I dorëzuar pa kushte!

Nga Mero Baze

Pas një vizite në Bruksel, Lulzim Basha pranoi se do të hyjë në zgjedhje dhe do t’i përdorë këto zgjedhje për “referendum” kundër ndarjes territoriale. Lulzim Basha në fakt e ka zakon të thotë vazhdimisht gjëra pa kuptim, por kjo është e vetmja fjali më “pa kuptim”, që i lejohet të thotë, duke ia ditur hallin që ka. Ndryshe nga betejat e tjera politike, kjo betejë e humbur, ka qenë beteja më e stukturuar e tij. Ai e kundërshtoi ndarjen territoriale qysh në fillim sapo nisi, e bojkotoi gjatë procesit të konsultimeve dhe nuk pranoi të ulej në tryezë, edhe pse pati plot këshilla ndërkombëtarësh për këtë. Edhe pse versionet që kishte në tavolinë si opozitë, për ndarjen territoriale nuk ndryshonin në thelb nga to që bëri shumica, përveç disa shifrave, Basha i qëndroi mosnjohjes së kësaj harte deri në fund. Pas saj ai paralajmëroi bojkotin e zgjedhjeve, mos hyrjen në zgjedhje me këtë hartë, shpresë për rrëzim nga Gjykata Kushtetuese dhe në fund referendume lokale.

Tani të gjitha janë asgjë. Tani, ai thjeshtë e ka të pamundur të shpjegojë përse u tërhoqë nga e vetmja betejë, që dukej se ishte i vendosur t’i shkonte deri në fund.

Një variant i besueshëm është se trysninë për të mosnjohur hartën e re dhe mosfutjen në zgjedhje e nxiste Berisha, si skenar radikal për ta mbajtur opozitën në rrugë dhe për të mbijetuar në krizë. Ky proces u shoqërua dhe me daljen për qejf nga parlamenti dhe kërcënimin për bojkot përfundimtar.

Por, e gjithë kjo prodhoi një grup të heshtur kundërshtarësh brenda Grupit Parlamentar, të cilët filluan të shprehen qartë për dy çështje, e para futjen në parlament dhe e dyta futjen në zgjedhjet lokale.

Ky qëndrim, edhe pse nuk ishte shumë publik, në të vërtetë kumbonte fortë në korridoret e Partisë Demokratike dhe e ka trembur seriozisht Lulzim Bashën. Fillimisht ai u zbyth nga çështja e bojkotit të parlamentit, pasi së paku 12 deputetë deklaruan se do të shkonin aty më 24 Dhjetor. Edhe pse Berisha deri në minutat e fundit, tentoi ta fuste Grupin Parlamentar nën tutelën e Këshillit Kombëtar, i cili është një grup eunukësh jo-politik të Bashës e Berishës, presioni i kundërshtarëve, i detyroi të tërhiqen dhe të hyjnë në Kuvend.

Pas kësaj ata vazhduan të deklarojnë moshyrjen në zgjedhje dhe mosnjohjen e hartës së re elektorale. Por edhe këtu me sa duket kundërshtarët e tyre, u bënë faktor i rëndësishëm pa shumë debat publik për të hyrë në zgjedhje. Në disa qytete të mëdha të Shqipërisë, po shfaqeshin zëra për kandiatët alternative, nëse PD-ja nuk do të hynte në zgjedhje dhe bojkoti rrezikonte të zyrtariznte ndarjen e PD-së. Kjo me sa duket e tërhoqi Bashën zvarrë drejt zgjedhjeve, ashtu siç e tërhoqi drejt Parlamentit.

Kthimi i Bashës në Kuvend dhe në procesin zgjedhor është një fitore reale e kundërshtarëve të tij, pasi kanë qenë dy opsione që ata i kanë deklaruar qartë qysh në fillim. Edhe kritikët e ftohtë të Bashës si Bode dhe pak më aktiv si Patozi, por edhe zëra si Ruli apo Bregu, kanë ndikuar që linja institucionale brenda opozitës të triumfojë mbi rrugën radikale të ofruar nga Berisha, për ta mbajtur opozitën jashtë institucioneve në gjendje krize deri në një moment të përshtatshëm.

Tani që Basha u tërhoqë nga kauza e tij dhe përqafoi kauzën e kundërshtarëve të tij, e vetmja këshillë që i vlen është të mos e shpjegojë këtë akt. E rëndësishme është që ai e ka matur mirë rrezikun e bojkotit dhe ka bërë llogari, që ka më leverdi të humbasë me nder sesa të dalë jashtë loje, ende pa filluar loja. Tani e vetmja shpresë e tij është të mos i kërkojnë dorëheqjen, kur të humbasë zgjedhjet. Dhe kjo nuk besoj se do të ndodhë për arsyen e thjeshtë, se nuk ka kush t’ia kërkojë, nëse nuk ia kërkon Berisha. Këtij të fundit i duhet humbës, derisa të vendosë ç’të bëjë me të.

Marrë nga gazeta "Tema"

SHKARKO APP