Ismail Kadare: Ja si Vandush Vinçani e futi në shtyp librin tim në frëngjisht “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”
Nga Mentor HOXHA -Paris
…Letërsia shqipe dhe shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadare, disa herë kandidat për çmimin “Nobël” në Letërsi u bënë të njohur në arenën ndërkombëtare pas botimit në Francë të romanit epope “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (frëngjisht: Le général de l’armée morte, 1968), i cilësuar nga gazeta e njohur franceze “Le Monde” si një ndër 100 librat e shekullit XX. Pas botimit në Paris, ky roman është përkthyer më pas nga frëngjishtja në mbi 40 gjuhë të botës, por, pak njerëz e dinë që një kontribut të madh në këtë drejtim ka dhënë frankofoni i shquar shqiptar dhe përkthyesi i talentuar i guhës frënge, Vandush Vincani. Po të mos kishte qenë ndërhyrja e tij, gjatë kohës që punonte si Nëndrejtor i Shtëpisë Botuese “8 Nëntori” në Tiranë, kjo perlë letrare nuk do të ishte botuar, ose do të ishte vonuar, dhe ndofta, Kadare dhe “Gjenerali…”, nuk do të ishin botuar në Francë dhe nuk do të ishin kaq të famshëm sa janë sot.
Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u përkthye në frëngjisht, fillimisht në Tiranë nga Jusuf Vrioni (1916-2001), një nga frankofonët dhe njohësit më të shkëlqyer të gjuhës dhe letërsisë frënge, i shkolluar në shkollat më të mira franceze, ambasador i Shqipërisë nëUNESCO (1998-2001), i nderuar nga Franca me Urdhrin “Oficer i Legjionit të Nderit” (1998), djali i ish kryeministrit të njohur, Iljaz bej Vrioni (1882-1932). Ky përkthim në frëngjisht nga z. Vrioni nuk u fut në shtyp dhe mbeti për katër vjet në sirtaret e Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”. Vandush Vinçani, i sapo emëruar Nëndrejtor i kësaj Shtëpie Botuese, pasi kishte patur disa ngritje dhe ulje në detyra të tjera të rëndësishme në Komitetin Qendror, e sheh dorëshkrimin, e merr në dorë veprën, e vlerëson shumë cilësinë e përkthimit dhe pa bërë bujë gjen një boshllëk dhe e fut në shtyp në redaksinë e veçantë që merrej me botimet në gjuhë të huaja. Ishte pikërisht ky botim i Tiranës në frëngjisht nga Vandushi që ndihmoi që më vonë romani të gjente rrugën e botimit në Francë dhe që u bë i famshëm në Perëndim.
Këtë kontribut të madh të frankofonit të shquar shqiptar, Vandush Vinçanit për letërsinë shqipe dhe gjuhën frënge, në veçanti ndaj shkrimtarit më të shquar shqiptar dhe romanit më të famshëm të letërsisë shqipe e përmend edhe Ismail Kadare dhe bashkëshortja e tij, Helena, prozatore e talentuar, të cilët, që nga viti 1990 kur Kadare kërkoi azil politik në Francë, ata ndajnë kohën mes Parisit dhe Tiranës. Në intervistën e dhënë në emisionin “Opinion” në TV “Klan” (27 Janar 2016) përballë gazetarit, Blendi Fevziu, në kuadër të 80-vjetorit të lindjes së tij, Ismail Kadare shprehet kështu për kontributin e Vandush Vinçanit në botimin e romanit të tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në frëngjisht në Tiranë:
“Isuf Vrioni i dalë nga burgu duke kërkuar punë ka rënë në romanin tim në ‘63-in, ai e ka përkthyer dhe e ka çuar dorëshkrimin vetë ai në Shtëpinë Botuese dhe ka pritur tre deri katër vjet sa të botohet. Romani është botuar fare rastësisht. Nëndrejtori i Shtëpisë Botues ka ardhur një ish funksionar i regjimit komunist, i rrëzuar që quhej Vandush Vinçani, më kujtohet mirë, një frankofil, është mahnitur nga cilësia e përkthimit, se dinte shumë mirë frëngjisht dhe në mënyrë të pabujshme duke gjetur një diçka si mungesë plani e futi për botim”.
Këtë nder dhe kontribut të Vinçanit, e përmend edhe bashkëshortja e Ismailit, Helena Kadare në faqen 200 të librit të saj voluminoz me kujtime “Kohë e pamjaftueshme”(“Onufri”, 2001), i botuar fillimisht në Paris në gjuhën frënge, më pas në shqip në Tiranë.
VINÇANI, FRANKOFON I SHQUAR, I DEKORUAR NGA FRANCA ME PALMËN AKADEMIKE
Gjatë periudhës afro 50 vjeçare të regjimit komunist (1944-1990), njohësi i talentuar i gjuhës dhe i letërsisë frënge, Vandush Vinçani është emëruar dhe shkarkuar disa herë nga detyrat e rëndësishme shtetërore që ka pasur, përshkak të mospajtimeve ideologjike me drejtuesit komunistë të kohës. Pas botimit në frëngjisht të romanit të Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Vandushi u shkarkua përsëri nga detyra si Nëndrejtor i Shtëpisë Botuese “8 Nëntori” dhe punoi si përkthyes deri kur doli në pension. Dashuria për frëngjishten dhe përkthimin nuk i shteroi asnjëherë, gjë që e vazhdoi deri më 18 janar 2005 kur ndërroi jetë. Ka përkthyer disa libra nga gjuha frënge dhe ka redaktuar shumë libra të autorëve të njohur shqiptarë. Nga përkthimet e fundit të tij nga frëngjishtja janë: “Foleja e nepërkave”e nobelistit Francois Mauriac dhe “Errësirë në mesditë” nga Artur Kestler. Nga librat e shumtë që ka redaktuar veçohet libri voluminoz “Fjalori im i parë i frëngjishtes i ilustruar” (Frëngjisht-shqip, shqip-frëngjisht: rreth 9 000 fjalë, “Dituria”, Tiranë, 2002, libër për grup moshat 7-13 vjeç). Autore e këtij Fjalori është Drita Hadaj, Presidente e Aleancës Franceze në Tiranë.
Për merita të veçanta në lëvrimin dhe përhapjen e kulturës dhe civilizimit francez në Shqipëri, Presidenti i Republikës së Francës, Z. Jacques Chirac (Zhak Shirak, 1932-2019) e ka dekoruar z. Vandush Vinçani me Urdhrin Chevalier de la Palme Academiques (Kalorës i Palmës Akademike). Ky urdhër i është dorëzuar në ambientet e Rezidencës së Ambasadës Franceze në Tiranë në prani të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Rexhep Meidani, të përfaqësuesve të Ambasadës së Francës, të familjarëve dhe të ftuarve të shumtë.
Pasionin për gjuhën dhe letërsinë frënge, Vandushi u’a ngjizi edhe fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, të cilët e flasin shkëlqyeshëm gjuhën frënge. Djali i tij, Genci që prej 21 vitesh jeton familjerisht në Toronto të Kanadasë, i’a di për nder babait të tij që i mësoi gjuhën frënge, ndërkohë edhe bashkëshortja e Gecit, Alda Kotti-Vinçani flet me plot respekt dhe mirënjohje për vjehrrin e saj të talentuar. “Z. Vandush ishte një nga njerëzit që me vetë prezencën, sjelljen, mençurinë dhe dashurinë, të bënte të ndjeheshe e tërhequr nga forca e fjalës dhe thellësia e mendimit të tij”, -thotë Alda. “Ai ka qenë inciatori dhe mësuesi ynë “privat” i gjuhës frënge. Nga përvoja personale mund të them se ishte mësues tepër rigoroz. Kishim dëshirë dhe e dëgjonim si të hipnotizuar kur na fliste për bukurinë, tingëllimën dhe ëmbëlsinë, si të gjuhës shqipe, ashtu dhe asaj frënge. Njohuritë që na dha, na shërbyen dhe i përdorëm me sukses në punën tonë edhe këtu në Kanada. Ka një vend të veçantë në zemrat tona si familje dhe do të mbetet gjithnjë i paharruar”, e mbyll bisedën Alda nga Kanadaja e largët.
KUSH ËSHTË VANDUSH VINCANI
Vandush Qani Vinçani ka qenë intelektual dhe përkthyes i talentuar i gjuhës frënge, mbajtës i disa posteve të rëndësishme, i persekutuar dhe i rehabilituar disa herë nga regjimi komunist. Ka qenë antifashist dhe politikan disident, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, zotërues i disa gjuhëve të huaja, autor dhe redaktor i dhjetra teksteve shkollore dhe materialeve metodike në dobi të mësimit të gjuhëve të huaja nga brezi i ri shkollor, përkthyes i disa librave nga frëngjishtja, korrektor e redaktor i shumë librave me prozë, poezi, tregime nga letërsia franceze duke filluar që nga romantikët e mëdhenj francezë e deri në letërsinë dhe përrallat për fëmijë që aq bukur dhe me aq finesë së bashku me kolegë të tjerë të shquar kanë ditur të kultivojnë lidhjen e gjuhës shqipe me atë frënge. Ka redaktuar edhe mjaft libra artistikë dhe metodikë të autorëve të njohur shqiptarë.
Lindi më 12 prill 1924 në Korçë në një familje fisnike intelektuale korçare. Babai i tij, Qaniu ishte një avokat i nderuar në qytetin e Korçës, si dhe deputet në periudhën e Mbretërisë Shqiptare. Nga ana e nënës vinte nga familja e njohur patriotike Babani. Bashkëshortja e tij, Marjeta ka qenë mësuese dhe drejtoreshë e shkollës “Alqi Kondi” dhe një nënë e mrekullueshme që rriti dhe edukoi dy djem të talentuar. Vandushi, ndoqi studimet në Liceun francez të Korçës, shkollë nga e cila ka dalë një pjesë e konsiderueshme e elitës shqiptare, madje dhe drejtues të shtetit shqiptar. Merr pjesë në Demostradën e Korçës më 8 nëntor 1941, nga ku plagoset në këmbë dhe mbeti invalid për gjithë jetën. Megjithatë, ai u ngrit mbi dhimbjen dhe merr pjesë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Pas çlirimit të vendit nga pushtuesit italianë dhe gjermanë emërohet drejtor i Shtypit në Komitetin Qendror. Në Konferencën e Tiranës (1956) ngrihet kundër kultit të individit dhe privilegjeve në parti, gjë për të cilën u dënua dhe u shkarkua nga funksionet përkatëse. Më vonëu rehabilitua dhe u emërua nëndrejtor në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”. Por, shkarkohet përsëri nga detyra dhe u mor me përkthime deri kur mbylli sytë pwrgjithmonë. Megjithë vështirësitë e mëdha që pati në jetë, si nga ana shëndetësore, ashtu dhe nga ana politike, të cilat i kaloi me shumë dinjitet, ai punoi me shumë vullnet, përkushtim, pasion dhe dashuri duke dhënë kontributin e tij kudo që punoi.