I drejti, i miri, i keqi, ose Rama në një film shqiptar

Ka pak burra në Tiranë që të flasin me sytë përpjetë përpara kryeministrit që si rregull i sheh mesatarisht nga lartësia e një koke më shumë. Në Berat ka edhe më pak burra të tillë…

Nga Lorenc Vangjeli

Personazhet janë tre. Jo në film, por në jetë. Jo në Perëndimin e largët, përtej Atlantikut, por në një vend të vogël të ish-Lindjes komuniste. Jo me aktorë që shihen në sy dhe qëllojnë me pistoleta, por me njerëz realë, në transmetime të drejtpërdrejta në të gjithë televizionet.

I pari është kryeministër. I fuqishëm nga dje dhe shumë më i fuqishëm duke filluar nga nesër. Aktor, regjizor dhe skenarist i shumë fateve njerëzore. Ai është i drejti.

I dyti është një drejtor province. Si rregull dhe në perceptim, një shkëmb i vërtetë përpara fakirëve që i trokasin me hall dhe për halle në zyrë. Dorëbrenda në Tepsi. I mban sytë përdhe dhe flet përpara kryeministrit. Eshtë drejtori rajonal i Aluizni-t në Berat. Ky është i keqi.

I treti, në fakt është e treta. Një grua e moshuar. Ka treguar si ka vajtur në zyrë të drejtorit dhe ai nuk i ka zgjidhur problemin. Ajo është viktima. Si rregull dhe perceptim është edhe e drejta e shkelur. Eshtë e mira.

Kryeministri ngre në këmbë drejtorin. Drejtori djersin,. I merret goja. Edhe kur flet gabon me minimumi një qind vjet. “Nëneja ka ardhur tek ne në vitin 1912”, thotë ditëziu për të zezën e tij. Ka pak burra në Tiranë që të flasin me sytë përpjetë përpara kryeministrit që si rregull i sheh mesatarisht nga lartësia e një koke më shumë. Në Berat ka edhe më pak burra të tillë.

Përreth, në skenën e hapur, nën kamerat që xhirojnë, drejtori i legalizimit legalizon mëkatet e tij. Gruaja e moshuar që e ka parë deri dje si perëndi, por dhe gjithë turma përreth nuk do të donte të ishte në vendin e tij. Në botën e kafshëve, jo atë të njerëzve, kjo do të ishte njëlloj sikur delet të kenë miqësinë e luanit përballë ujkut. Pikërisht në kohën që ujku para luanit bëhet qengj. Humori është i garantuar. Dikush i veshur mirë shkel një lëkurë bananeje dhe rrëshket. Ai vritet, të tjerët qeshin.

“Jepi legalizimin! Jo nesër, sot. Ndryshe jep dorëheqjen!” Kryeministri e hedh në erë shkëmbin provincial. Që është i lartë dhe i fortë në Berat, në Gjirokastër, në Tropojë, në Vlorë, në Korçë apo në Kukës, por është vetëm një grusht rërë e thatë përpara dinamitit kryeministror. Tkurret. Thyhet. Shkërmoqet. Turma brohoret. Xhelati bëhet viktimë dhe viktimat kënaqen kur shohin “xhelatin” e tyre të poshtëruar, të gjunjëzuar dhe të dorëzuar. Pushteti ka hije të rëndë. Plumb është pushteti për të dobtin. Tani pushtetin e ka turma. Me kusht që mes saj të jetë kryeministri.

Eshtë vapë postfushatë. Fushata elektorale në fakt nuk ka mbaruar ende edhe pse është shpallur një fitues, edhe pse ka humbës që shpresojnë të hyjnë nën tryezën e qeverisë së nesërme dhe ka gjithashtu ish-partnerë të shndërruar në rivalë të egër. Të gjithë kanë ndryshuar. Ka ndryshuar edhe Edi Rama kryeministër në detyrë dhe njëkohësisht edhe kryeministër i ardhshëm. I akuzuar gjatë gjithë qershorit se nuk kishte realizuar premtimet e qershorit të katër viteve më parë dhe se nuk kishte një ide të qartë se çfarë do të bëjë katër vjet më pas, Rama po vazhdon fushatën. Sërish me publikun.

I pyet sesi duhet të qeverisë. Njëlloj siç bëhet zakonisht me aleatët e vërtetë. Basha nuk u bë dot më i madh që të bashkëqeveriste me të. Luli i PD-së mbeti aq i vogël sa edhe Jemini pa lidhje me Jemenin, nuk e merr dot seriozisht. Mbetet për t’u imaginuar si e shohin Patozi i ish-fjalimeve dhe ish-ministri i lekëve Bode.

Zëvendësja teknike e kryeministrit në të mbrëmjen e të njëjtës ditë që Rama ja hidhte shqiptarëve në arenën e cirkut të madh fakirin nga Berati, thoshte se ministrat do të ikin nga qeveria kur t’i binte PD-ja bilbilit. Por PD nuk di ku ka kokën dhe e ka të pamundur të gjejë gojën për ta përdorur për bilbil. Sepse që të ikin ministrat duhet të mblidhet sërish parlamenti. Domethënë ta thërrasë Ilir Meta që është ende kryetar kuvendi dhe që pret të bëhet President i Republikës. Si kryeparlamentar Iliri ishte aleat me Edin, si President Meta është kundërshtar me Ramën. Nga ana tjetër, PD që e votoi triumfalisht qeverinë gjysmëteknike në maj, tani në korrik po bën sikur është në armiqësi me të. Në pritje dhe duke u pregatitur për një miqësi gjysmëpolitike në shtator kur të bëhet qeveria e re. Po kështu, që të ikin ministrat teknikë duhet dekreti i Nishanit që është duke ikur për vete. Dhe pastaj duhet që parlamenti të votojë, njëherë që ministrat të ikin, njëherë që ministra të tjerë të vijnë. Një skemë që zgjat deri në shtator kur parlamenti i ri do të zgjedhë sërish qeverinë e re. Një rrugë shumë e gjatë kjo që nuk vlen mundimi të rrezikohet të bëhet. Në një qind e kusur vjet qeverisje të Shqipërisë nga shqiptarët, një stinë vere me qeverisje vetëm nga qytetarët dhe me qytetarët në pritje të shtatorit, duhet të jetë një gjë që vlen. Qoftë dhe si një eksperiment social, por me kusht që viktimat të jenë drejtorë në Berat. Si për të kujtuar një nga filmat e shumtë të realizimit socialist, në të cilin, si rregull, vetëm gjermanët pushtues dhe vetëm nja dy gra, ishin personazhet e vetëm pa mjekër dhe mustaqe. Gjithë të tjerët, personazhet pozitivë, negativë, të moshuarit dhe gratë kishin edhe mjekër, edhe mustaqe. Si burrat. Javanews.al

SHKARKO APP