Historia tragjike e pushkatimit të poetit Trifon Xhagjika
Nga Mero Baze –
Gjithçka ka nisur më 20 korrik 1963. Një shofer i parkut automobilistik të Korçës, ka trokitur në Degën e Punëve të Brendshme në Pogradec dhe ka denoncuar se “një major që kishte marrë në makinë nga Elbasani, zbriti pa pritur në rrugën Qafë Thanë – Pogradec, afër lapidarit të Reshit Çollakut”.
Shoferi e ka përshkruar majorin, me një çantë shpine ushtarake, dhe që priste dy civilë të tjerë që do të vinin me një makinë tjetër pas tij, të cilët kishin hipur në Elbasan.
Përshkrimi i shoferit, ashtu siç është shkruar në dosjen e hetuesisë e le të paqartë, nëse këtë detajin që “majori do të takonte dy civilë”, e ka thënë ai, apo e ka shtuar hetuesi.
Por për ta bërë të plotë pamjen, hetuesi përshkruan se “pas pak mbërriti dhe shoferi i dytë, po i Parkut të Korçës, që raportoi në Degën e Brendshme për zbritjen e dy civilëve të tjerë në të njëjtin vend. Quheshin Thoma Rafaeli, Vangjel Lesho dhe Franko Sara”.
Në çantat e shpinës ju gjetën tre kamerdare makine, 6 salvaxhente për të lidhur varkën në breg, gjashtë lopata të vogla dore për të lëvizur varkën e përgatitur me kompensatë, një bajonetë, një thikë dore, një elektrik dore i izoluar, për t’u ruajtur nga uji, një revolver sovjetik, pagure me pije alkolike dhe dokumenta të tjera personale.
Pas një rezistence të vogël, sipas hetuesit, ata kanë pranuar planin: “Do të arratiseshim për në Jugosllavi”.
Nga këtu zë fill arrestimi dhe ndëshkimi i grupit më politik antikomunist të viteve ’60. Katër të tjerët do të arrestoheshin në shtëpitë e tyre.
Ata ishin Trifon Xhagjika, Fadil Kokomani, Robert Vullkani dhe Stavri Rafaeli, vëllai i Thoma Rafaelit.
Nga i gjithë ky grup, dy vetë u pushkatuan, Trifon Xhagjika dhe Thoma Rafeali. Dhe Trifoni është i vetmi që as tentoi të arratisej, pasi grupi nuk ka dashur ta marrë me vete.
Të tjerët u dënuan me nga 25 vite burg, por më pas u pushkatuan në revoltën e Spaçit në vitin 1973.
Dalimet mes Trifon Xhagjikës dhe grupit të arrestuar
Më 23 gusht të 1963 Trifon Xhagjika ishte para hetuesve të tij, kapiten Rustem Çipi dhe prokurorit Major Sami Kapllani, duke rrëfyer “veprimtarinë armiqësore” kundër pushtetit popullor.
E kam lexuar me shumë kujdes gjithë dosjen e tij dhe gjithë dosjet e grupit prej 7 vetësh.
Është një dramë e vërtetë, ku përfshihet sinqeriteti antikomunist i Trifon Xhagjikës, mungesa e besimit të ndërsjelltë që grupi kishte për atë që bënte, infiltrime të bashkëpunëtorëve të Sigurimit brenda tyre dhe në fund pushkatimi i tij tragjik.
Trifon Xhagjika duket se është bërë pjesë e këtij grupi, prej miqësisë me Vangjel Leshon, ish gazetar i Radio Tiranës dhe mik me Trifonin.
Pas dy-tre javësh hetime të vështira dhe torturuese Vangjel Lesho, gazetari që kishte tentuar të arratisej për t’u bashkuar me ish gruan e tij ruse, që i kishte marrë dhe vajzën me vete, pranoi se në grupin e tyre ishte dhe Trifon Xhagjika.
Më 15 gusht të vitit 1963, ai ka pranuar para hetuesit se në shoqërinë e tij bënte pjesë dhe Trifon Xhagjika.
“Që kur më iku gruaja me vajzën, Trifoni vinte vazhdimisht tek unë dhe më hiqte mërzitjen. Meqë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik ishin prishur ne bisedonim se si do të shkonin tani këto punë. Trifoni më tha se nuk e di se çfarë mendon ti, por nuk më duket mirë kjo punë. Në këtë çështjen me sovjetikët, ne shqiptarët nuk kemi të drejtë.”
Grupi ishte pasqyrë e refleksionit të shoqërisë shqiptare pas prishjes me Bashkimin Sovjetik. Nga i gjithë grupi, Trifon Xhagjika ishte pro-Perëndimor kurse pjesa tjetër pro-Ruse. Kjo ka qenë vijë ndarëse mes tyre deri në fund.
Vangjel Lesho ishte i martuar me një grua ruse dhe kishte një fëmijë me të, ndërkohë që kishin ikur në Rusi dhe donte t’u bashkohej atyre.
Fadil Kokomani po ashtu donte të arratisej në Rusi me Margaritën, një grua me të cilën bashkëjetonte, e cila në fakt ngre hije të forta dyshimi si njeriu që i ka tradhëtuar.
Kur të gjithë dënohen me vdekje ose burg, ajo përjashtohet nga dënimi për shkak të një pusulle si rekomandim nga lart, që gjendet në dosje.
Vëllezërit Rafaeli dhe Robert Vullkani duan të largohen si antikomunistë.
Mes tyre vetëm Trifon Xhagjika donte të arratisje në Itali. Ishte gati të ikte me ta deri jashtë kufirit dhe pastaj të ikte në Itali.
Dallimi i dytë i madh i Trifonit nga grupi me të cilin u dënua ishte disidenca letrare.
Trifoni ishte i vetmi që kishte botuar ndërkohë një libër me poezi “Gjurmët” dhe kishte ende pa botuar një grumbull poezish të mirëfillta disidente.
Poezia “Kroi plak”, “Atdheu është lakuriq”, “Për ty Republikë”, etj, janë dokumente të forta të vetëdijes së tij antikomuniste.
Ndryshe nga të tjerët më 23 gusht, si sot 55 vite më parë, Trifoni ka dhënë llogari para hetuesve për këto poezi. Ka dëshmuar kujt ja ka dhënë, kush i ka lexuar e pse i ka shkruar.
Në aktakuzën ndaj tij thuhet: “Në vargjet e shkruara prej tij, ka predominuar rryma dekadente dhe përmbatja e tyre përshkruhet nga fryma armiqësore.
Ndër të tjera duhet të përmendim vjershat “Kënga e verbër”, ku shprehet urrejtja për Republikën tonë Popullore, “Ndihmomëni të qesh”, në të cilën paraqitet gjendja e zymtë në vendin tonë, pas prishjes me BRSS, “Nuk duan të kuptojnë, që jemi njerëz”, në të cilën shprehet mungesa e demokracisë që nuk egzistokërka në vendin tonë, etj, etj, .
Këto poezi i kanë lexuar dhe të tjerë, Vangjel Lezho dhe Robert Vullkani…”
Atdheu është lakuriq!
…E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të uritur!
Por sa i vogël qenka!
As një degë nuk e këpuste dot.
E mora për dore
ta rrit në zemrën time…
Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!
1963
Dallimi i tretë i Trifonit me grupin, ishte sinqeriteti i keqpërdorur i tij.
Tani kur Shqipëria po bën përpjekje t’i rehabilitojë si heronj ata që u përballën me diktaturën, ekziston rreziku që preku edhe komunizmin, kur partizanët dhe sidomos dëshmorët i shikonin si njerëz idealë, pa cene dhe të përsosur. Në fakt historitë e vërteta njerëzore nuk janë bardhë e zi.
Ajo që më ka dëshpëruar në historinë e këtij grupi, duke shfletuar mijëra faqe nga dosjet e tyre, ishte se Trifoni ishte pjesa e sinqertë e grupit, që besonte si antikomunist, vepronte si i tillë dhe donte të arratisej në Perëndim.
Ndërkohë dy kokat kryesore të grupit, Vangel Lesho dhe Fadil Kokomani, edhe pse i kanë premtuar atij, se do të arratiseshin bashkë, dy herë që tentuan të arratisen, përfshi dhe herën që u arrestuan, nuk e morën atë me vete.
Ai u arrestua në shtëpi për shkak të dëshmive që ata dhanë në qeli për planet e arratisjes.
Ndërkohë Trifoni ka marrë pjesë në çdo plan antikomunist të tyre. Ai është formuluesi i trakteve të hedhura në Prill të vitit 1962 në Tiranë.
Të gjithë dëshmitarët e pranojnë këtë, edhe pse nuk e kanë ditur tamam kush i ka shkruar. Vangjel Lesho ka porositur Trifonin dhe ai ka shkruar përmbajtjen. Pastaj Vangjeli ka marrë përmbajtjen dhe ja ka paraqitur Fadilit, sikur e ka bërë vetë. Dhe pastaj ka filluar shpërndarja.
Trifoni i ka marrë motrës së tij infermiere disa doreza plastike për të mos lënë shenja gishtash dhe një shishe zamk dhe ja ka dhënë Vangjelit. Vangjeli ja ka dhënë Fadilit dhe kështu ka humbur sekreti. Por në hetuesi del qartë.
Trakti i shpërndarë në Prill të vitit 1962 ideuar nga Trifoni dhe Vangjel Lesho
Dhe kur kanë tentuar të arratisen është e njëjta gjë.Trifonit i kanë kërkuar pistoletën dhe ai ua ka premtuar, por nuk ka mundur dot ta marrë në kohën e zborit. Por u ka gjetur atyre një kamerdare që ja ka gjetur Genci, kushëriri i tij në atë kohë shofer, dhe një salvaxhente.
Pra ai ka bërë gjithçka që ata i kanë kërkuar, por pavarësisht kësaj, si në tentativën e arratisjes në dhjetor të 1962 nga Buna, e cila dështoi falë dy bashkëpuntorëve të Sigurimit me mbiemrin Vukaj, ashtu dhe në atë të korrikut 1963, ai ngeli jashtë liste, por jo jashtë burgut.
Fadil Kokomani është më i qartë për këtë sjellje ndaj Trifonit në dëshmitë e tij. Ai pranon se ishte pjesë e planit për t’u arratisur pa Trifonin, edhe pse e kishin përfshirë atë, deri në detaje në skemën e arratisjes.
Biles për ta vënë në gjumë, i kishte kërkuar të lidhej me ndonjë vajzë nga brezi kufitar, që ta kishte si arsyetim shfaqjen në ato anë.
Margarita, gruaja e Fadilit, e përshkruan si nervoze, skenën e shkuarjes së Trifonit në shtëpi të tyre, pas dështmit të arratisjes më 20 korrik, pak pasi ishte arrestuar Vangjel Lesho me dy të tjerët.
Ai nuk e dinte se ata ishin ndarë në dy grupe për t’u arratisur pa e marrë atë. I pari, Vangjeli, u kap në Qafë Thanë ndësa Fadili, të cilit po i ankohej, sapo ishte kthyer nga arratisja e dështuar.
“Atë që nuk e bënë ata, do ta bëjmë ne, tha Trifoni. Do arratisemi bashkë….”!
Duhet të ketë një bisedë e sikletshme. Fadili nuk i tregoi të vërtetën Trifonit. Mbrëmjen e 20 Korrikut, Fadili, së bashku me Stavrin dhe Robert Vullkanin, kishte planifikuar që t’i bashkoheshin grupit që do të arratisej nga Pogradeci, pra Vangjelit, Frankos dhe Thomait.
“Vrasja e Kadri Hazbiut dhe lidhja me Jugosllavët”, detaje të shpikura që janë përdorur kundër këtij grupi
Nga gjithë kqyrja e dosjes ka dy detaje që duket se janë të shpikura nga vetë anëtarët e grupit, për të krijuar besim tek njëri-tjetri por që në fund u janë përdorur si vepra të rënda penale.
E para ka qenë lidhja me jugosllavët.
Më i vendosuri prej tyre, për t’u arratisur në Bashkimin Sovjetik, ishte Vangjel Lesho dhe ai ka qenë promotor i këtyre shpikjeve.
Lidhjet e shpikura të tij me jugosllavët i pranuan vetë në hetuesi. E thotë qartë që në fillim e bëra të bindja Trifonin se nuk ka rrezik për arratisje, pasi do na ndihmojnë jugosllavët matanë kufirit. Pastaj dhe pjestarëve të tjerë të grupit. Legjendat që ai thurte gjoja se kishte vendosur kontakte me ambasadën jugosllave dhe mezi pritej arratisja e tyre, është një nga ato mitet që njeriu ngre për t’i besuar vetë që është i fortë dhe mund t’ia dalë.
Dhe kjo në fakt pastaj u është përdorur në akuzë.
Gënjeshtra e dytë ishte atentati politik kundër dikujt nga udhëheqja. Këtë gënjeshtër i vetmi që e ka besuar sinqerisht ka qenë Trifoni. E gjithë kjo është bërë në përpjekje për të bindur Trifonin t’u gjente disa bomba dhe një pistoletë, që t’i kishin kur të arratiseshin.
Ai nuk ua ka gjetur dot, por ua ka premtuar. Fillimisht ka hezituar ta pranojë këtë aksion. Pastaj Vangjel Lesho dhe Fadil Kokomani e kanë bindur se duhet një akt terrorist ndaj udhëheqjes që të bëjë bujë.
Më tej kanë shkuar në detaje. Dikush është kujtuar që Kadri Hazbiut i ka lindur gruaja dhe shkon çdo ditë në maternitet, në darkë. Dikush thotë që dhe shokun Enver e ka parë të shetisë duke ikur në zyrë. Të tjerë thonë se mund të godasin dhe kuadro të Sigurimit. Dhe Trifoni e ka besuar.
Edhe pse nuk ja ka dalë t’u gjejë bomba, apo revolverë që ndoshta s’do të përdoreshin kurrë, por u duheshin për t’u arratisur, kjo shpikje i është përdorur si akuzë rëndë që i ka kushtuar pushkatimin.
Si ish ushtarak ai është konsideruar tradhëtar ndaj atdheut që nuk ka denoncuar këtë propozim që dobëson fuqinë e ushtrisë popullore. Në fakt disa nga grupi kanë raportuar në vend të tij, me sa duket. Dhe fundi i tij është tragjik.
Nga i gjithë grupi ky është i vetmi që ka shfaqur gatishmëri antikomuniste, por s’ka bërë asnjë gjest penal përveç poezive që konsideroheshin agjitacion.
Të tjerët kanë tentuar të arratisen dy herë, kanë ndarë trakte, kanë bërë agjitacion e propagandë, kanë takuar diplomatë të huaj. Ky vetëm ka qenë dakord. Dhe ky u pushkatua.
Drama e sallës së gjyqit është një histori më vete. Prokurori ka lexuar pretencën: “Veçanërisht paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore të pandehurit Trifon Xhagjika dhe Thoma Rafaeli, të cilët duke qenë oficerë të Ushtrisë Popullore, kanë tradhëtuar adheun.
Atyre si ushtarakë u është besuar në mënyrë të veçantë mbrojtja e atdheut, prandaj krimet e kryera nga ushtarakët në formën e tradhëtisë, janë forma më e rëndë e tradhëtisë ndaj atdheut, pasi ato drejtohen kundër fuqisë ushtarake të RPSH.”
Vëllai i tij Ylli Xhagjika sapo dëgjoi shqiptimin e vendimit me vdekje, dhe kur ka parë ligështinë e Trifonit në fytyrë u ngrit dhe i tha: “Ngrije kokën lart. Nuk u frikësohemi këtyre ne”.
Është ndaluar në sallën e gjyqit dhe arrestuar dy javë më vonë.
Kush ishte Trifon Xhagjika dhe ç’mund të bëjmë për të sot
Busti i Trifon Xhagjikës që do të vendoset në vendlindjen e tij.
Trifoni ka lindur në Peshtan në vitin 1932. Viti i parë i shkollës së Trifonit ishte po aty. Lufta Italo-Greke, i detyroiXhagjikajt e Trifonit, të vendosën në Tiranë, afër rrugës së Dibrës.
Deri në vitin 1950 ai përfundoi dy vite të Normales së Elbasanit në degën pedagogjike.
Në vitin shkollor 1950-1951 ai ka kryer një vit të Shkollës së Partisë në degën gazetari dhe në vitin 1951-1951 ka punuar si redaktor në revistën ”Pionieri”.
Në Mars të vitit 1960 arriti të transferohej në Ministrinë e Mbrojtjes si redaktor në degën e rregulloreve, për shkak të shkollimit gazetaresk që kishte. Aty dhe u arrestua.
Sot ne nuk dimë ende varrin e Trifonit. Ndoshta gjetja e dosjes së pushkatimit që mund të jetë në arkivën e Ministrisë së Brendshme mund të na çojë diku.
*Këto shënime i përgatita sot për ti lexuar në Simpoziumin që mbahej në Tepelenë rreth historisë së ish Kampit të Punës së Detyruar Nr.6, dhe hapjes së dosjeve të personaliteteve të Tepelenës që janë persekutuar nga komunizimi. E shmanga qëndrimin në sallë, për shkak të klimës së helmuar, që disa PD-ist, që duket se e kanë fiksim që I ka lënë pa pushtet Tepelena dhe disa enveristë, që e kanë fiksim se I ka lënë pa pushtet demokracia , kanë një javë që bëjnë një paradë të shëmtuar burracakësh, duke fyer dyfish bijtë e Tepelenës të dënuar nga diktatura dhe të tjerë bashkëvuajtës shqiptarë internuar në Tepelenë.