Intervistë De Biasi: “Dua t’i çoj shqiptarët në Europian”
Ai tani kërkon ta daravisë pak vëmendjen nga futbolli. Në ditët e fundit ka folur për shtëtësinë e tij të re, atë shqiptare dhe për gruan e tij italiane rreth të cilës ishin krijuar disa keqkuptime. Por mbi të gjitha Gianni de Biasi është një njeri i garës që e ka marrë drejtimin e të kuqve që në dhjetor të vitit 2011, vetëm me një qëllim: për të fituar. Dhe gjatë kësaj kohe e ka bërë këtë plot 11 herë (në 29 ndeshje 5 nga të cilat zyrtare).
Ky opinionist i televizionit Skay, poliglot që përpos italishtes flet anglisht dhe frëngjisht i ka vënë vetes një qëllim: “Dua t’i çoj shqiptarët në finalet e Euro 2016” i ka thënë pak ditë më parë “Standart”. Trajneri italian ka rrëfyer të gjitha sekretet që e kanë shndërruar atë në drejtuesin më të suksesshëm në bankinën kuqezi: me numrin më të madh të pikëve të marra nga katër ndeshjet e para (7) dhe numrin më të madh të fitoreve të regjistruara (11), më shumë se çdo homolog i tij gjatë gjithë historisë së Kuqezinjve.
Mister, fitorja ndaj Armenisë (2-1) në Elbasan të dielën ishte e dyta në këtë edicion pas asaj ndaj Portugalisë në Aveiro shtatorin e vitit të kaluar. Si e përjetuat?
Janë që të dyja fitore të rëndësishme në këto katër ndeshje të luajtura deri tani. Ajo ndaj Portugalisë u arrit në transfertë dhe kanë kaluar disa muaj, kurse kjo me Armeninë të dielën e kaluar ishte e para përballë tifozëve tanë. Kjo i dha edhe më shumë bukuri fitores. Të dyja fitoret, së bashku edhe barazimin me Danimarkën, na kanë dhënë pikë të rëndësishme në objektivin tonë.
Tashmë kemi luajtur me të gjithë kundërshtarët tanë në grup. Çfarë do të veçonit?
Mendoj se, është i rëndësishëm është fakti se, ne jemi skuadra e vetme në grupin tonë (I), që nuk kemi pësuar asnjë humbje në katër ndeshjet e para të zhvilluara deri tani. Jemi mundur vetëm në gjykatën e UEFA-s, pas vendimit që dha ajo për ndeshjen e ndërprerë me Serbinë në Beograd.
Keni vendosur në Shqipëri një rekord të ri përsa u përket pikëve të grumbulluara në katër ndeshjet e para, me 7 të tilla…
Nuk e kam parë kurrë detyrën time si trajner për të vendosur apo thyer rekorde personale, por për të arritur objektiva të mëdha që i kam vendosur vetes me Kombëtaren shqiptare. Janë ato që kanë peshë. Ajo që është më e rëndësishme për mua, ka të bëjë me faktin se tre vjet më parë filluam një projekt të ri, me lojtarë të rinj dhe tani kemi këto rezultate.
Fitorja ndaj Armenisë ishte e 11-ta në 29 ndeshje të drejtuara prej jush, duke kaluar kështu gjermanin Hans-Peter Brigel me 10 ndeshje. Çfarë do të thotë për ju?
Sigurisht që, më jep kënaqësi ky fakt, por për momentin i konsideroj vetëm numra, asgjë më shumë. Një trajner synon gjithmonë ta fitojë çdo takim, pavarësisht kundërshtarit që ka përballë.
Revolucioni “De Biazi” i ka dhënë një fytyrë të re skuadrës, por dhe ambicie të mëdha lojtarëve. Cili është sekreti i punës suaj?
Është e vërtetë që, kemi në grup lojtarë të shkëlqyer që mund të na japin një dorë për të realizuar objektiva të rëndësishme. Në këto tre vite që e drejtoj Kombëtaren shqiptare, besoj se janë 48 lojtarë që kanë pasur mundësinë të thirren, grumbullohen apo të luajnë për Shqipërinë. E rëndësishme është që kemi një grup miks lojtarësh me shumë përvojë, por dhe të rinj që mund të jenë pjesë edhe e eliminatoreve të Kampionatit Botëror 2018. Besoj se të paktën, për pesë vitet e ardhshme kemi lojtarë, që po të punojnë mirë do të jenë ndër skuadrat më të forta në Europë.
De Biasi, Shqipëria ka shtatë pikë, ndërkohë që dy rivalët direkt për vendin e tretë, Serbia dhe Armenia kanë vetëm një pikë. Ndeshja e ardhshme është ajo me Danimarkën në Kopenhagen, që ka po shtatë pikë sa ne…
Po, është një ndeshje vendimtare, tepër e rëndësishme dhe shumë e vështirë. Duhet të dini se në katër ditë do të luajmë kundër Danimarkës në Kopenhagen dhe ndaj Portugalisë në Elbasan, e që janë sigurisht dy skuadrat më të forta të grupit tonë dhe këtë e kanë dëshmuar atë. Duhet të japim më të mirën tonë. Nëse do të marrim rezultate pozitiv, pra pikë, mund të them se shanset tona për në finalet e Europianit rriten maksimalisht, pasi tashmë i kemi shtatë pikë.
Shqipëria është në pritje të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në lidhje me Serbinë. A besoni në drejtësinë e saj?
Uroj që më 17 prill të marrim edhe fitoren në tavolinë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), për të vendosur drejtësi, pasi mendoj se vendimet e mëparshme nuk ka qenë të drejta për ne. Kemi humbur në tavolinë në mënyrë të padrejtë me Serbinë. Nuk kemi humbur në fushë, por në tavolinë.
Në shtypin e huaj flasin gjithmonë për Shqipërinë e De Biazit si një nga surprizat më befasuese të eliminatoreve të këtij Europiani. Cfarë kënaqësie të jep?
Për të qënë i sinqertë, nuk më japin asnjë emocion të veçantë ato që lexoj në media. Emocionet e vërteta i përjetoj gjatë ndeshjeve, së bashku me lojtarët, me tifozët. Kur ata ndihen mirë, edhe une jam i kënaqur. Kënaqem dhe vuaj së bashku me ta.
Në qershor do të luajmë miqësoren e dytë me Francën, por kësaj radhe në Elbasan. Në Renë barazuam 1-1. A do të provoni sërish të eksperimentoni me skemat?
Me Francën do të jetë një ndeshje prestigji. Ajo do të luhet pas përfundimi të kampionateve në Europë dhe lojtarët që do të thërras do të varen nga forma e tyre. Sigurisht, që kam mundësinë të aktivizoj më shumë lojtarë.
Stafi juaj teknik është një miks midis italianëve dhe shqiptarëve. Sa ju ka ndihmuar në arritjen e sukseseve me Kombëtaren?
Stafi im është shumë profesionist përsa i përket nivelit teknik të tyre. Ka bërë një punë të shkëlqyer dhe unë dua t’i falënderoj të gjithë. Ndër bashkëpunëtorët e mi, sigurisht që i pari është Paolo Tramexani, me të cilin po bashkëpunoj që nga dita e parë, që kur morra përsipër të drejtoja Shqipërinë. Tramexani po bën një punë të shkëlqyer nga të gjitha këndvështrimet, si në fushën e lojës ashtu edhe në atë të ndjekjes së lojtarëve gjatë ndeshjeve të tyre me skuadrat ku ata luajnë. Trajneri i fitnesit, Alberto Bele ka bërë një punë të mirë gjithashtu një punë të lavdërueshme me lojtarët. Edhe trajneri i portierëve, Ilir Bozhiqi, po bën një punë të mirë me portierët, si me Etrit Berishën, Alban Hoxhën dhe Orges Shehin. I fundit që ka ardhur në staf është Altin Lala, një njeri që e njeh mirë ambientin e Kombëtares dhe më ka ndihmuar shumë, pavarësisht se drejton edhe Shqipërinë U-19.
Pesë fitoret në ndeshjet zyrtare
Trajneri Xhani De Biazi ka arritur vetëm pesë fitore në ndeshjet e tij zyrtare me Shqipërinë dhe gjashtë në ato miqësore në 29 ndeshjet e tij me Kombëtaren. Fitorja ndaj Qipros (3-1) ishte e 12-ta në eliminatoret e Botërorit, e arritur me Xhani De Biazin në bankinë. Ndeshja ishte e vlefshme për eliminatoret e “Brazil 2014”. Armando Sadiku (36’), Edgar Çani (84’) dhe një supergol i Erjon Bogdanit (87’). Golin e vetëm për qipriotët e shënoi Vinsent Laban (45+2’). Pas dy humbjeve rresht: 2-0 me Zvicrën në Gjenevë dhe 2-1 me Islandën në Tiranë, Kombëtarja u rikthye te fitorja, duke mposhtur 1-0 Slloveninë në “Qemal Stafa”. Gjithçka u vendos nga një gol i bukur Odise Roshit në minutën e 37-të të takimit. Fitorja e tretë është ajo kundër Norvegjisë, në “Uleval” të Oslos, falë një supergoli të realizuar nga Hamdi Salihi në minutën e 67-të. Kjo ishte dhe fitorja e dytë që Shqipëria ka arritur në transfertë, pas asaj 1-0 kundër Kazakistanit në Almaty (trajner Hans-Peter Brigel). Fitorja e katërt është ajo ndaj Portugalisë për eliminatoret e Euro 2016: 1-0 në Aveiro, e firmos me një gol të mrekullueshëm nga Bekim Balaj në minutën e 52-të. Fitorja e pestë është ajo me Armeninë (2-1), por për eliminatoret e Euro 2016 me golat e Mërgim Mavrajt (77’) dhe Shkëlzen Gashit (81’). (Standart)