Ikja e Plakut Gërnjar

Nga Sokol Balla

Në këtë botë, shumica vijnë e ikin pa lënë ndonjë gjurmë. Ka edhe nga ata që gjurmë lënë, vetëm se i rrinë afër të mëdhenjve. Ky është rasti i kastës modeste të aktorëve tanë të skenës dhe ekranit, të cilët po ngelin çdo muaj e më vetëm, për shkak se brezi i vjetër i aktorëve shqiptarë, po shuhen për shkak të një arsyeje të thjeshtë: moshës.

Gjithsesi nuk është ky rregulli që u aplikua mbi Albert Vërrinë. Mosha për të si personazh, mbeti një faktor relativ. Ai iku relativisht herët megjithëse në moshë të tretë, 79 vjec. Por Albert Vërria e ka pasur gjithnjë këtë problem: është dukur gjithnjë më i madh se c’është në moshë. Ai mbante titullin Artist i Popullit që prej vitit 1979 (rastësi e çuditshme me moshën 79 kur ai na la, pas një sëmundjeje të rëndë), të marrë fiks një vit, pas rolit të tij madhor dhe ndoshta krijimit të personazhit më popullor kinematografik në filmin ndoshta më të bukur, më të ndjekur shqiptar të të gjitha kohërave, Kapedani, me regji të Fejzos dhe Hoshafit, gati 40 vjet më parë.

Pakkush e di, se kur luajti rolin e plakut gërnjar tek ai film, Vërria ishte vetëm 38 vjec, moshë sot, kur meshkujt nisin palestrën për të ulur barqet e shëmtuara rrumbullake, zënë dashnore adoleshente dhe blerë pastaj makina Smart dhe kur gratë pastaj gjoja për hakmarrje, bëjnë cica të reja, tërbohen pas cunave të rinj dhe u blenë atyre ora të shtrenjta Panerai. Por Albert Vërria, që i përkiste një brezi dhe një epoke tjetër, në këtë moshë, krijoi personazhin kryesor të një galerie të madhe të kinematografisë shqiptare, që nga Tana e Tuc Maku e deri tek cifti shqiptar Romeo e Zhuljeta, Eva dhe Ndricim, nga Kapedani e caporal Pellegrini, e deri tek “modernizmat” naive të garave me motora të Mirush Kabashit tek “Dora e Ngrohtë”. Ose filmi i fundit për të cilin njerëzit “vriteshin” në radhë për bileta në fund të viteve 80.

Sot, kur gjigandët e kinemasë po shuhen qetë dhe në heshtje për shkak të moshës, sot kur mediat shqiptare ende nuk e dinë mirë nëse Demir Hyskja është apo jo gjallë, (dyshoj se kujtojnë qoftë edhe një rol të tij), sot kur shoku im Gaz Paja është më i njohur sesa aktori gjigand që është babai i tij, sot në kohën e Portokallisë dhe mediave online, që kanë shpërthyer pa fund dhe rrisin temperaturat artificialisht, fiks si pucrrat e rubeolës, e kemi shumë të lehtë të kuptojmë se cfarë trashëgimie na lënë gjigandët e artit skenik, duke ikur.

Thjesht të mendosh filmin Kapedani, i vetmi film që Partia nuk e futi dot në arkiv, megjithëse do donte shumë, për shkak se në të, luante edhe një tjetër portret gjenial i komedisë shqiptare, Nikolin Xhoja. Të cilin e dënoi me internim dhe mosinterpretim, por me një përjashtim: Kur shfaqej me Kapedanin. Ai film nuk mund të censurohej, nuk mund të rimontohej, nuk mund të rixhirohej. Ishte thjesht një kryevepër përballë të cilës, dorëzohej Drejtoria e Censurës dhe vetë Byroja Politike. Sot kur sheh varfërinë e personazheve të krijuara në kinemanë shqiptare pas viteve 90 (mua më kujtohet vetëm Timo Flloko dhe një kalë i bardhë, edhe ai, i Petrit Dumes), kur aktorët e brezit të ri shqiptar ose bëhen të njohur kur bëjnë reklama sallamesh, ose kur flirtojnë me ambasadorë të huaj, sot kur drejtori i teatrit nacional quan përparim, që atij nuk i ka rënë asnjë telefonatë politike (???) por i duhet njëkohësisht të mbrojë dhe të lavdërojë dramën e vëllait të Ministres së Kulturës si më e mira e vitit, atëherë ti e kupton, se çfarë boshllëku na la dje Plaku Gërnjar, Kapedan Vërria, kur vendosi në qetësi të na bëjë dalje dhe të vazhdojë rrugëtimin në Botën Tjetër. Unë sot nuk qaj Albert Vërrinë. Të gjithë vijmë, të gjithë do të ikim një ditë prej Këtej. Bile Berti, ndryshe nga shumica anonime, iku duke lënë statujën e tij në piedestal. Iku, por na la përjetesisht Kapedanin. Po të duam, edhe Caporal Pellegrinin. Ndaj unë sot buzëqesh kur kujtoj Albert Vërrinë. Por unë qaj “me llahinga” trashëgiminë kulturore të këtij vendi, që sa vjen e bëhet më anonim, më bosh ndërsa i drejtohet garës kulturore me kombet e qytetëruara, sy mbyllur dhe i papërgatitur. Një boshllëk që nuk e mbushin dot as reklamat e sallamit dhe as shalët e Olta Gixharit.

Javanews.al

SHKARKO APP