Ja pse Berisha është më i dobëti i PD-së!
Ajo që Berisha kishte marrë përsipër dhe ajo që bëri, janë në të vërtetë imitim i pritshmërisë se ku mund të përfundojë opozita nëse lidhet me fatin e tij. Me një skenar në kokë për të destabilizuar Kuvendin, ç’ka Basha u ka kumtuar dhe dy ambasadorëve të Perëndimit një ditë më parë, Berisha bllokoi podiumin me një tufë deputetësh gardistë, të nxirë në fytyrë nga bezdia. Ambasadorët që ishin në llozha u ngritën dhe ikën në shenjë proteste, ndërsa Kuvendi po kthehej në një arenë kacafytjesh.
Por fare papritur zhvillimet morën tjetër rrjedhë. Kryetari i Kuvendit, i cili ndan shumë histori të qeverisjes katërvjeçare me Familjen Berisha, i kujtoi atij të birin Shkëlzenin, historinë e një video të tij dhe në një moment edhe më të rënduar emocional, një perifrazim të vet Berishës për të birin, “na mori më qafë budallai”. Pas kësaj gjithçka ndryshoi si me sustë. Berisha humbi oratorinë, u turbullua dhe u ul në vend. Pastaj, pas dy batutash të tjera që vërtiteshin sërish rreth të birit, doli jashtë dhe deklaroi se po ikte në shtëpi.
Beteja e tij e frikshme e paralajmëruar, u shkri si kripa në ujë dhe ai u zhbë si lider i turmës për dhjetë minuta. U desh të hynte në lojë i biri i tij, të sulmonte gruan e Ilir Metës duke e bërë tërësisht vulgar debatin, që Berisha të kthehej prap në sallë, por tashmë pa ditur se çfarë thoshte më.
Njeriu që kishte marrë përsipër betejën radikale të opozitës e tradhtoi atë, për shkak të historive kriminale të djalit të tij, i cili shfaqet kudo që të futësh dorën, në thesin e korrupsionit të qeverisjes së Berishës. Miliarderi, që ende nuk është hetuar, ku i ka investuar parat dhe si ia del që të dashurës së re t’i hapë dyqan luksoz prej qindra mijëra eurosh në Bllok, sot ishte njeriu që u përdor për të shitur kauzën e opozitës. Edhe pse ky është i gjithi një skenar filmi i prodhuar nga vet Doshi, nuk mund të thuhet se është një skenar i prodhuar nga opozita. E vërteta është siç tha dhe vet Berisha, se opozita ka qenë në dijeni të këtij skenari dhe normal po përpiqej që ta përdorte. Nuk kam asgjë kundër kësaj sjellje. Gjithkush do ta përdorte po të ishte në opozitë. Edhe pse video në fillim ngatërron Agim Ramën, Agron Kuliçin apo Eugen Becin dhe shoferin e Mediut, e vërteta është se ajo nuk është një video e prodhuar nga opozita dhe as nga pushteti, por një skenar për shantazh personal i një deputeti, kundër pushtetit. Shumcia edhe pse nuk është fajtore, natyrisht që është përgjegjëse, qoftë edhe për faktin që “producentin” e videos e ka pasur deputet të saj.
Opozita në këtë rast, thjesht mund të përfitonte duke thelluar betejën e saj për dekriminalizimin dhe ta inkuadronte gjithë këtë xhalo të shumicës, tek nisma e saj politike.
Mirëpo ajo që ndodhi ishte e pabesueshme. Në vend që ta përdornin politikisht dhe të forconin me këtë rast idenë e tyre politike të Komisionit Parlamentar të Dekriminalizimit, ata e shkëmbyen këtë shans me dëshirën e Berishës për protagonizëm dhe në fund me degradimin e kësaj historie, nëse ka më shumë video të Shkëlzenit apo më shumë video të Tomës.
Kjo është një arsye më shumë, përse kjo opozitë për të qenë normale duhet të shpëtojë nga protagonizmi i një njeriu që është peng i së keqes në këtë vend. Historitë e Shkëlzen Berishës dhe Argita Berishës, janë historitë më të pabesueshme të një vendi, ku një Familje në pushtet kap shtetin dhe dikton vënien e tij në shërbim të bizneseve të tyre. Ata ishin gjikund ku ishte pushteti, bënin ligje në favor të tyre, drejtonin projekte konçesionesh gjigande, merrnin përqindjet si sekserë të babait dhe sot u shesin moral shqiptarëve, duke hapur dyqan brekësh luksoze në Bllok për të mbuluar pisllëkun e pushtetit të tyre. Ndoshta do të vijë një ditë, që ata do të përballen me krimet e tyre kundër shtetit, por kjo do kohën e vet. Së paku sa të pastrohet politika dhe institucionet nga ushtarët e tyre. Por deri atëherë, e vetmja mënyrë që opozita e sotme të jetë me këmbë në tokë dhe të ketë sukes, është që të mos shesë kauzat e saj për brekët e dyqanit të dashnoreve të Shkëlzenit dhe përqindjet e Argitës, tek ata që donin firmën e babait.
Opozita mund ta fitonte politikisht nga zhvillimi pa mundimin më të vogël, duke pasur Bylykbashin në krye të punëve. Por, edhe më budallain e opozitës sikur të vendosësh në krye të këtij aksioni, mund të kesh sukses. I vetmi person që në të vërtetë e degradoi këtë kauzë dhe e ktheu në Pazar për të mbrojur të birin e tij, ishte Sali Berisha. Ai së bashku me Tomën, janë të vetmet asete të shumicës në këtë histori aspak të këndshme.
Gazeta "TEMA"