Ismail Morina: u ngrit si Ballist, ra si partizan
Nga Alfred Lela
Në fëmijëri, kur luhej luftash, askush nuk pranonte të bëhejballisti. Madje, kjo ‘skuadër’ parapëlqehej edhe më pak se ‘armiku’ që ishin kryesisht ‘gjermanët’ dhe që visheshin me atë pah prej të cilit s’i kishin zhveshur dot as filmat e socrealizmit, si përkora dhe rreptësia, të dyja njëfarë nënteksti për ‘ndershmërinë’.
Deri vonë fjala ballist shenjonte ‘të padëshiruarit’, e kështu është edhe sot, sepse dihet,është e vështirë të shkulësh kode kulturore të ngulitura me këmbëngulje antropologjike në dekada propagandistike.
Për të ardhur te ‘Ballistët e Tetovës’, një grupim tifozësh që u bënë gjithnjë e më të pranishëm e më të zëshëm në ndeshjet e Kombëtares shqiptare, në një lojë hahen-e-s’ndahen me ‘Tifozët kuqezi’ apo ‘Plisat’. Me sa duket, kohët e reja thërrisnin për kode të reja dhe Ballistët dolën nga urrejtja e zakonit, edhe pse mbi krye mbanin po ato qeleshe me shqiponjën dykrenëshe si të anëtarëve të Ballit Kombëtar, një organizatë politike nacionaliste, kundërshtare e komunistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ballistët e Tetovës rehabilituan në syprinën kulturore kombëtare ballistët e Mit’hat Frashërit. Atë që s’e bënë dot dijet e thella, libraria e pasur apo urtia e Lumo Skëndos, u duk se e mundësoi një skalion djemsh të rinj, ndoshta të papunë një pjesë, ndoshta një pjesë tjetër në kërkim të sublimimit personal me anë përdorimi simbolikash kombëtare, e një pjesë e tretë thjesht bjerrakohës në lojën e tavllës kombëtare që quhet nacionalizëm.
Ballistët megjithë protagonizmin incidental, sa herë luante top Kombëtarja e Shqipërisë, nuk u bënë megjithatë kurrë një fakt qendror i ecejakeve ku bredhin papushim moret e popkulturës. U desh një Ballist i vetëm, i cili në fakt quhej Ismail Morina, por e mori pagëzimin brenda nate për shkak të grupit të cilit i përkiste, që emri të lehtësohej nga rëndesa socrealiste e paragjykimit dhe të thuhej apo lexohej me të njëjtën këndellje me të cilën, në filmat e Kinostudios dhe librat e Lidhjes, tingëllonte fjala ‘partizan’.
Ndodh pra që një ballist të bëhet partizan. A mund të ndodhë e kundërta. Nuk e kemi parë këtë lloj kthese në shtampat e letërsisë apo kinematografisë së realizmit socialist, e s’mund të themi. Por, Ballisti ynë, ky i fisit të Morinës pra, doli se na paskësh qenë partizan. Nga ata me yll në ballë dhe revole në brez. Të një marke komuniste si Zastava, prodhim i asaj Jugosllavie të dalë nga lufta një melting pot republikash pas fitores së partizanëve të Titos.
Ndodhi e gjitha një natë të kristaltë beogradase (një kristallnacht shqiptar, sipas serbëve) në formën e një flamuri kuq e zi, ku errësonte spikama e një harte etnikisht arrogante dhe dy portreteve ngashnjimisht kombëtare. Përmes tisit të misterit e ngazëllimit kombëtar i doli zot asaj burrërie Ismail Morina. Emri që i vunë, Ballist, e shpjegonte më mirë aktin e tij. Ashtu si nacionalistët e L2B, ai kërkonte, në emër të sublimimit kombëtar, Shqipërinë Etnike me atë gjest dhe flamur. I shkonte një ballisti kjo. Një partizani, jo: ai mund të përfytyrohet më lehtë si dikush që vërshëllen njëInternacionale do të jetë bota e re…apo duke mbrojtur tezën e vëllazërisë me popujt jugosllavë.
Por ballisti u bë partizan pa kaluar shumë: në një natë tetori tiranas, diku te “Petro Nini”, diku në një rrugicë (që dikur kërkonte diell) së cilës do i shkonte emri e Barrikadave apoBrigada VIII Sulmuese. Me Zastavë të vjetër në brez, fishekë, dy duzina biletash të ndeshjes Shqipëri-Serbi dhe 2-3 debatikas në makinë, ai sikur kish dalë nga mjegullat e harruara jugosllave për të na riprezantuar partizanin internacional.
Lumo Skëndo do të rrënqethej po të dinte se Ballist Morina me programin e tij me vetëm një pikë të mbiquajtur Autocthonus, u pranua më shpejt e më paq se Dekalogu i Ballit Kombëtar shkruar prej tij.
Por, ra brenda një nate, ashtu siç iu desh vetëm një natë për t’u ngritur në kupë të qiellit kombëtar.
Ra si ballist apo si partizan?
MAPO