“It’s the drugs, stupid!” ose një manual për të parashikuar të ardhmen!
Nga Lorenc Vangjeli
E vërteta është gjithmonë shumë e dukshme, por njerëzia zakonisht zgjedh të vetëverbohet vetëm për mos ta parë. Çfarë nuk duket është njëlloj sikur të mos ekzistojë! Megjithatë ka disa sinjale domethënëse në Tiranë e përtej, të cilat teorikisht duhet të kishin ngritur stuhinë perfekte, që ende nuk po e dallojnë kryesisht ata që kanë zgjedhur të vetëverbohen.
Në janar të këtij viti Presidenti Trump firmosi një urdhër ekzekutiv që i konsideron kartelet e drogës si organizata terroriste. Që do të thotë se fuqia më e madhe politike, ushtarake e morale e gjithë botës, do të hyjë në luftë me to me të gjitha mjetet në dispozicion. Duke mos përjashtuar edhe përdorimin joproporcional të forcës dhe forcën e pakufishme të informacionit që zotëron. Që nga aeroplanmbajtëset në Karaibe e deri tek tarifat tregtare. “America First” shfaqet gjithashtu edhe në një numër i papërcaktuar dallgësh që nisin nga bregu Lindor i Atlantikut e që herët a vonë, do të përplasen në bregun Perëndimor të oqeanit, do të depërtojnë në Mesdhe e do të ngjiten deri lart në Adriatik. Sanksionimi nga Departamenti Amerikan i Thesarit për familjen Hysa, emigrantë shqiptarë të stacionuar mes SHBA-së e Kanadasë, duke e konsideruar të lidhur me kartelin e Sinaloas në Meksikë, është një fill Ariane për të ecur, qoftë dhe verbtazi, drejt parashikimit të një të ardhmeje jo shumë të largët. Një njësi e FBI-së në zyrat e SPAK-ut në Tiranë dhe prania e DEA-s në Shqipëri, janë vetëm sinjale të dukshme për të trajtuar kufinjtë e një logjike të thjeshtë: amerikanët, por dhe evropianët që si rregull ndjekin gjurmët e parave për të gjetur emrat e mëkatarëve, nuk e tolerojnë mbylljen e ciklit të trafikut të drogës. Sepse paratë e gjeneruara nga ai trafik, pavarësisht se ku tentohet të pastrohen, për përkufizim, janë në thelb para amerikane dhe evropiane, sa kohë që përdoruesit e saj janë ata që paguajnë.
“Çunat e Londrës”, siç quhet me përkedheli një kastë shoferësh të makinave me timon djathtas e që miklohen fort në Tiranë, kanë bërë të mundur që në Shqipëri të ketë një prani “të çuditshme” britanike. Natyrisht prani jo diplomatike dhe me njerëz që në pamje të parë mund të duken edhe si turistë në gjurmim të Maldiveve shqiptare. Njerëzit e ish-perëndorisë me diell që nuk perëndonte kurrë, janë stacionuar në kryeqytet, por dhe në bregdetin e jugut kryesisht, por jo për të shijuar perëndimet spektakolare të diellit në detin Jon. Edhe kur shfaqen si gazetarë me emra që Google nuk i njeh për të tillë. Paundi britanik i fituar në mënyrë kriminale në Londër, quhet ende “pronë” e Kurorës edhe nëse shpenzohet në shezlongjet e resorteve shqiptare.
Natyrisht nuk mungojnë gjermanët, kurse belgët e kanë thënë edhe zyrtarisht. Dy ministre belge kërkuan një muaj më parë në Tiranë hisen e shtetit të tyre nga pasuritë kriminale të sekuestruara në Shqipëri si rezultat i hetimeve të kryera në vendin e tyre. Edhe për ta, eurot e fituara nga krimi e të shndëruara në tulla Tiranë, janë para gjermane apo belge.
Tani që ka mbaruar zyrtarisht sezoni i turizmit në Shqipëri, një numër në rritje mediash të huaja, sa herë që shkruajnë për vendin e shqiponjave, nuk harrojnë të shtojnë edhe fjalët për krimin e organizuar, trafikun e drogës, rolin e shqiptarëve në zinxhirin e trafikut, nga vendi i origjinës e deri në shpërndarjen tek konsumatori evropian dhe për mënyrat e pastrimit të mundshëm të parave të fituara po në Shqipëri. Harta mediatike shndërrohet kështu në një termometër që mat temperaturë delikate në vend. Dhe si në mjekësi, temperatura e organizmit është përgjithësisht shenja e parë e diçkaje që nuk shkon me trupin.
Sekuestrimet pothuaj inekzistente të kokainës në portet dhe portat hyrëse në Shqipëri, çikërrimat që u janë kapur vetëm ca fakirëve fundorë në Tiranë, tregojnë një tablo krejt tjetër nga perceptimi empirik. Vetëm në një rrugë lokalesh të famshme në Tiranë mund të konsumohet deri në një pikë pesë apo dy kilogram kokainë në fundjavë vjeshte, përcakton një gazetar nga ata pa emër të shfaqur në Google.
Ndoshta edhe nuk është kështu. Ndoshta Shqipëria edhe në këtë rast është rast i veçantë. Dhe ky është versioni më pozitiv i mundshëm. Kurse në versionin më të keq të mundshëm, harta e trafikut të drogës me protagonistë shqiptarë, mund të shpjegojë pothuaj gjithçka ndodh në Tiranë e gjetkë. Shpjegon politikën, biznesin, median, vrasjet e bujshme kriminale, cash-in e jashtëzakonshëm në qarkullim apo të fshehur në dhoma të posaçme. Ndoshta shpjegon edhe hetimet e SPAK-ut dhe dosjet më të bujshme të tij. Dosjet e krimit, por edhe të politikës.
“Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë!”, paralajmëronte dikur Edi Rama për të gjithë ata që zgjedhin të vetëverbohen. Edhe për zengjinët e rinj arrogantë që ende shpresojnë se Zoti mund ta bëjë ëndërr, ëndrrën ku shumëkush po jeton prej vitesh në Shqipëri. Atë ëndrrën mashtruese, të droguar me USD, Euro, Paund, shufra floriri, Kriptomonedha, makina e prona pafund, që i përkasin Perëndimit, do të rikthehen në Perëndim dhe që nuk mund të luhen si në jerm në kazinotë e fatit askund gjetkë.
KOHA JONË SONDAZH

