Ismail Kadare dhe intelektualët më të spikatur botërorë: “Europa po shpërbëhet para syve tanë”
“Vlerat intelektuale në Europë po përballen me një sfidë që nuk është parë që nga vitet 1930”, thonë disa nga intelektualët më të spikatur nga 21 vende të botës, përfshirë shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare, teksa Britania po shkon drejt përmbushjes së Brexit-it e nacionalistët duket se do të marrin shumë vota në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Europian.
Bëhet fjalë për një grup prej 30 shkrimtarësh, historianësh e fituesve të çmimit Nobel. Ata kanë nënshkruar një manifesto, të botuar në shumë gazeta, përfshi “The Guardian”, ku ngrenë alarmin se ideja e Europës po shpërbëhet para syve të tyre.
“Duhet të veprojmë tani, ose Europa do të zhduket nën dallgët e populizmit”, thotë shkrimi. “Duhet të rikthejmë vullnetarizmin politik, ose të pranojmë se do të rrethohemi e do të pushtohemi nga urrejtja dhe pasionet e zymta që e ndjekin”.
Ata shkruajnë se është për të ardhur keq që Europa u braktis nga ishulli përtej Kanalit, duke iu referuar Brexit-it, që e ka sjellë marrëdhënien e BE-së me Anglinë në pikën më të ulët në historinë e pas-Luftës së Dytë Botërore.
Intelektualët vlerësojnë se “nëse nuk ndërmerren përpjekje për të luftuar populizmin, zgjedhjet në BE do të jenë më fatkeqet që ka parë BE; fitore për shkatërrimtarët; turp për ata që ende besojnë te trashëgimia e Erasmusit, Dantes, Gëtes dhe Komeniusit. Një përbuzje e inteligjencës e kulturës; shpërthim i ksenofobisë dhe antisemitizmin; një katastrofë”.
“Europa është braktisur nga përtej Kanalit e përtej Atlantikut, nga dy aleatët më të mëdhenj që në të shkuarën e kanë shpëtuar kontinentin dy herë nga vetëvrasja; e kanë lënë të cenueshme ndaj manipulimeve që sa vijnë e bëhen më haptazi nga ideatori i tyre në Kremlin. Eruopa, si ide, vullneti dhe ajo çfarë përfaqëson, po shpërbëhet para syve tanë”, shkruan teksti.
Lista e plotw e firmëtarëve: Vassilis Alexakis, Svetlana Alexievitch, Anne Applebaum, Ismail Kadare, Jens Christian Grøndahl, David Grossman, Agnès Heller, Elfriede Jelinek, György Konrád, Milan Kundera, Bernard-Henri Lévy, António Lobo Antunes, Claudio Magris, Ian McEwan, Herta Müller, Lyudmila Ulitskaya, Orhan Pamuk, Rob Riemen, Salman Rushdie, Fernando Savater, Roberto Saviano, Eugenio Scalfari, Simon Schama, Peter Schneider, Abdulah Sidran, Leïla Slimani, Colm Tóibín, Mario Vargas Llosa, Adam Michnik and Adam Zagajewski.