Ja plani “sekret” i Ramës dhe mundësitë për ta zbatuar… (Pjesa e parë)

Meta u nxeh dhe inatos keqas me këtë “pabesi”, por ndërkohë Rama e kishte studiuar tipin e tij, Meta e kishte hatërmbetjen, të fortë, intensive por të të shkurtër në kohë. Meta, kryeministër ja “fali” Ramës dhe kthimin në identitet, pjesa e dytë, ja delegoi përsëri atij, tashmë si kryetar Bashkie

Nga Artur Zheji

Pa dyshim, Rama është tashmë një person politik shumë i vullnetëshëm. Zgjohet në mëngjes në 6,30 dhe kujdeset shumë edhe për formën e vet fizike, duke punësuar edhe një trajner personal, që e stërvit fizikisht në fshehtësi. Duket se ka bërë edhe një pikturë të vetvetes, një autoportret imagjinar, ashtu si i ka hije një sovrani.

Dhe ka një plan afatgjatë për veten e tij. Mbas vuajtjeve shumë të mëdha që kaloi në eksperiencën pariziane, ku ishte i mbërthyer nga pasiguria dhe nga hutimi i thellë, ai mori një ftesë fatlume për tu kthyer përfundimisht në Shqipëri dhe nuk e nënvleftësoi aspak atë. Parisi e mësoi me vuajtje të papara depersonalizuese, ashtu si edhe shumicën e shqiptarëve, që ishin dikushi në vendin e tyre dhe provuan se si jetohet, kur je askushi në Parajsën e Europës…

Lidhjet me Shqipërinë nuk i kishte ndërprerë asnjëherë dhe botonte rregullisht te Revista “Përpjekja” e Lubonjës dhe te gazeta “Koha Jonë” tepër e famshme asokohe.

Ai  akuzoi ish presidentin Berisha dhe Shik, se e kishin goditur me levë dhe e kishin gjakosur keqas, për shkak të shkrimeve të tij anti Berisha. Dhe kjo mund të ishte me të vërtetë një hakmarrje e Berishës, mirëpo ai, Rama pra, pati në ato kushte ekstreme vuajtjeje dhe ankthi, forcën e duhur për të mos fshirë gjakun dhe plagët, pa u fotografuar më parë, duke u shndrruar me ato foto si një simbol i dhunës së verbër berishiste. Ishin këto pra, hapat e para dhe të suksesshme, të talentit të tij komunikativ.

Ish antikomunisti dhe ish pd-isti Rama, u transformua me shpejtësi në një anti-berishist të vendosur në emigracion.

Në atë kohë ai kishte miqësi të thellë me Fatos Lubonjën, por edhe me Spartak Ngjelën, dy personazhe që kishin dhënë prova se kishin mundur dhe kishin ditur të rezistonin në mënyrë shumë të respektueshme, ndaj burgjeve të egra të diktaturës që sapo kishte rënë. Bashkuar në këtë grup ishte edhe Ardian Klosi i ndjerë, që kishte pasur edhe ai, një persekutim të familjes, si nomenklaturë e lartë e ish rregjimit të asaj kohe.

Lubonja, Klosi dhe Ngjela ishin pa dyshim një shkollë, por mbi të gjitha një dëshmi persekutimi, që aso kohe kishte një sharm publik, që sot nuk është më, por atëhere kishte padyshim një vlerë të veçantë.

Mbas daljes nga burgu dhe vitit të tmerrshëm ’97, Berisha u rrëzua me rrokullimë dhe fitimtarët socialist erdhën me gëzim popullor në pushtet. Fatos Nano, që mbetet ende kampioni i “rekrutimeve” ekselente, me qëllim krijimin e Elitës së re politike shqiptare, i bëri ftesën e parë, artistit opinionist  dhe të angazhuar politikisht. Direkt nga Parisi në ministër Kulture në Tiranën e shpartalluar nga lufta civile ’97.

Rama pati një përkushtim shëmbullor ndaj Nanos dhe i shërbeu me devotshmëri dhe në çdo detaj, deri në vitin 1998, kur “kundërrevolucioni” i Berishës, në Shtator të atij viti, e përmbysi de facto dhe me dhunë qverinë e Fatosit.

Fatosi ndërkohë, me qëndrimet e tija liberale, pamvarsisht se ishte edhe një ish i burgosur politik, kishte fituar dyshimin e ish komunistëve, që kishin ndrruar vetëm lëkurën dhe ishin bërë socialistë vetëm nga e keqja e kohës dhe që liberalizmi borgjez i Nanos, i shqetësonte. Sepse ishte i parakohshëm, por fare pak më vonë, ata ja kaluan edhe Fatosit, në prirjet e tyre borgjeze dhe shpërdoruese.

Rama e nuhati këtë situatë dhe lëkundjen e parë të pushtetit të Fatosit dhe pas dorëheqjes së tij, tregonte me talent dhe pasion të rrallë vetëm barcoleta denigruese për ish kryeministrin që e përshkruante si pijanec dhe si frikacak dhe si njeri të dështuar e ish burgaxhi.

Në atë periudhë kritike për Ps, socialistët nxorrën në vijën e parë, një djalosh të rid he shumë aktiv, Ilir Metën, i cili si malësor Skrapari dhe shumë ambicioz, premtonte ta ndëshkonte dhe ta nënshtronte Berishën, që ishte pak të themi “tmerri” i asaj kohe. Ashtu dhe ndodhi,  Meta kryeministër, ishte i vetmi që e shoqëroi në komisariatin e Policisë, ish Presidentin e “pamposhtur” dhe rrethuar nga besnikë të armatosur.

Rama, ndonëse më i madh në moshë se Meta, ishte shumë më i ri se ai, në jetë partie, madje ai akoma luante me kartën si një anëtar i shoqërisë civile, si një i thirrur dhe jo si një i organizuar në Partinë Socialiste.

Rama, u shndrrua sakaq në një metist të vendosur, për të cilin nuk guxonte të tregonte barcoleta dhe u shndrrua gjithashtu në krahun e djathtë të tij, si këshilltar, si mik dhe si mbështetës dhe perfekt në çdo detaj, duke fituar besimin e thellë të Metës.

Meta e përkrahu dhe ja vlerësoi talentin e komunikimit që Rama e kishte akoma në fillesat e tij dhe me pikësynimin për të kapur Bashkinë e Kryeqytetit. Në kohën kur u rikonfirmua Ministër i Kulturës, bëri projektin e parë të “rikthimit në identitet” të Tiranës, duke marrë nga Meta dhe edhe me ndihmën e ndërtuesit dhe “skraparlliut” simpatik, Fidel Ylli, aso kohe shumë afër Metës, një superbuxhet për kohën dhe duke bërë vërtet një punë të bukur restauruese, në Tiranën e kioskave dhe qofteve.

Kështu kishte lindur sakaq, kandidati i Metës dhe i Ps, për kryetarin e ri të bashkisë së Tiranës. Por lufta Nano-Meta, e ndërlikonte vazhdimisht situatën, sepse Ps ishte e ndarë në dy pjesë, në nanoistë dhe në metistë. Rama u rreshtua me kryeministrin, e pra me Metën dhe barcoletat e restoranteve filloi ti rrëfente ekraneve, një nga ato kishte nofkën e “Robert çëmaçakëzit”. Mirëpo kur situata filloi të turbullohej dhe Nano po fitonte terren kundër Metës, të mos e harrojmë se Nano ishte akoma kryetari i Ps, i këshilluar edhe nga Fidel Ylli, Rama, për të kërkuar falje në mënyrën e tij, u hodh me shpejtësi në Athinë me një buqetë të madhe me lule, në spitalin ku  Fatosi ishte shtruar pas një aksidenti që kishte pësuar me makinë.

Meta u nxeh dhe inatos keqas me këtë “pabesi”, por ndërkohë Rama e kishte studiuar tipin e tij, Meta e kishte hatërmbetjen, të fortë, intensive por të të shkurtër në kohë. Meta, kryeministër ja “fali” Ramës dhe kthimin në identitet, Pjesa e dytë, ja delegoi përsëri atij, tashmë si kryetar Bashkie, duke shfarosur me mbështetjen e tij kryeministrore, kioskat dhe duke çliruar Lumin e Lanës. Edhe kjo la një mbresë shumë të mirë popullore për Ramën kryesisht dhe shqiptarët mbyllën sytë dhe veshët, për ndërtimet e fuqishme betonizuese, që zhdukën kopshte dhe lulishte, në çdo cep të Tiranës.

Rrëzimi i Metës kryemistër, pamvarsisht se kishte fituar zgjedhjet e Qershorit 2001, e gjen Ramën aktor kryesor, por tanimë shumë më “profesionist” dhe të aftë për flirte të rafinuara dy palëshe, por edhe më shumë se dy palëshe.

Me Nanon kundër Metës dhe me Metën kundër Nanos, por edhe me një kanal misterioz komunikimi me Berishën.

Tanimë ambicia e Ramës ishte rritur dhe zhvilluar dhe ay, rrëfeu talent edhe për punë të habitshme konspirative shumë planëshe. Në të vërtetë ai, “rekrutoi” Erion Veliajn, ose “lali Erin e sotëm” dhe Lëvizjen Mjaft, që shpërtheu kundër Fatos Nanos, kjo lëvizje gëzonte edhe Berishën edhe Metën, të cilëve Rama, me përpikmëri, u çonte mesazhe të koduara se po e rrokulliste drejt rrëzimit “Qorrin”, Fatos Nanon kryeministër pra dhe mbështetës politik të tij.

Rama takohej fshehtas dhe bënte plane koordinuese e pas mesnate me “mjaftistët” në zyrat e “Veve Center” dhe ndërkohë Shaban Memia, ishte autorizuar nga Berisha, që të mbushte rradhët e protestuesve mjaftistë me militantë të Pd. Fatosi ishte i dyzuar ndaj Ramës, por ai e bindi që në vitin 2003, ta kandidontë përsëri për kryetar bashkie të Tiranës… (Vijon – fragmente nga Ditari Politik i Artur Zhejit) /360grade.al/

SHKARKO APP