Islami, një kërcënim për Europën?

Revista Italiane Eutopia i kërkoi historianit Franco Cardini (autor i librit Europa dhe Islami) të komentojë disa nga tezat që janë hedhur në publik kohët e fundit nga aktorë të ndryshëm të cilët mendojnë që Islami është një kërcënim për Europën, pas atentave të 7 janarit në Paris.

1. Edhe një herë, zemra e qytetërimit perëndimor është goditur nga terrorizmi islamik. Mund të arsyetojmë akoma sa të duam rreth asaj që ndodhi, por fakti është se në qoftë se jo të gjithë myslimanët janë terroristë, sot, dhe tashmë prej një kohë të gjatë, të gjithë terroristët janë myslimanë.

 

Në të vërtetë në gjithë botën po raportohen atentate terroriste të rënda e të lehta me format të ndryshëm: prandaj pohimi është në vetvete i pasaktë. Nëse pastaj ne vendosim në diskutim nocionin zyrtar dhe sintetik të terrorizmit, situata ndryshon pamje në tërësi. Goditja me avionë ose drone, apo bombardimet, në shenjë reprezalje të përcaktuar në mënyrë të njëanshme, të objektivave të izoluara apo të qendrat urbane praktikisht të pa mbrojtura – dhe pastaj flasim për viktimat, duke thënë se “fëmijët përdoreshin si mburoja njerëzore”: si mendoni ju mund të merren mburoja njerëzore kur ju jeni viktima të një bombardimi? – është nga ana e vet terrorizëm në kuptimin e plotë, ngaqë një veprim i dhunshëm i projektuar për të përhapur terror.

 

2. Dallimi mes Islamit të moderuar dhe Islamit fundamentalist është një shpikje perëndimore: e vërteta është që myslimanët na konsiderojnë të pafe dhe si të tilla ato kanë ndaj nesh një qëndrim armiqësor. Nuk është rastësi që gjatë gjithë historisë Krishtërimi dhe Islami “shpesh herë kanë arritur deri tek armët”.

 

Krishtërimi dhe Islami, për aq kohë sa ka pasur një Krishtërim – pra një shoqëri që frymëzohej literalisht edhe në fushën civile, ligjore e kulturore nga parimet e krishtera, të njohura si të tillë – e pastaj një Perëndim laik e modern, dhe Islam, “kanë arritur” pikërisht “shpesh herë deri tek armët” (gjithmonë më pak nga ajo që bënë të krishterët dhe/ose europianët në mes tyre). Por më shpesh ato kanë lidhur raporte ekonomike, tregtare, diplomatike e kulturore mes tyre. Sa për dallimin në mes të “moderuarve” dhe “fundamentalistëve”, është e vërtetë që kjo ndarje është perëndimore dhe arbitrare, aq shumë sa ne konsiderojnë si të moderuar emirët e Gadishullit Arabik, të cilët po të flasim fetarisht nuk janë aspak të tillë, por ato të tillë shpallen ad hominem pasi janë aleatë dhe partnerë ekonomik. Në fakt Islami është një realitet tepër i madh dhe heterogjen, pothuajse një miliard e gjysmë njerëz, që nuk njeh institucione fetaro-juridike (pra “kisha” tipike), normativa të pranuara me konsensus dhe universalisht si të tilla. fetare apo institucione te centralizuara në mënyrë universale dhe që unanimisht të konsiderohet e tillë, por organizohet si një tërësi grupesh , shkollash juridike, organizatash bamirëse, sektesh mistiko-fetare etj; ai nuk ka as një qendër as një organizim hierarkik të brendshëm që t’i përfshijë të gjitha këto. Pra, kur i kthehemi Islamit, secili grup duhet të studiohet si një realitet më vete, pak a shumë siç ndodh për sektet e krishtera protestante (me përjashtim të Kishave të mëdha të Reformuara).

 

3. Është e vërtetë se edhe bota perëndimore ka njohur mungesë të tolerancës fetare dhe mbivendosjen ndërmjet fesë dhe autoritetit të shtetit, por ka shumë kohë që ne kemi dalë nga Mesjeta dhe e kemi ndarë politikën nga feja. Në vend të kësaj, Islami është ende duke jetuar sipas ligjit islamik, e nga kjo “Mesjetë” duket se nuk kanë ndërmend të dalë.

 

Mesjeta është një dimension vetëm i historisë perëndimore dhe, për më tepër i pranuar konvencialisht: pra, nuk është një hap që historia e të gjitha shoqërive njerëzore duhet ta kalojë me çdo kusht. Ajo u “shpik” nga humanistë të shek. XIV-XV të bindur se mund të rikthehej ajo që ata besonin si “përsosmëri” e qytetërimit romak, e arritur në periudhën e Augustit, dhe ajo çfarë i kishte ndarë prej saj ishte vetëm moçali i një “kohë-të-mesme”, i ngjyer nga barbaria dhe fanatizmi. Të themi të drejtën “Mesjetë” nuk është as edhe një përkufizim: është një jo-përkufizim, nëse nuk mund ta quajmë madje edhe si antipërkufizim. Perëndimi modern, i cili e shpiku atë dhe në të njëjtën kohë shpiku veten e tij, duhet të jetë i kujdesshëm që të mos bjerë përsëri: duke pohuar (dhe absolutisht pa e pranuar) se kjo, në termat me të cilat flasim, është një problem i vërtetë historik. Shoqëritë myslimane janë të strukturuara në një mënyrë tjetër dhe kurrë nuk kanë zgjedhur një dallim të qartë dhe definitiv mes sferës fetare dhe asaj civile e juridike: i cili, në realitetin historik dhe në kundërshtim me atë që ne mendojmë, ka nënkuptuar shumë shpesh – deri edhe në kohët e vona – një mbizotërim i politikës mbi fenë. Sulltani më i madh i shek. XVI, Sulejmani, që ne njohim si i “Mrekullueshmi”, në botën myslimane është i njohur si ‘el-Qanuni, pra restauruesi i Kanonit të Justinianit (jo i Sheriatit).

 

4. Si minimum, ne duhet të zbatojë ligjin e reciprocitetit: pse ne lejojmë të ndërtohen dhe të veprojnë kaq shumë xhami në territorin tonë, që shpesh bëhen qendra të fabrikimit të urrejtjes pa u kërkuar vendeve islamike të na lejojnë të ndërtojmë më shumë Kisha katolike?

 

Një kusht juridik i patjetërsueshëm, për të lejuar zbatimin e parimit të reciprocitetit, është që ky parim të aplikohet në mes dy subjekteve të cilët mund të vendosen në një plan dhe të jenë homogjenë: për shembull dy shtete, dy kompani ose dy individë të cilët kryejnë të njëjtin aktivitetet. Është e qartë se “Perëndimi” dhe “Islami” nuk janë dy gjëra homogjene ose të krahasueshme dhe gjithashtu pasqyrojnë dy koncepte kryesisht të përgjithshme, brenda të cilave lëviz një shumëllojshmëri e vlerave, institucioneve, mënyrave të jetesës dhe të menduarit. Në mes kujt pra duhet vendosur ky reciprocitet? Për shembull, në mes dy shteteve? Italia, që është një vend laik, por i banuar nga një shumicë qytetarësh e cila thotë se është ose sociologjikisht konsiderohet si katolike, mundet për shembull të bëjë hapa institucionale dhe diplomatike serioze që kanë për qëllim marrjen e reciprocitetit për objektet e kultit katolik me çdo vend mysliman? Por me kë? Me Egjiptin, Jordaninë apo Turqinë, të cilat kanë komunitete të krishtera të qëndrueshme dhe të respektuara (edhe pse këto ditë siguria është për fat të keq gjithmonë e rrezikuar)? Apo me Irakun e Sirinë, vende ku këto komunitete ishin të sigurta përpara, por tani për shkak të Perëndimit, çdo gjë u çakordua? Apo me Emiratet Arabe, ku të krishterët janë të pakët dhe regjimet e tyre “ndjekin sheriatin”, por janë aleatët dhe partnerë tregtarë të sigurt për qeveritë tona, të cilat nuk kanë dëshirë fare t’i krijojnë probleme kësaj harmonie për arsye fetare, dhe nuk do të kishin një të drejtë të tillë – si qeveri “laike” – për ta bërë këtë?

Në qoftë se qeveritë tona laike e bëjnë këtë, si do t’ia bëjmë me qytetarët jobesimtarë, hebrenjtë ose budistët, të cilët ndoshta do të mund të ankohen për këtë trajtim të veçantë që u bëhet të krishterëve? Përsëri, duke pranuar se qeveria jonë – duke u bërë padrejtësisht mbrojtëse e lirisë së Kishës – këmbëngul te mbreti i Arabisë Saudite për të hapur kisha në territorin e saj, dhe ajo e refuzon, pse duhen mbyllur xhamitë italiane duke mos i mundësuar të luten edhe ata myslimanë që nuk janë nënshtetas Sauditë? Sido që ta marrim këtë argumentin e “reciprocitetit”, është ligjërisht, diplomatikisht dhe politikisht jo i praktikueshëm. Në një nivel moral pastaj është i neveritshëm: në qoftë se në Perëndim jemi të sigurt në principet tona etike që mbështeten mbi tolerancën e kujtesës lockiane dhe volteriane, nuk mund të devijojmë nga bindjet tona me arsyetimin se të tjerët nuk i ndjekin parimet tona.

 

5. Nuk mund të bëjmë asgjë, jemi në luftë. Nga 11 shtatori deri më sot, nga New Yorku në Paris, organizatat terroriste, të cilat janë Al Kaeda apo Isis, e fluturojnë fanatizmin e tyre nga tytat e Kallashnikovit. Mund të vazhdojmë të kundërshtojmë këtë dhunë me idenë patetike të dialogut?

 

Nuk mund të bëjmë asgjë, jemi në luftë. Jemi ndoshta që nga 1918, kur fuqitë fituese të Luftës së Parë Botërore mashtruar botën arabe, të cilës i kishin premtuar bashkim dhe liri në një regjim që do të oksidentalizohej shumë shpejt, konkretisht ai i sherifit Husein të Mekës, që kishte ngritur arabët kundër sulltanit të Stambollit (edhe pse ai ishte Kalif), megjithëse ishte një admirues i sinqertë e liberal dhe veçanërisht i Madhërisë së Saj Britanike: anglezët dhe francezët i kishin premtuar një “Arabi të madhe dhe te lirë”, por në vend të kësaj ata e ndanë botën arabe me regjimin e mandateve. Sigurisht ne jemi në luftë: që nga koha kur me alibinë për kapjen e Bin Ladenit, pa dëshmi autentike për përgjegjësinë e tij në faktet e 11 shtatorit, SHBA dhe bashkëpunëtorët e tyre sulmuan Afganistanin në 2001 (atëherë të sunduar nga ata talebanë që vetë amerikanët i kishin futur në Afganistan nga Arabia Saudite dhe Jemeni gjatë luftës kundër okupacionit sovjetik), dhe kur në 2003 ata sulmuan Irakun e Saddam Husseinit, duke tundur flamurin e “armëve të shkatërrimit në masë”, të cilin tani po e montojnë përsëri kundër Sirisë.

Jemi në luftë që në vitin 2011, kur francezët dhe anglezët mbështetën, financuan dhe armatosën opozitarët e Geddafit në Libi dhe të Assadit në Siri, megjithëse e dinin që mes tyre kishte grupe fundamentaliste – dhe tani Holland ka fytyrë të valëvisë “rrezikun fundamentalist”, të cilin ai vetë ka kontribuar që të rritet. Jemi në luftë që kur lobet multinacionale, në bashkëpunim me qeveritë perëndimore dhe elitat drejtuese lokale të korruptuara, kanë filluar të zhveshin Afrikën nga të gjitha pasuritë e saj duke shkaktuar reagimin e dëshpëruar të njerëzve që përfundojnë në radhët e organizatave fanatike si Boko Haram. Vetëm se në të gjitha këto fakte, më shpëton diçka nga pyetja që u shtrua më parë: cila ishte ajo “ideja patetike” e dialogut që Perëndimi po kërkon të çojë përpara? Ajo e agresionit ushtarak apo ajo e zhvatjes së përditshme nga korporatat multinacionale?

 

6. Lejimi i hyrjes së miliona emigrantëve në territorin tonë do të thotë të kalojë para syve tanë kali i Trojës së fanatizmit islamik: kultura jonë demokratike dhe kristiane na ndalon të mbyllim kufijtë përballë të persekutuarve apo të uriturve; por duhet të ulim shumë numrin e atyre që vijnë dhe të kontrollojmë ç’do person që vjen nga vendet islamike duke u siguruar për sjelljen e tyre në shoqëri.

 

Druaj se, në këshillimin për mikpritje, kultura jonë demokratike apo kristiane nuk ka të bëjë aspak. Ndërsa, ka të bëjë fakti që përderisa na duhet fuqi punëtore me çmim të ulët dhe në të zezë, këto emigrantë janë të mirëpritur.

Ka të bëjë që sistemi i zhvatjes sistematike të resurseve natyrore, sidomos në kontinentin afrikan, të bërë nga korporata me mbështetjen e qeverive tona dhe të atyre lokale të mbështetura gjithashtu nga ne dhe që e kanë katandisur këtë kontinent në varfëri ekstreme dhe në vend të dëshpëruarish. Po vazhdojmë në rrugën e “shkëmbimit asimetrik”, të inauguruar në fillimet e kolonializmit në shek. XVI: importojmë nga ato fuqi punëtore dhe lëndë të para me çmimin që vendosim ne, eksportojmë drejt tyre produkte finale dhe “vlera jomateriale”, si Liria apo të Drejtat njerëzore, gjithmonë me çmimin që vendosim ne. Dhe me këtë parantezë pastaj ne mrekullohemi nga “lufta asimetrike”? Jemi vërtet të sigurt që ju kemi lënë atyre ndonjë zgjidhje tjetër përveç asaj që të mbyten në Kanalin e Siçilisë apo të rrokin armët?

 

7. Kush thekson faktin që shumë terroristë janë qytetarë europian vetëm për faktin sepse janë bij emigrantësh dhe përgjigja ndaj tyre është një forcim të sigurisë: e dimë ku takohen të rinjtë mysliman, qofshin xhami apo lagje të tëra dhe ku lindin qendrat e indoktrinimit për dhunë. Duhet të forcojmë kontrollet e policisë dhe të shtohet prania e ushtarakëve në këto zona. Myslimanët e mirë nuk kanë pse të frikësohen.

 

Mirë: le të pranojmë si të vërtetë faktin që ne mund të dimë se ku rekrutohen dhe mësohen me dhunë këto terroristë – atëherë loja mbaroi, mjafton t’i mbylli dhe të arrestojmë përgjegjësit. Por nëse kemi vetëm dyshime dhe gjurmë, atëherë “forcimi i sigurisë” është i domosdoshëm por jo i mjaftueshëm. I vetëm “forcimi i sigurisë”, përveç kostove tepër të larta dhe vështirësive organizative dhe praktike do të kontribuonte për të krijuar armiqësi dhe dyshime akoma më të mëdha dhe do të çonte ujë në mullirin e propagandës terroriste, pra do të sillte efekte plotësisht të kundërta në krahasim me ato që duam. Për të evituar këtë, duhet ta shoqërojmë “forcimin e sigurisë” me një politikë kapilare të mikpritjes: pra merr rrol parësor shkolla, eventet kulturore dhe asistenciale në të gjitha nivelet, pra iniciativa që krijojnë mundësi takimi dhe shkëmbimi nga njëri-tjetri. Ka një mënyrë të sigurt për të urryer kulturën e Tjetrit: injorimi dhe konsiderimi i saj si inferiore dhe e rrezikshme. Dhe ka një mënyrë të sigurt për ta dashur dhe admiruar: të mësosh ta njohësh. Unë nuk jam as arabist dhe as islamist, por kam një eksperiencë orientaliste në planin historik-antropologjik: si katolik që jam, nuk e kam dashur kurrë kaq shume traditën katolike sikur kam bërë që kur mësova të vlerësoj për shembull atë që teologjia islame thotë, shkruan dhe mendon për Virgjëreshën Mëri.

 

8. Përveç masave të sigurisë duhet të punojmë fort që të rikthejmë identitetin tonë europian, bazuar në traditat tona, qytetërimit tonë greko-romak, në rrënjët e krishtera të lirisë sonë. Vetëm përmes një besim të përtërirë në veten tonë ne mund të bëjmë të tjerët të na respektojnë.

 

E sigurt, por duhet të veprojmë duke qenë të bindur se nuk ka identitet që është pa të meta dhe që ai është i pajisur me një dinamikë të brendshme, nuk ka traditë që nuk i detyrohet në fillimet e saj traditave të tjera. Rrënjët tona janë heleno-romake […]. Më pas, me krishtërimin iu situa influencat hebraike, neoplatoniste, dhe gnostike. Dhe ja përsëri më vonë vjen kontributi i popujve “barbarë”: ilirët, keltët, galët, gjermanët, arabo-myslimanët. Vetëdija e relativitetit të diferencave, e analogjive të panumërta dhe e ngjashmërive mes kulturës sonë dhe të Tjetrit nuk do të mund veçse të shtojë afërsinë mes nesh dhe të lehtësojë dialogun dhe bashkëjetesën.

"E-zani"

SHKARKO APP