Ja 12 sulmet dhe kërcënimet më të bujshme të drejtuesve të lartë të shtetit
Ngjarjet me të bujshme ndër vite ku protagonistë të sulmeve janë drejtues të lartë të shtetit, duke përfshirë, kryeministra, presidentë, ministra apo edhe deputetë janë përmbledhur në një shkrim nga Roland Qafoku
Ja kronologjia e ngjarjeve
9 Maj 1996 Një i ri me emrin Ilir Buzi kërcënon me një granatë në dorë presidentin Sali Berisha me homologun italian Luigi Scalfaro gjatë vizitës së tij në Tiranë. Atentatori që kërcënonte se do aktivizonte granatën në këmbim të një kredie, u çarmatos dhe u arrestua.
13 Mars 1997 Shkëmbim zjarri përpara godinës së presidencës midis një grupi personash që kërkonin të hynin brenda ku ndodhej presidenti Sali Berisha. Pas disa të shtënash, sulmuesit me armë u larguan.
4 Qershor 1997 Në një miting në Shkallnuer të Durrësit Ilir Ceta hodhi një granatë ndaj presidentit Sali Berisha në pudiumin në të cilin po mbante fjalim, por ajo nuk shpërtheu.
21 Shtator 1997 Shpërthen në Shkodër nga një sasi tritoli në një makinë që ishte pjesë e eskortës së ministres së Kulturës Arta Dade që do merrte pejsë në një simpozium. Makina e parkuar u shkatërruar plotësisht
12 Janar 1998 Një makinë i zë rrugën eskortës së ministrit të Brendshëm Neritan Ceka sapo ai del nga godina e ministrisë së Brendshme. Autori arrestohet.
12 Shkurt 1998 Një telefonatë anonime në drejtorinë e policisë së Tiranës njoftonte që kishte vënë bombë në zyrën e kryeministrit Fatos Nano. Pas evakuimit të godinës së qeverisë duke larguar edhe kryeministrin Nano, rezultoi se gjithcka ishte e rreme.
14 Shtator 1998 Sulmohet me armë, granata, antitank e tank, godina e kryeministrisë për të vrarë kryeministrin Fatos Nano. Ngjarja që ndodhi pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari u cilësua si kryengritje e armatosur u shoqërua me shkatërrimin e zyrës së tij dhe të gjithë ambjenteve të brendshme të kryeministrisë. Kryeministri Nano u largua për në Maqedoni.
15 Shtator 1998 Sulmohet me armë eskorta e ministrit të Brendshëm Perikli Teta sapo del nga godina e ministrisë pak pas mesnate. Badigardët i kundërpërgjigjen me breshëri zjarri dhe autori i sulmit mbetet i vdekur.
13 Prill 2001 Një person i panjohur hedh disa fishekë në dritaren e banesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama në afërsi të “21 dhjetorit”, ngjarje për të cilën policia deklaron se është kërcënim ndaj jetës së Ramës. Vetë Rama deklaron: Këto janë karamelet e doktor Berishës!
19 Gusht 2011 Në fakt Ilir Meta nuk kishte detyrë shtetërore kur mori kërcënime. Ai sapo kishte dhënë dorëheqjen si zëvendëskryeministër dhe ministër, por ngjarja lidhej padyshim me detyrën që ai kishte. Kreu i LSI bëri publikë dy sms në celularin e tij me anë të së cilit është kërcënuar me jetë nga një numër celulari jashtë vendit. Policia merr në mbrojtje Metën dhe familjen e tij.
10 Shkurt 2015 Hidhet në erë me eksploziv farmacia e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë, autori ka vendosur tritolin në kondicionerin e farmacisë dhe rreth orës 02.00 e ka aktivizuar.
2 Mars 2015 Pak minuta pas përjashtimit të tij nga Grupi parlamentar i PS-së, deputeti Tom Doshi lëshon akuza të forta në drejtim të kryetarit të parlamentit Ilir Meta.
“Rama sot ka një tutor që quhet Ilir Meta i cili ka paguar lekë dhe ka urdhëruar të më vrasin mua dhe Mhill Fufin. Ka 5 muaj që ia kam bërë të qartë edhe vetë Ilirit, kryeprokurorit, Edi Ramës, kryeprokurorit të Krimeve të Rënda. Kam informuar senatin amerikan për këtë punë. ”
KOHA JONË SONDAZH

