Ja pse Aleksandar Vuçiç u kap i papërgatitur në konferencën e shtypit me Edi Ramën
Kur kandidoi për kryeministër, Aleksandar Vuçiç u paraqit si ndryshe nga të gjithë udhëheqësit serbë në historinë moderne të Serbisë.
Ai do të ishte udhëheqësi pragmatik, që do të drejtonte pa emocione, që do të gjente zgjidhje nga të cilat përfiton konkretisht Serbia dhe jo ëndrra në diell me nacionalizëm dhe fanatizëm.
Vuçiç fitoi me një shumicë në parlament që e bën atë po aq të fuqishëm sa Gruevski në Maqedoni, apo ende mbas skenave Gjukanoviçi në Malin e Zi. Edi Rama do të kishte qenë po aq i fuqishëm nëse shumicën që gëzon sot në Kuvend ta kishte arritur pa ndihmën e Ilir Metës.
Mirëpo që kur është zgjedhur, Vuçiç nuk ka rreshtur së zhgënjyeri ata që shpresuan se kishin zgjedhur një menaxher të mirë të ekonomisë dhe jo trumbetarin e zakonshëm të përrallave propagandistike.
Vuçiç ka filluar një sulm heshtës ndaj të gjitha programeve televizive dhe opinionistëve në media. Në vend që të dënonte zyrtarët që dështuan në ndihmën për përmbytjet masive, ai ndëshkoi median që i denoncoi ato.
Në vend që të drejtonte qetësisht Serbinë në ekuilibrin mes BE-së dhe Rusisë i ka nervozuar të dyja palët. Një paradë e panevojshme për presidentin Putin zhgënjeu Perëndimin dhe ia ngriti mendjen kot Rusisë. Tani të dyja palët janë të irrituar me të.
Sigurisht, historia tregon se është më e lehtë për ekstremistin që të zbutet e të fitojë votat e buta pa humbur ato të egrat, sesa për dikë si fjala vjen Tadiçin që kujtoi se do të ruante votat e të moderuarve duke hedhur vallen e nacionalistëve. Në fund i humbi edhe ai të dyja.
Vuçiçi gëzon ende kapital të madh për shkak të fitores së tij të fundit dhe shtrëngimit të shtetit si një diktator i kohës sonë. Mirëpo, deri sa të manipulojë zgjedhjet e ardhshme, ai nuk do të quhet i tillë. BE do të vijojë ta tërheqë në procesin e pakthyeshëm të integrimit për t’ia kufizuar lëvizjet e ardhshme anti-demokratike.
Këto të gjitha kanë rëndësi për të kuptuar përballjen e sotme me Edi Ramën. Imazhin e tij që po plasaritet, Vuçiç e kishte krijuar, nga një anë me ndihmën e një firme britanike të marrëdhënieve publike dhe nga ana tjetër duke shtypur median reale në Serbi.
Kjo e ka ndihmuar fillimisht për të krijuar një imazh të pavërtetë që krijoi ide të ekzagjeruara në Serbi dhe për opinionin publik jashtë vendit, por kjo e ka lënë gjithashtu tërësisht të papërgatitur për situata publike reale. Një e tillë iu krijua gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Kur ai përmendi Kosovën, Vuçiç e humbi toruan. Udhëheqësi “pragmatist” që dikur i hiqte qimet nga xhaketa kllounit nacionalist Vojisllav Sheshejl, tregoi se nuk di të administrojë situata në të cilat nuk ia kanë treguar tekstin paraprakisht.
Nëse Rama po kthehet nga Beogradi me hijen e fituesit të përballjes mes dy kryeministrave, për këtë është faji i vetë Vuçiçit. Në vend që t’ia kishte ulur rëndësinë paragrafit të Edi Ramës për Kosovën, duke e shpërfillur dhe duke ripërsëritur mantrat e diplomacisë serbe për diskriminimin e pakicave në Kosovë, apo duke u kapur pas pjesës së Ramës ku vlerësohej dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit etj, ai iu dorëzua rolit të viktimës, të të tradhëtuarit nga miku, të të provokuarit.
Rama nuk bëri asnjë provokim. Ai përsëriti një qendrim të njohur jo vetëm të Shqipërisë por edhe të vendeve perëndimore mike të Serbisë. Që Kosova duhet njohur herët a vonë. Dhe sa më herët aq më mirë për vetë Serbinë.
Po le ta zëmë se ishte një provokim. Politika është art i kompromisit por provokimet janë bashkudhetare të pashmangshme të saj. Nëpërmjet provokimeve politika dhe diplomacia testojnë ujërat dhe gjykojnë reagimet.
Nga provokimet ne e dimë se Serbia do të donte të përfitonte nga bllokada ruse në kurriz të BE-së duke eksportuar prodhime ushqimore në Rusi. Po nga provokimet kemi mësuar se ndonëse BE-ja është e butë dhe miqësore me Serbinë, në momentin kur u shfaq mundësia e thyerjes së embargos me Rusinë, blloku ia nxori menjëherë dhëmbët Serbisë.
Nga provokimet mësojmë për mundësitë e koalicioneve të ardhshme dhe të metat e atyre të sotme.
Në thelb, Edi Rama mbajti një fjalim mendjehapur ndaj Serbisë. Nxiti përmirësimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve, pa ia kushtëzuar ato me njohjen e Kosovës. Ai e ftoi Vuçiçin që të vizitojë Tiranën, ashtu si kanë bërë shumë bashkëkombas të tij në vitet e fundit.
Nuk e di se çfarë priste Vuçiç më shumë se kaq. Mbase që Rama të nxirrte një kitarë dhe t’i mbante një serenatë.
Vuçiç dhe Daçiçi nuk janë udhëheqësit që duhej të kishte Serbia moderne, e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Provokimi më i madh i kohës sonë në rajon është fakti që këta dy zëdhënës të nacionalistëve më të egër të Ballkanit janë ende në krye të vendit të tyre.
Vuçiç ashtu si Tadiç dhe Daçiç përpara tij do ta kuptojë shpejt se nuk mund të kalërojë dy kuaj njëkohësisht. Droni më i njohur në Serbi pas atij me hartën e shqipeve është ai me parrullën “Vuçiçi peder”, lëshuar nga ish-miqtë e tij radikalë. Ata që sot shkruajnë se e ka pasur babain shqiptar e familjen katolike. Nga ana tjetër serbët liberalë e proeuropainë janë shtangur nga sulmi mbi lirinë e medias dhe mungesa e efikasitetit të premtuar nga qeveria e re.
Ditët e qendisjes së imazheve irreale të politikanëve kanë mbaruar. Sot, në kohën e celulareve, tuitërit dhe gazetarisë qytetare, realiteti çpon çfarëdo flluske propagandistike. Realiteti të hyn në konferenca jashtë vendit dhe ta plas nga salla të vërtetën në sy. Të hyn në konferencë shtypi dhe ta merr mikrofonin nga dora. Një klik fotografie e papritur rrëzon mitin e ngritur me kujdes. Vuçiç e pati maksimumin në ditën kur u zgjodh me shumicën që gëzon sot. Që nga ai moment ka rënë dhe do të vazhdojë të bjerë.
Vuçiç mund të zgjedhë të nervozohet që Rama solli një copë realitet në flluskën e ringjalljes pa probleme së marrëdhënieve shqiptaro-serbe, mirëpo e keqja e tij nuk i vjen nga Tirana. Rrezikun e ka vetëm në Beograd, te serbët që mund të zgjohen një ditë e të zbulojnë se kryeministri i tyre nuk dallon shumë nga të tjerët dhe se nuk bëhet dot më nacionalisti që ishte dikur e as nuk mund të europianizohet në kaq pak vite. Pas tualetit të rëndë të imazhit publik, fshihet politikani i zakonshëm serb që druhet të flasë hapur për të vërtetat në të kaluarën dhe të ardhmen e Serbisë.