Ilirian Zhupa, ky Magelan i shpirtit njerëzor

Nga Luan Rama

(Zëvendëskryetar dhe deputet i LSI)

Si në të gjithë krijimtarinë e vet poetike të botuar së fundmi, edhe me poemën “Qielli im”, Ilirian Zhupa na sjell tre dëshmi fondamentale, e po aq ekzistenciale për poezinë shqipe.
E para është vazhdimësia kualitative e një standardi poetik të prekur më parë prej De Radës, Migjenit, Dritëroit, Kadaresë dhe Fatos Arapit, dhe e sjellë më tëhu nga Xhavahir Spahiu, Ndoc Gjetja e Bardhyl Londo.


Ilirian Zhupa jo vetëm i del për zot asaj si një misionar i vëmendshëm e po aq largpamës, por edhe e ridimensionin atë me shumë elegancë e përkujdesje prej mjeshtri, duke e vendosur çdo fjalë në mozaikun e krijimtarisë së vet, me dashuri e me respekt të veçantë, duke qëmtuar e na ofruar me shumë klas e po aq, me thjeshtësi, natyrshëm e me spontanitet për t’u patur zili, një gjuhë poetike e figuracion modern, që do t’i bënte nder çdo letërsie.
E dyta është perspektiva.
Ilirian Zhupa na jep shansin të shohim përmes krijimtarisë së tij, horizontin ku mund të mbërrijë poezia shqipe me një punëtor të palodhur të fjalës, i denjë e i vetëdijshëm për barrën që ka marrë përsipër, sepse ka ditur të hyjë në ashtin e saj e të na mundësojë ta ndjejmë qiellin e tij edhe tonin, e duke ecur bashkë me të, t’ja prekim shpirtin e të shpirtëzohemi në të.
Dhe e treta është përmasa universale.
Poezia e Ilirian Zhupës, duke qënë jo vetëm mishërimi më i mirë i kohezionit poetik kombëtar në gradën më të lartë të cilësisë së vet, bëhet njëherësh edhe pika lidhëse e saj me universin poetik. Aty, ajo, pra poezia shqipe, rri natyrshën gjithë dinjitet e hijeshi, në sintoni të plotë me frekuencën e një universi ku jo çdo poezi mund të jetë pjesë, edhe sepse Ilirian Zhupa, me talentin e vet aq përveçues dhe imponues, ka ditur të bëhet bardi i një poezie, e cila jo vetëm na ka munguar prej kohësh, por edhe na bën të ndjehemi krenarë e të besojmë në ardhmërinë e saj. Me një poet si ai, ajo është në dorë të sigurtë!
Poezia e I. Zhupës lindi si poezi metafizike, brendashpirtërore, dhe mbeti e tillë deri më sot. Ai është poeti që udhëton brenda vetes, për të zbuluar botën e madhe si një Magelan i shpirtit njerëzor.
Poeti e ka përsosur qenien poetike brenda vetes. Parimi i tij krijues është ai i skulptorit: hiq të tepërtën.
Në poezinë e Ilirian Zhupës ka një frymë metropolitane, në stilin e poezisë moderne frënge të gjysmës së dytë të shekullit XX, gjithaq dhe në stilin e poetëve të mëdhej të gjuhës greke: Ritsos, Kavafis, Elitis, Seferis.
Ndaj mund të them pa mëdyshje, Ilirian Zhupa nuk është më një zë poetik, por kontribues me një rol të spikatur në historinë e poezisë shqiptare. Madje ai është sot kontribues i radhës së parë, me misionin për ta përsosur e pasuruar atë më tej.

SHKARKO APP