Ish-themeluesi i BE: Duhet një Europë më e vogël
Valéry Giscard d’Estaing është një nga arkitektët e Bashkimit Europian.
Ish-presidenti i Francës në vitet 1974-1981 është sot 92 vjeç.
Ai flet dhë lëviz më ngadalë se në kohën kur drejtonte Francën, por ka ende dëshirën për t’i dhënë formë të ardhmes së kontinentit të vjetër.
Ai thotë se aktualisht nevojitet një rifillim i Unionit, i cili duhet të ecë përpara me më pak vende.
“Ne e krijuam zonën ekonomike europiane nën Jack Delors dhe monedhën e përbashkët me Helmut Schmidt”, kujton ai.
“Duhej të kishim vazhduar më tej, por ndaluam në vend.
Ndaluam në gjysmën e rrugës”, shprehet Giscard.
Gjatë presidencës së tij, Franca dhe Gjermania ngritën sistemin monetar europian dhe përgatitën terrenin për një treg me monedhë të përbashkët.
Në atë kohë u ngrit edhe Këshilli Europian, i cili konsiderohet sot si institucioni më i rëndësishëm në Bruksel.
Po ashtu, gjatë drejtimit të Giscard-it, anëtarët e Parlamentit Europian u zgjodhën direkt për herë të parë.
Ai më vonë drejtoi hartimin e një kushtetute për BE-në, e cila u hodh poshtë nga votuesit francezë në një referendum të vitit 2005.
Për Giscard, hapi më i madh përpara i BE-së ishte ai i vitit 1992, me Traktatin e Maastricht-it, në të cilin u hodhën themelet e euros dhe shtrirjes së bashkëpunimit mes vendeve europiane.
Por për Giscard, gjërat kanë ndryshuar shumë që atëherë. Bota ka ndryshuar, por Europa nuk ka ecur përpara.
“Në kohën kur u firmos traktati, Kina nuk ishte kaq e rëndësishme sa është sot dhe SHBA-të ishin të lidhura me Europën.
Ne kishim një politikë të përbashkët tregtare”, tregon ai.
Sipas ish-presidentit francez, sot Blloku ndodhet në një konfuzion të thellë, sepse është i dobët dhe burokrat, ndërsa metodat tradicionale janë jashtë loje dhe nuk prodhojnë më rezultate.
Giscard thotë se Europës i duhen ide të reja për të nxitur trajektoren e rritjes në një botë që ndryshon çdo ditë.
Ai do të propozojë një grup të ri avokatie, të quajtur Re-imagine Europa.
Puna e këtij grupi, në bordin e të cilit përfshihen kreu i OECD-së, José Ángel Gurría dhe ish-kryeministri holandez Wim Kok, do të fokusohet në vizionin e Giscard-it për një “bërthamë më të fuqishme” të vendeve të BE-së.
Giscard ngul këmbë në modernizimin e sistemit fiskal të Europës.
“Nuk është çështja t’i vendosim në të njëjtën vijë sistemet e taksave, por t’i zëvendësojmë ato.
Ne duhet t’u kthehemi koncepteve më të thjeshta. Sistemet e taksave në BE janë të trashëguara nga shekulli XIX.
Ato janë të ndërlikuara dhe të ngarkuara me borxh”, thotë ai.
Një tjetër problem që sipas tij rëndon mbi Europën është emigracioni.
Giscard thotë se emigracioni në Europë lidhet me rritjen e popullatës globale.
Numri i emigrantëve do të rritet, ndërkohë që Europa e ka arritur kapacitetin pritës.
Ai propozon që BE-ja duhet të marrë në konsideratë idetë e përfshira në draftin e tij kushtetues për BE-në, si reduktimi i numrit të komisionerëve, shkurtimi i burokracisë apo lënia e disa çështjeve në dorën e qeverive të shteteve.
“Bashkimi Europian e la veten të merret përpara nga ambicia sepse e pa veten si qeveria e Europës.
Nuk është e tillë. Për momentin, Europa nuk ka qeveri të sajën”, thotë ai.