Ja plani sekret i Ramës – 2005-2013
Nga Artur Zheji.
Po afrohej viti 2005, viti i ri zgjedhor dhe vetësiguria e Fatos Nanos, ishte rritur. Në Shqipëri nuk kishte krizë ekonomike, por kishte krizë brenda Partisë Socialiste, që sa vinte dhe thellohej.
Në vitin 2004, Meta nuk e duroi dot më bashkëjetesën me Fatosin, ai dha dorëheqjen si zv/Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm dhe themeloi partinë e tij: Lëvizja Socialiste për Integrim. Thuhet se edhe në këtë vendim, roli i Ramës, nuk ishte aspak i dorës së dytë. Përkundrazi Lëvizja “Mjaft” që drejtohej atëhere, kryesisht nga Endri Fuga dhe Erion Veliaj, sot dy bashkëpuntorët më të afërt të Ramës, përshkallëzonte sulmet e veta dhe po prodhonte rezultate. Lëvizja në fjalë, ja mbrriti që të krijonte imazhin e rremë se Berisha nuk ishte shumë ndryshe nga Nano, duke shënuar fillesën psikologjike të riciklimit të Doktorit drejt pushtetit.
Shkatrrimi i Fatosit dukej pra se ishte çështje kohe dhe Fatos Nano me liberalizmin e tij, ishte një objektiv i mbrritshëm. Rama mori në atë kohë teserën e PS dhe kandidoi kundër Nanos, duke shpallur hapur ambicien e tij, që në të vërtetë askush nuk e mori seriozisht në atë kohë. Porse largimi i Ilir Metës, energjia dhe influencat e tij, e dobësuan realisht pushtetin e socialistëve.
Rizgjimi i Pd, aleanca që Pd bëri me televizionin Klan, të Aleksandër Frangajt, miqësia e fortë që Rama kishte krijuar me Tan Hoxhën, pronarin e Top Channel, fushata energjike politike anti-Nano e Ilir Metës, puna intensive underground e Ramës kundër Nanos, sollën humbjen e thekshme elektorale të qershorit 2005, ku Ps u rrokullis në Opozitë dhe në mënyrë të pabesueshme Sali Berisha u rikthye në pushtet. Me nje koalicion të pazakontë personazhesh, dikur armiq të shpallur të PD-së sipas Berishës së mëparshëm, si Arben Imami, Genc Ruli, Gramoz Pashko dhe mjaft të rikthyer të tjerë.
Fatos Nano, u thye përkundrejt atij presioni. Edhe sepse nënvleftësoi ligjin idiot elektoral që ishte maxhoritar i pastër dhe me një turn të vetëm si edhe nënvleftësoi faktorin Lsi, që morri një përqindje të habitshme votash të të pakënaqurve të majtë.
Dukej në atë kohë se dyshja Meta-Rama, kishin korrur një sukses të madh politik dhe taktik, duke e nxjerrë Fatosin nga loja, ku përsëri Fatosi me vetë dashje dhe në mënyrë absurde, në zgjedhjet e Ps për kryetar, hapi krahun dhe dorëzoi Partinë Socialiste te Rama. Menjëherë pas kësaj, Ps dhe Lsi, Rama dhe Meta pra, shtrënguan një aleancë entuziaste dhe Meta, iu përvesh punës që Rama, të rikonfirmohej kryetar i Bashkisë, në vitin 2007, kundër të ndjerit Sokol Olldashi, që humbi thellë ndaj Ramës dhe Metës.
Ps dhe Lsi, korrën kështu një fitore të papritur dhe të thekshme, duke e tronditur Berishën kryeminstër, i cili mori sinjalin se largimi i Fatos Nanos, kishte krijuar një të “Majtë të re”, ku Meta dhe Rama, funksionin shumë mirë dhe shpejt mund të ishin të papërballueshëm në zgjedhjet e reja 2009. Katër vite pushtet, pas një rikthimi raskapitës, ishin shumë pak për Berishën dhe egon e tij politike.
Si një psikolog i rregjur dhe dinak, Berisha, peshkoi ambicien e Ramës, të forcuar përsëri si kryetar bashkie të Tiranës dhe automatikisht edhe si kryetar i Ps, për ta përçarë me Ilir Metën dhe 1 viti përpara Zgjedhjeve politike, në vitin 2008, ai i propozoi Ramës ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimet e Kodit elektoral, që dënonin me vekje Lsi, ose e shndrronin atë në një gogël në duart e Ramës.
Në mënyrë të guximshme dhe prej politikani tashmë dinak edhe ai, Rama e pranoi ofertën, me vetëdijen se pushtetin e kishte afër dhe se do të lante njëherë e mirë duart me sivëllain dhe rivalin e tij Meta.
Ai, i blinduar si kryetar Bashkie i kryeqytetit dhe si kryetar i Ps pa rivalë të brendshëm, bëri një aleancë të fshehtë me Berishën, ndërsa Berisha fërkonte duart sepse e prishi shumë shpejt aleancën fituese Ps-Lsi, ose më saktë aleancën Rama-Meta.
Kjo dredhi e Ramës e gjeti Metën të papërgatitur, ashtu si edhe ndodhi 9 vjet më vonë, me marrëveshjen misterioze të 17 majit 2017, Rama-Basha.
Mirëpo ndodhi diçka e pabesueshme për Ramën, ai humbi zgjedhjet në vitin 2009, ndërsa Lsi dhe Meta, mbijetoi në mënyrë të habitshme, falë edhe lojës së dyfishtë të orës së fundit, që ndërmori Berisha, duke ndërprerë grabitjen e votës së Lsi, që komisionerët e Ps dhe Pd, e kishin vënë si target me porosi të veçantë. Masakra e grabitjes së votës së Lsi, u ndërpre në orët e para të pasdites dhe Lsi ja doli të nxjerrë 4 deputetë që bënin në të vërtetë diferencën e duhur, për seicilën nga palët, Ps-në ose Pd-në për të ardhur në pushtet.
Meta bëri koalicion me Berishën dhe lufta Rama-Meta, ishte pjesa më nevrotike e viteve 2009-2012, sepse Rama ra në dëshpërim të thellë. Ai kishte humbur disa gjëra të rëndësishme në të njejtën kohë.
Zgjedhjet dhe pushtetin. Miqësinë e Metës dhe mbështetjen e rreme të Berishës. Kjo dhe ishte një kohë e zymtë dhe realisht destabilizuese për Shqipërinë. Rama akuzoi Berishën për vjedhje votash dhe nuk e dha doprëheqjen si kryetar i Ps, pushtoi Bulevardin dhe përmes një opozite intensive dhe të admirueshme për nga këmbëngulja, forcoi pozitat te e Majta, si antiberishisti më i vendosur i të gjitha kohrave…
Rama nuk kurseu më asgjë, për të shkatrruar imazhin e Metës, ashtu si edhe Meta, ndaj Ramës. Mirëpo aleanca e Ramës me Tchannel, vijoi edhe pas ndarjes nga jeta e Tan Hoxhës, në kohën që Tchannel kishte dhe audiencën më të lartë si bastion opozitar. Kulmi arriti me ngjarjet e 21 janarit 2011, ku Rama, pas transmetimit të videos së Dritan Priftit me Ilir Metën, inskenoi një mini luftë civile, duke peshkuar reagimin agresiv të Berishës. Dhe të vrarët nuk munguan në Bulevard. Me vrasjen e të katërtve nga ana e Gardës së Republikës, Rama kishte siguruar 4 dëshmorë të pafajshëm, imazhin e të cilëve e shfrytëzoi frikshëm, por akoma pa dobi në terren.
Sepse ai, pësoi një goditje në vitin 2011, koalicioni Pd-Lsi, në zgjedhjet locale, e kishte shkarkuar si kryetar Bashkie të Tiranës dhe Lulëzim Basha i zuri vendin, me 8 vota minus apo plus, kjo s’kishte më rëndësi në krahasim me 20.000 votat plus që ai kish marrë kundrejt Olldashit në vitin 2007.
Rama kuptoi se Meta, ndonëse vetëm me 3 deputetë, por me një energji politike reale ende të pashprehur, vijonte të ishte pengesa e pakapërcyeshme drejt pushtetit maksimal. Urgjenca për tu puthur Metën, të cilin nuk e vrau dot politikisht, ishte tashmë dhe në mënyrë të ethshme, qëllimi kryesor i Ramës. Qëllim të cilin e realizoi mjeshtërisht, pas një viti takimesh të fshehta, zëniesh dhe përbetimesh.
Edhe këtu ja vlen të përgënjeshtrojmë një gënjeshtër të madhe, nuk ishte Darka e Ngjalave të Lalëzit, që vendosi marrëveshje e re Rama-Meta, por shumë takime të tjera në disa shtëpi miqsh të përbashkët, ku Rama, në mënyrë të talentuar, kish pranuar të gjitha “gabimet dhe fajet” e rënda ndaj Metës duke u përbetuar se nuk do ti përsërisste kurrë më!…
Dhe kështu, me afrimin e zgjedhjeve, në mënyrë të habitshme, Rama ja doli të bindë Metën, për një koalicion të ri dhe të “sinqertë”, gjë që e solli Ramën në pushtet si kryeministër, në vitin 2013. Berisha u tërbua dhe mbeti i befasuar, por marrëveshja Meta-Rama, nuk kishte më kthim pas… (Vijon – fragmente nga Ditari Politik i Artur Zhejit )