që shpërdaheshin në mënyrë kompensuese për partitë sipas votave që kishin marrë në rang kombëtar.

Zgjedhjet në maxhoritar qenë në dy raunde, ku kandidatët që nuk fitonin dot në raundin e parë mbi 50 për qind të votave, hynin në balotazh.

Ajo që ndodhi më 2001 qe që më shumë se gjysma e zonave elektorale shkuan në balotazh.

Mes dy raundeve, “biznesmenët” por në disa raste edhe “profesorët”, dmth zyrtarët e partive politike me aktivitet akademik, u përfshinë në një pafundësi manipulimesh, nga shantazhimi i votuesve të blerja e komisionerëve, manipulimi i rezultateve zgjedhore të raportuara, etj.

Si të mos mjaftonte kjo, shumë deputetë iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, në atë kohë, autoriteti që diskutonte mosmarrëveshjet zgjedhore. Kjo gjykatë rishpërndau rreth një të tretën e mandateve të parlamentit. Një titull gazete pas një vendimi të gjykatës për dhënien e mandateve një serie deputetësh qe: “Pleqtë e kushtetueses e mbajnë mirë me të fortët”. Thelbi qe që vendimet e kushtetueses nuk mbartnin ndonjë logjikë anësie politike apo ligjore, ata mbartnin tiparet e frikës. Kandidatët për deputetë, në të majtë apo në të djathtë, të konsideruar si “të fortë”, e morën mandatin. Ata që u konsideruan si, fjala vjen, intelektualë, e humbën.

Viti 2001 shënoi angazhimin e të fortëve drejtpërsëdrejti si kandidatë, gjë që i hapi rrugën e politikës njerëzve me të shkuar apo të tashme të dyshimtë.

Intensiteti i manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2001 qe i tillë sa ndërkombëtarët, megjithë pasivitetin e tyre tipik, i cilësuan ato si “zgjedhje më të mira në krahasim me vitin 1997”.

Tri ishin ndryshimet drastike që sollën zgjedhjet e vitit 2001 në sistemin zgjedhor dhe në thelbin e të ashtuquajturës demokraci shqiptare: a) Balotazhi u hoq si koncept, për shkak se u besua që vendit mund t’i kurseheshin sherret e “biznesmenëve” mes zgjedhjeve të para dhe balotazhit. b) Gjykatës Kushtetuese iu hoq e drejta për të gjykuar mosmarrëveshje zgjedhore dhe iu kalua gjykatës së Apelit. c) Qendrave të votimit iu hoq e drejta për të numëruar votat dhe u krijuan qendrat zonale të numërimit, me mendimin që 100 apo më pak qendra numërimi do të monitoroheshin më lehtë dhe rrjedhimisht, nuk do të kishte vjedhje.

Të trija problemet, dhuna mes dy zgjedhjeve, gjykata kushtetuese me bëmat e saj dhe manipulimi i numërimit në fakt qenë pasoja dhe jo shkaqe. Qenë pasoja të flirtit të politikës me krimin dhe mungesës së vullnetit të politikës për të dënuar krimin, qoftë për krime zgjedhore, qoftë për krime të tjera.

Të treja zgjidhjet qenë si receta të doktorit të Mesjetës. Të dhëmb gishti, prite!

Pas zgjedhjeve të vitit 2001 pati një farë debati se si mund të shmangej kriminalizimi i politikës. Termi i përdorur në atë kohë qe: “Si të shmangen ‘të fortët’ nga zgjedhjet”.

Përgjigjja u dha në vitin 2008 me krijimin e sistemit të listave të mbyllura. U supozua që, nëse partitë nuk do të kishin përballje kandidat për kandidat në zonat elektorale, nuk do të kishin arsye të kandidonin gangsterë për të fituar zgjedhjet. Në realitet ndodhi e kundërta. Përdorimi i krimit në zgjedhje duket se u shtua, duke shënuar kulmin më 2013. Kësaj rradhe nuk qenë thjeshtë partitë, por qenë krerët e partive ata që zgjodhën kandidatët siç deshën, gjë që e bën përgjegjësinë edhe më të ngushtë dhe më personale.

Kryeministri Rama dhe përballja e tij me Doshin është vetëm pjesa e dukshme e këtij flirti mes politikës dhe krimit. Rama ka shumë të drejtë të flasë për mbjellje dhe korrje. Dukshëm, një vit e gjysmë pasi mori pushtetin, ai është duke korrur atë që ka mbjellë.

SHKARKO APP