Ish-ambasadori i SHBA në Tiranë në krye të koalicionit anti-ISIS

Nga Ruben Avxhiu –

Pas dorëheqjes së bujshme nga Brett McGurk, që ndoqi atë të sekretarit të Mbrojtjes James Mattis, një diplomat veteran i njohur për kritikën e tij ndaj presidentit Donald Trump, James Jeffrey, është caktuar nga ambasada amerikane, në krye të koalicionit ndërkombëtar që po lufton ISIS-in në Siri e Irak.

Shqiptarët e njohin për rolin e tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, në vitet 2002-2004.

James Jeffrey zëvendësoi në Shqipëri ambasadorin Joseph Limprecht që vdiq nga një atak në zemër, në 19 maj 2002, në moshën 55-vjeçare, kur po vizitonte liqenet e Lurës.

Ambasador Jeffrey është dërguar me detyrë në Irak, pas mbarimit të mandatit në Shqipëri, ku ka drejtuar ambasadën amerikane dhe autoritetin e tranzicionit të pushtetit pas rrëzimit të diktatorit Sadam Husein. Në Administratën e presidentit W Bush ai ka pasur disa poste të larta, si dhe më pas kashërbyer si ambasador në Turqi.

Ai gëzon për shkak të këtyre përvojave një njohje shumë të mirë të rajonit. Ndryshe nga disa zyrtarë të tjerë që dhanë dorëheqjen pas vendimit të presidentit Trump për t’u larguar nga Siria, Jeffrey nuk është larguar.

Duke se Presidenti Trump ka vendosur të “harrojë” pjesëmarrjen e Ambasadorit Jeffrey në peticionin e njohur “Kurrë Trump”, ndërsa diplomati ka vendosur të lërë mënjanë pikëpamjet e tij të mëparshme për të marrë në duar pozitën e re.

Roli amerikan në Siri është kthyer në një tjetër temë të fortë debati. Kritikët e presidentit Trump thonë se ai po e lë vendin në duart e Rusisë, Iranit dhe Turqisë, duke tradhëtuar aleatët tanë në terren, kurdët dhe grupe demokratike siriane.

Presidenti Trump ka thënë se po përmbush një premtim të fushatës. Amerikanët nuk kanë pse vriten për paqen e një vendi ku nuk kanë interesa dhe ku të tjerët janë gati të ndërhyjnë për të zgjidhur situatën. Ai ka përmendur gatishmërinë e Arabisë Saudite për të kontribuar financiarisht për rindërtimin e vendit.

Politika amerikane në këto vite ndaj Sirisë ka qenë e dobët dhe Presidenti Obama është kritikuar shpesh për trajtimin me doreza të krizës në këtë vend.

SHBA është munduar të forcojë dhe mbështesë grupet politike dhe të armatosura që mbetën në mes të një konflikti mes kriminelit të luftës, diktatorit Asad dhe rrjetit terrorist të njohur si Shteti Islamik. Disa vëzhgues thonë se Asad dhe ISIS bashkëpunuan në luftën kundër grupeve të moderuara që të mbeten në fund të vetem faktorë në rajon.

Rusia dhe Irani kanë mbështetur fuqimisht diktatorin Asad. Turqia ka mbështetur grupet kundër tij, por tani që lufta po shkon drejt fundit, Ankaraja është më e shqetësuar nga mundësia e krijimit të një shteti kurd. Roli i Turqisë mund të transformohet tani me largimin amerikan.

Pas kritikave të forta, Presidenti Trump është treguar evaziv lidhur me kuptimin e vendimit të tij për t’u larguar. Për Ambasadorin Jeffrey një problem i madh mund të jetë pikërisht mungesa e qartësisë në synimet amerikane për këtë vend të rrënuar nga lufta civile, që u ka kushtuar humbjen e jetës qindar mijëra vetëve, përfshi edhe një numër shqiptarësh që shkuan të luftojnë si vullnetarë, shumë prej tyre duke marrë edhe familjet me vete.

Ndërkohë miliona sirianë janë larguar nga vendi i tyre, kryesisht në Turqi e në vende të tjera të rajonit, po mbi një milion ndodhen në Europë.

SHKARKO APP